TADEJ GOLOB

Të përshkruhet seksi ashtu, që mos të duket si pornografi, gjegjësisht ashtu që mos të qeshin njerëzit, është shumë vështirë!

 

Intervistë me autorin slloven Tadej Golob,

mbi romanin “Këmbët e derrit”, Botimet Toena, 2019

 

Romani “Këmbët e derrit”, është romani, i cili ju solli shumë sukses dhe bëri bujë, pasi fitoi edhe çmimin më të rëndësishëm për letërsi në Slloveni “Kersnik”. Çfarë ju frymëzoi të shkruani një lloj romani të tillë, me një subjekt gati-gati të pazakontë, i cili le të themi ka tërhequr mjaft kërshërinë e lexuesve?


T. Golob - Në të vërtetë, këtë mund ta shpjegoj shumë vështirë. “Këmbët e derrit” ka qenë libri im i  parë letrar dhe në të merrem me pyetjen, çka është arti. Natyrisht se flet për vizatuesin e stripave, që ka vështirësi me kokainën dhe me personalitetin e vet, si dhe me mungesën e parave, por çështja kryesore e tij është  prapëseprapë, çka është ajo që e bën një prodhim artistik, si bëhet njeriu artist? Kjo ishte çështja që më mundonte së tepërmi kur vendosa të shkruaj. Disi nuk e gjeja veten në mesin e atyre që merren tërë jetën me tema “serioze”. Nuk desha të shkruaja për përçarjen kombëtare në Luftën e Dytë Botërore.  


Ju prej 30 vjetësh merreni me alpinizëm dhe keni ngjitur edhe majën më të lartë, atë të Everestit? Ç’mund të na thoni për këtë eksperiencë dhe mbi të gjitha për pasionin tuaj për letërsinë? A mund të ketë një lloj lidhje mes tyre?


T. Golob - Po, ekzistojnë shumë lidhje. Vetë ndjenja, kur gjendesh nën një shkëmb të madh mbi të cilin dëshiron  të hipësh dhe kur e shkruan fjalinë e parë të disejtë që do të duhej të bëhet roman, janë të ngjashme. Ndjenja e vogëlsisë. Përpos kësaj, marrja me sport ta hap një pjesë të rëndësishme të botës dhe jetës. Në Everest isha në vitin 2000, në fakt si pjesëtarë i ekipit mbështetës për Dav Karniçarin, njeriun e parë në botë që zbriti nga maja e Everesti me skia. Dy ditë më vonë, më 9 tetor edhe unë e arrita majën.


Ju e keni vendosur personazhin tuaj, Janin, mes ulje-ngritjeve të shumta, dhe e gjitha është rrëfyer përmes një monologu të brendshëm. Këtë subjekt dhe këtë personazh a mund ta lidhim me ndonjë ngjarje reale në jetën tuaj, apo është thjesht një trill artistik?


T. Golob - Gjatë shkrimit, krijimit të personazheve, gjithmonë mbështetem në persona realë. As Jani Bevku nuk ishte krejtësisht i trilluar. E kam një mik që flet ngjashëm me Jani Bevkun, dua të thotë me gjuhë tejet vulgare, që përdor sharje dhe mallkime, por as pjesa gangsterike e tregimit me pushkë të prerë dhe me qeskë të kokainës nuk është e trilluar. Ndërsa vetë rrëfimi, shpalosja dhe fundi i saj janë plotësisht prodhim i imagjinatës.


Përgjatë romanit kemi mjaft skena erotike, marrëdhëniet e personazhit me gruan e tij, të cilat janë të përshkruara me një gjuhë mjaft të drejtpërdrejtë. Mendoni se kjo gjuhë e përdorur e bën romanin të lexohet më shumë? Pra, a ka qenë zgjedhje e juaja e paramenduar përdorimi dhe përshkrimi përmes një gjuhe të tillë?


T. Golob - Gjuhën gjithmonë ia përshtat personazheve dhe situatave. Shumë njerëz e kanë kritikuar “Këmbët e derrit” për vulgarizim. Ç’të them...? Po, është. Ashtu siç është vulgare edhe jeta e Jani Bevkut dhe jetët tona në përgjithësi. E sa u përket skenave seksuale - me to, në “Këmbët e derrit”, jam shumë krenar. Të përshkruhet seksi ashtu, që mos të duket si pornografi, gjegjësisht ashtu që mos të qeshin njerëzit, është shumë vështirë.


