Përvoja e përkthimi
të romanit “Gërsheti” është së pari një përvojë leximi. Thuhet që përkthyesi është
lexuesi më i mirë i veprës që përkthen, ai familjarizohet me tekstin, i rri
pranë për njëfarë kohe, i njeh pikat e forta dhe të dobëta. Kështu ishte kur
lexova dhe propozova për përkthim
romanin “Gërsheti” të autores Laetitia Colombani. Në gjuhën e botimeve, ky libër
është një bestseller, i përkthyer në të gjithë botën. Paradoksalisht,
kam një si lloj mosbesimi ndaj librave që bëjnë kaq shumë bujë, pa i lexuar
mendoj se nuk kanë kushedi ç’vlerë, është thjesht efekt marketingu etj. Përpiqem
të gjej ndonjë perlë të rrallë, më pak të ekspozuar, por që meriton vëmendjen e
lexuesit. Kështu që me kokëfortësi rezistova pa e lexuar. Por në një nga ato të
dielat kur nuk të bëhet asgjë, më shkoi mendja dhe e fillova ta lexoja,
sigurisht pa e ulur nivelin e vigjilencës dhe mosbesimit. Por tani mund ta
pohoj se ky libër ishte një befasi e këndshme. Pa pretenduar të jetë kryevepër
letërsie, ai të bën për vete me mënyrën e përkorë që ka zgjedhur autorja për të
trajtuar personazhet, pastaj në një plan të dytë me historitë që ajo rrëfen në
lidhje me ta. Kur lexoj një libër, përpiqem të ndiej stilin e shkrimtarit ose
shkrimtares, nëse më sjell një atmosferë tjetër apo më krijon një gjendje të
caktuar shpirtërore. Kurse intriga apo ngjarja për mua është dytësore. Te
romani “Gërsheti”, të gjitha këto elemente janë dozuar në masën e duhur, stili është
mjaft fluid, ka ritëm, ka emocion gjithashtu. M’u duk gjetje e bukur lidhja që
krijon shkrimtarja me tri personazhet gra, nga tri kontinente të ndryshme, dhe
që ajo i ka përshkruar si luftëtare, secila në llogoren e saj. Nuk mund të mos
ndiesh frymëzim dhe dëshirë për ta ndarë këtë libër me sa më shumë lexues, për
t’i përfshirë edhe ata në këtë ndërthurje të bukur të fateve të tri grave. Ato
përballen me fatin e tyre, me brishtësinë e ekzistencës dhe refuzojnë të pësojnë
fatalitetin që jeta do t’u imponojë. Ato vendosin të thonë “Jo” dhe kjo iu jep
energjinë që u duhet për të ecur përpara.
Autorja do të
thotë se pak rëndësi ka vendi ku ndodhet, gruaja shpesh detyrohet të pranojë
situata që i imponohen kur i refuzohet mundësia për të ëndërruar. Edhe pse
romani i parë i autores, ai vjen fuqishëm,
sepse e tillë është fuqia e imagjinatës dhe fatet që ndërlidhen. Puna e përkthimit u lehtësua nga thjeshtësia
e të shkruarit, saktësia dhe fluiditeti nëpër rreshta. Humanizmi që përshkon
historitë e tri personazheve është universal, dhe si i tillë qëndron pa mundim
në gjuhë të ndryshme të botës.