Shporta juaj është bosh
Shtëpia Botuese TOENA e ka filluar veprimtarinë e saj në janar të vitit 1993. Që nga dita e krijimit të saj ajo ka botuar rreth 2650 tituj nga studiuesit më në zë të institucioneve shkencore dhe universitare, libra informativë, botime nga historia dhe traditat kombëtare, metoda për mësimin e gjuhëve të huaja, fjalorë të shumëllojshëm, manualë për specialistët dhe profesionistët, letërsi artistike nga autorë shqiptarë dhe të huaj, si edhe albume e harta të ndryshme.
Në katalogun e botimeve të Sh. B. “Toena” gjatë këtyre 27 vjetëve kanë hyrë nga emrat më të njohur të letrave shqipe, të traditës dhe bashkëkohorë. Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Fatos Kongoli, Fatos Arapi, Ali Podrimja, Luan Starova, Kristo Frashëri, Sabri Godo, Teodor Laço, Visar Zhiti, Bashkim Shehu, Kim Mehmeti, Natasha Lako, Diana Çuli, Zija Çela, Bardhyl Londo etj. etj., janë vetëm disa prej tyre.
Në një seri kolanash të rëndësishme po organizohen prej kohësh veprat më të mira që ka botuar dhe po boton “Toena”. Të tilla janë seritë “Poezia e zgjedhur shqipe”, “Tregime të zgjedhura shqiptare”, “Letërsi ballkanike”, “Përralla nga popujt e botës”, “Biblioteka e librit për shkollat”, “Letërsi e zgjedhur për fëmijë” dhe ajo më e rëndësishmja “Visare të letërsisë shqipe” (VLSH), që do të përfshijë veprën e plotë ose të zgjedhur të mbi 40 autorëve më të rëndësishëm të letërsisë së traditës.
Kjo kolanë ka filluar me botimin e veprës së plotë të Naim Frashërit (6 vëllime), dhe është ndjekur nga botimi i veprës së plotë të Andon Zako Çajupit, Pashko Vasa, Jul Variboba, Filip Shiroka, Gavril Dara i Ri. Shumë prej autorëve më të njohur bashkëkohorë të letërsisë së huaj kanë ardhur në shqip të botuar prej botimeve “Toena”: André Gide, André Malraux, J. M. G. Le Clezio, Marc Levy, Eric Emmanuel Schmitt, Tahar Ben Jelloun, Veronique Ovaldé, Marie Ndiaye, Roberto Bolaño, Alberto Bevilacqua, Albreto Moravia, Carmine Abate, Raffaele Nigro, James Patterson, Christine Southerland etj. janë disa prej tyre. Paulo Coelho, shkrimtari brazilian që ka thyer rekordet botërore të përkthimit, publikimit dhe shitjes i ka dhënë, gjithashtu, “Toena-s” ekskluzivitetin në gjuhën shqipe.
Po ashtu, autorët e huaj klasikë, që nga letërsia greko-romake e deri te Shekspiri, Gëte, Tolstoi. Përfaqësuesit më të shquar të romantizmit, realizmit kritik etj., zënë vend të dukshëm në listën e gjatë të autorëve të botuar gjatë 27 vjetëve.
Në botimet për fëmijë “Toena” sot është zotëruese e fushës me rreth 60 tituj të botuar në vit. Emrat më të njohur të letërsisë shqipe për fëmijë, si Odhise Grillo, Gaqo Bushaka, Tasim Gjokutaj, Bardhyl Xhama, Bedri Dedja, Skënder Hasko, Ferhat Çakërri, Dionis Bubani, Bekim Gaçe etj. do t’i gjeni gjithmonë në katalogët e kësaj shtëpie botuese.
Nga përkthyesit më të njohur të gjuhës shqipe kanë bashkëpunuar e bashkëpunojnë me Sh. B. “Toena” emra të tillë si Shpëtim Çuçka, Henrik Lacaj, Robert Shvarc, Vedat Kokona, Perikli Jorgoni, Nonda Varfi, Durim Taçe, Nasi Lera, Xhevat Lloshi, Gëzim Qëndro etj., të cilët kanë sjellë në shqip me siglën e “Toena”-s me dhjetëra e dhjetëra vepra të rëndësishme nga letërsia e huaj klasike dhe ajo bashkëkohore.
Prej vitesh “Toena” boton periodikun “Universi Shqiptar i Librit - Autori, Libri, Kritika”, revistë e përdymuajshme për botimet shqiptare me synim informimin dhe ngjalljen e kritikës letrare, si dhe të buletinit informativ “Botimet Toena”, për librat e reja që nxjerr kjo shtëpi botuese çdo tre muaj.
Shtëpia Botuese “Toena” ka shtypshkronjën e saj të nivelit bashkëkohor, një nga më të mëdhatë dhe më të kompletuarat në vend, me përgatitje të kompjuterizuar dhe me të gjitha proceset e mekanizuara, me kapacitet rreth 160 000 fletë tipografike në orë.
Që nga dita e krijimit të saj, Shtëpia Botuese “Toena” merr pjesë rregullisht në shumë panaire ndërkombëtare të librit, si në Frankfurt, Gjenevë, Bolonjë, Torino, Paris, Bruksel, Goteborg, Selanik, Sofje, Shkup etj., duke bërë kështu promovimin e autorëve shqiptarë në botë, si edhe shpërndarjen e veprave të tyre kudo që ka shqiptarë.
Shtëpia Botuese “Toena” është pjesëmarrëse e përhershme në të gjitha veprimtaritë që zhvillohen për librin në Shqipëri dhe trojet e tjera shqiptare. Presidenti i saj i nderit, z. Fatmir Toçi, me cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, ka qenë një nga organizatorët kryesorë të panaireve panshqiptare të librit si në Tiranë (nëntor), Vlorë (korrik), Sarandë (gusht), Ulqin (korrik), disa prej qyteteve më të mëdha të Shqipërisë e Kosovës, etj.