“TILI” - VALLËZIM LETRAR MBI TEL

Njohja me Daniel Kehlmann, autorin e “Tilit”

Ishte qershori i vitit 2015; atë muaj të bukur gjendesha në rezidencën e shkrimtarëve dhe përkthyesve LCB në Berlin. Përveç punës individuale dhe krejt në izolim, në ato ambiente të denja pune, siç i kanë hije letërsisë së sërës, kisha fatin të ndiqja pasditeve aktivitet e rëndësishme letrare që organizonte Kolegjiumi i Letrarëve të Berlinit. Ishte data 30 qershor dhe po shijoja orët e fundit në Berlin. Atë pasdite në open air, buzë liqenit në Wannsee, së bashku me shkrimtarin amerikan Teju Cole, rezident edhe ai në LCB, do të zhvillohej një takim me shkrimtarin Daniel Kehlmann, i njohur dhe i përkthyer në atë kohë thuajse në të gjithë botën për librin e tij “Matja e botës”. E gjithë lëndina e bukur dhe shumë e madhe mbi liqen u mbush plot me adhurues të letërsisë së Kehlmann-it, me lexues dhe adhurues të letërsisë në përgjithësi. Isha e magjepsur. Për mua që vija nga një vend si Shqipëria, ishte çudi e madhe, si mund të mblidheshin aq shumë njerëz në një shesh a park, pa qenë tubim politik; vetëm për letërsinë disa qindra e qindra vetë, madje edhe të paguanin biletën e hyrjes? M’u duk se deri atëherë s’kisha parë njerëz më të bukur. U ulën si mundën, ca mbi stola e ca mbi bar. Në duar kishin të gjithë libra të autorit, të cilët prisnin autografin në fund të takimit. Autori s’ishte atë qershor më shumë se 40 vjet, ishte i ri, ishte i famshëm dhe njëkohësisht shumë mbresëlënës për modestinë para lexuesve të vet. Romani “Tili” nuk ishte shkruar ende. “Tili” lindi në 2017-n. Po përktheja aso kohe nobelisten Herta Müller dhe s’kisha pse të mos e mendoja veten përkthyese të këtij autori të ri e të talentuar të gjuhës gjermane, që po magjepste gjithë botën me romanet e tij. Madje edhe të rinjtë. Madje, ata më tepër.
 
Si jetova me “Tilin”, kur bota u mbyll
 
Pastaj erdhi viti 2020. Shtëpia botuese “Toena” vendosi ta bënte “Tilin” të njohur për lexuesin shqiptar pikërisht përmes përkthimit tim. Tili, gaztori, akrobati, zhongleri, magjistari, kishte dy vjet që vallëzonte tashmë nëpër botë mbi litarin e tij prej ekuilibristi. Në 2020-n, madje ishte në vitin e tij më të suksesshëm të vallëzimit letrar, pasi atë fillimviti ai libër u shpall si një nga më të mirët, pjesë e listës së shkurtër për çmimin e madh letrar “International Booker Prize 2020”, njëkohësisht bestseller nga “Spiegel”. Isha shumë e lumtur që magjistari Til do të fliste shqip. E dija, po ashtu, se nuk ishte shumë e lehtë. Libri ishte voluminoz. Në faqet e tij kalonte lufta 30-vjeçare mes katolikëve dhe protestantëve në shekullin e 17-të, jo vetëm në Gjermani, por në të gjithë Europën Qendrore; ai realiteti historik përcillej edhe përmes shumë personazheve të rëndësishme të historisë së asaj kohe, për të cilët duhet të lexoja unë shumë, që të mos mërzitej lexuesi më pas.
Çdo punë e tillë kërkon izolimin e përkthyesit nga realiteti për t’u futur i plotë në realitetin e veprës. Por rasti i përkthimit të “Tillit” do të ngelet unik besoj në të gjithë përvojën time si përkthyese, në atë që ka shkuar dhe në atë që do të vijë. Të tillë izolim besoj se askush nuk e kish provuar asnjëherë. Nga data 10 mars, dita kur filloi përkthimi, dhe deri ditën kur mbaroi, këmbët e mia nuk bënë asnjë hap fizik jashtë dere, por vallëzonin edhe ato mbi litarin letrar të Tilit. Izolimi total i gjithë botës prej pandemisë, bëri që të zhytem më thellë brenda realitetit të personazheve, që fati i kishte ndëshkuar edhe ata të jetonin përmes dramave më të mëdha, që historia u ka hedhur përjetësisht mbi shpinë njerëzve të saj: luftëra, persekutime, gjyqe të inskenuara, inkuizicion, pamundësi për t’u mbrojtur, malarie dhe epidemi të tjera; uri, deformimin psikologjik, dhunimin, përçmimin, mashtrimin. Dhe ashtu faqe pas faqeje, i thosha vetes se duhet të mos dorëzohesha as unë brenda shtjellës së të keqes së madhe që na pllakosi, dhe të atyre të këqijave që paskëshin qenë gjithmonë aty në historinë e njerëzimit: jo, jo tani, mos u dorëzo, sa të mbarosh edhe faqen e fundit.
 