Subjektin e romanit mund ta lidhim edhe me aktualitetin, me problemet e ndryshme sociale, marrëdhëniet mes një çifti, të cilat agravojnë, në momentin e përballjes me trysnitë që shpesh të sjell jeta. Përse zgjodhët që në qendër të romanit të jetë pikërisht një çift dhe marrëdhënia e tyre?


T. Golob - Heroi duhet të merret me probleme, përndryshe nuk është hero. Problemet e njeriut me familjen, pa para, dhe pa një të ardhme, kuptohet se janë shumë më të mëdha se problemet e një njeriu të pamartuar në një situatë të njëjtë.


Jeni i frymëzuar nga mitologjia greke, sepse në romanin tuaj kemi tek-tuk motive mitologjike, si për shembull ai i bretkosës?


T. Golob - Vërtetë jam i entuziazmuar me mitologjinë greke, por ato bretkosa nuk rrjedhin nga ajo, ato vërtetë më kanë ndodhur, diku para pesëmbëdhjetë vjetësh, kur  me bashkëshorten dhe me dy fëmijë të vegjël u shpërngulëm në një banesë – bodrum në periferi të Lubjanës. Në vjeshtë, kur filluan reshjet, para dyerve kisha një mori bretkosash. Më vonë e zbulova se ndërtesa në të cilën e kishim blerë banesën ishte ndërtuar në një moçal të dikurshëm, që nuk mund të thahej. Kjo pjesë e romanit është tejet autobiografike.


Përse zgjodhët titullin “Këmbët e derrit”, për romanin tuaj? Mendoni se vënia e një titulli të tillë do ta tërheqë më shumë lexuesin?

T. Golob - Për arsye se Jani Bevku, ndërkohë që mësohej të bënte tatuazhe ushtronte në këmbët e derrit, të cilat i blinte te mishshitësi. Dhe kur i pa këmbët me ato thundra të shtypura, para sysh iu paraqit   rrëfimi i jetës së kësaj kafshe. Dhe ky rrëfim është i egër.


Cili është shkrimtari juaj i preferuar dhe çfarë lloj letërsie lexoni?


T. Golob - Po, i kam pesë libra të preferuar që i përmend kur dikush më pyet diçka të tillë: “Mjeshtri dhe Margarita” e Bulgakovit, “I huaji” i Albert Camus, “Cica në metro” i Raymond Queaneauit,  “Shpëtimi” i James Dickeys dhe “Thertorja pesë”, e Kurt Vonnegutit. Përndryshe lexoj gjithçka.


Ç’duhet të përmbajë një shkrim që të quhet letërsi e mirëfilltë sipas jush?

T. Golob - Duhet të ketë diçka që mund ta durojë. Tregimin, gjuhën, energjinë, që është shumë vështirë të përcaktohet dhe që çdo njeri, me siguri, e kupton disi ndryshe. Nuk janë të gjithë librat për gjithkënd. As “Këmbët e derrit” nuk është.


Vendi juaj i preferuar për të shkruar?


T. Golob - Shkruaj në shtëpi. Në dhomën e gjumit ku e kam rregulluar një qoshe për shkrim. Megjithëse kam shkruar edhe tjetërkund, në banesa, nëpër rezidenca të ndryshme për shkrimtarët, nëpër kafene etj. Por jam mësuar me ambientin shtëpiak dhe mendoj se shkrimet e mia më të mira krijohen pikërisht aty.


Përveç romaneve, cila gjini letrare ju pëlqen më shumë dhe a keni menduar ta sprovoni veten tuaj në poezi?


T. Golob - E kam sprovuar, por në këtë botë ka aq poetë të shkëlqyeshëm, saqë nuk do t’u përzihesha në punë. Ne sllovenët kemi më shumë poetë se shkrimtarë të jashtëzakonshëm.


Për ta përmbyllur donim t’u kërkonim një këshillë për krijuesit e rinj. Çfarë duhet të kenë parasysh në momentin që shkruajnë?

T. Golob - Asgjë, vërtetë asgjë nuk do të guxoja t’u këshilloja. Të gjitha do të duhet t’i mësojnë vetë, madje në gabimet e veta.


Shpërndaje