Si ndodh ta duash dikë që s’e beson?
 
Mos i beso këtij tregimtari, më thërriste së brendshmi edhe mua zëri që shungullonte brenda faqeve të librit. Po, po, mos i beso Tilit, figurës emblematike, që paraqiti një realitet të tërë historik, siç ia deshi qejfi. Po unë e ndiqja shqip gjuhën e tij, të fjalëve dhe të trupit, e ndiqja si në jerm, ashtu siç ndiqet në fakt vetëm një magjistar. Tili luante me historinë, me realitetin, me të vërtetën, luante me të gjithë; luante edhe me mua. Por, loja është aq argëtuese, aq e zgjuar dhe tërheqëse, saqë do të pëlqeni edhe ju të mashtroheni, ashtu siç më pëlqeu edhe mua të mashtrohem nga faqja e parë gjer në të fundit. A na mërzit historia brenda faqeve të romanit? Autori ynë e lë mjeshtërisht kuadrin historik të paprekur. Ai vërtet përshkruan disa ngjarje kryesore të historisë; aty njerëzit më të shquar të kohës, mbretër dhe mbretëresha, princër e princesha shfaqen personalisht; disa mizori të tyre na bëjnë të dridhemi, por ato nuk janë në qendër të vëmendjes. Aspak. Fokusi i këtij romani janë njerëzit e thjeshtë, thelbi i tyre, jeta e tyre e përditshme në një epokë, barrën e hidhur të së cilës ata e mbartin pa qenë në gjendje të shohin përmes kuptimit të saj, e lëre më të ndikojnë në të. Jemi ne, o miq, njerëzit e sotëm, treqind vjet më vonë; njësoj të pafuqishëm përballë ca forcave të çuditshme, që gjithkush mund t’u verë emrin që do. Thjesht kanë ndryshuar sipërfaqshëm rrethanat historike dhe shoqërore. Thelbi është i njëjtë.
 
Abstrakti - si fillim apo si fund

Qendra e këtij romanit është Tili, personazhi i titullit, tharmi letrar i Kehlmann-it fillon me të. Sigurisht që aludon te Til Eulenspiegel, figura mitologjike e njohur, mashtruesi i librit të famshëm popullor të vitit 1510. Ky Tili ynë është shumë i ndryshëm nga gaztori treqind vjet më i ri prej tij. Ky është një personalitet shumë më kompleks, ka një biografi të vërtetë, shndërrohet në një provokator dhe komentator cinik. Sipas krijuesit të tij, vetë Kehlmann-it, ai është një figurë “demoniake”. Terreni i shumimit është një botë që po copëtohet nga largimi prej Mesjetës së vazhdueshme në kohërat e pasigurta moderne. Themeli i stilit të Kehlmann-it në këtë libër është sintaksa rrjedhëse e pakomplikuar, fjalori i thjeshtë, por me shumë shtresa, zgjedhja e fjalëve me mençuri, në mënyrë që strukturimi i tyre të jetë i aftë për ta orientuar lexuesin drejt efektit. Trillimi dhe historia, fantazia, faktet dhe misteri, magjia dhe realiteti e bëjnë këtë libër të pangjashëm me askënd që kemi lexuar deri më tash. Përshkrimet e gjalla ndjesore dhe zbavitëse, ironia e lehtë, e pazakontë dhe humori, sidomos kur gjërat bëhen shumë serioze, sigurojnë lehtësi e kënaqësi leximi dhe tërheqje estetike të padiskutueshme, që të ngelet gjatë në kujtesë. Shumë gjatë.


Shpërndaje