Shporta juaj është bosh
Nëse liria është
një konstrukt biologjik apo shoqëror, filozofia, si maja e arsyes njerëzore, ka
provuar t’i japë përgjigje, duke u sjellë me të si me një lavjerrës që herë anon
nga njëra anë, e herë nga tjetra. Pra, liria lind para vetëdijes apo vetëdija
lind për hir të lirisë? Zoti e krijoi njeriun të lirë, por lirinë ia kufizoi
kur i tha çfarë nuk mund të bënte. Dhe njeriu u prirë drejt saj, sepse tundimi
për ta shijuar të palejueshmen e ngacmoi e vazhdon ta ngacmojë akoma edhe sot.
Kështu, bota eci përpara. Kështu, bota ecën përpara. Por kjo është vetëm njëra
fytyrë e lirisë, ajo e dukshmja, ajo përballë së cilës ndriçon dielli. Tjetra,
të cilën për ta parë duhet të vendosësh syzet e shpresës e të solidaritetit,
tregohet aq mirë në romanin “Gërsheti” të autores Laetitia Colombani, botuar në
shqip nga “Toena” nën përkthimin e Blerta Hyskës. Janë tri gra, në tre
realitete të ndryshme, në tre kontinente të largët njëri prej tjetrit, me tre
formime që nuk ngjajnë kurrkund. E çfarë i bashkon? Forca! Përballë kujt? Cenimit
të asaj që i identifikon. Pra, si rrallëherë, në të veçantën e secilës prej
tyre, gjendet e përbashkëta. Janë rrugë të ndryshme me destin të njëjtë. Jetët
e Smitës, Xhulias dhe Sarës i përgjigjen shumë mirë pyetjes që me jetën e saj
ngre Penelopa: A ishte ajo e lumtur kur priste Odisenë? Nëse jo, përse e bënte
për sa kohë kish’ lirinë e një tjetër zgjedhjeje? Sepse ajo e dinte që lumturia
nuk mund të ishte një çast, por një udhëtim. Shtrohet sërish një tjetër pyetje,
lumturia është udhëtimi apo pikëmbërritja? Dhe, edhe kësaj pyetjeje, jetët e
këtyre tri grave i japin përgjigje. I. Fëmijët e Zotit i quante Gandhi njerëzit
si Smita, ata që i përkisnin atij kasti pa të drejta. Prandaj, ajo në të
njëjtën kohë e përjeton si gëzim e befasi, lumturi e çudi ditën e parë të
shkollës së të bijës. Ajo për vete, asnjëherë, asnjë ditë s’kish qenë në
shkollë. E bija s’duhet të kishte këtë fat dhe Smita është gati të bëjë çdo gjë
që ajo mos ta ketë këtë fat. Çdo gjë! Sepse, çfarë asaj i mungoi, gjithmonë
sheh një mënyrë ta realizojë te vajza e saj. Cili prind s’do të donte ta kishte
fëmijën të atillë që, identifikimi me të t’i ngjante më i këndshëm se çdo lloj
identifikimi tjetër? Pra, Smita sheh realizimin e saj, si të thuash, fundin e
lumtur të një jete krejt të palumtur. Por, në një kontekst shtypës, shterues e
dërrmues, mundet që një fund i tillë të realizohet? Jo! Dhe kjo është pika më e
lartë e asaj piramide kokëposhtë të fatit, fatkeqësia e saj më e madhe. Edhe
përballë saj, Smita pranon të luftojë. Ka kaluar një jetë pranuese, në
pasivitet e tani është në prag të diçkaje tjetër të panjohur për të: në prag të
zgjedhjes! Ajo e bën zgjedhjen e saj: për lirinë e së bijës, që është edhe e
saja, sidomos e saja, është gati të luftojë sa e si të mundet. Sepse, sikurse
pak kujt ia merr mendja, lumturia e saj gjendet edhe te lufta, pasi jeta, porsi
një puzzle me atë copën në qendër që mungon, i ka kaluar e gjymtë. A i
arratisesh dot fatit? Sigurisht që po! II. Xhulia, si një siçiliane tipike,
vazhdon traditën e familjes. Por gjithçka përmbyset, ngadalë në fillim, e
mandej thuajse brenda një çasti. Babai i saj, tejet krenar për punishten e
famshme të parukeve, pëson një aksident të rëndë. Ama, për Xhulian, tragjedia
bëhet pak më e lehtë, pasi ato ditë njeh dashurinë e saj. E kjo, që duhet të
ishte pika e ngritjes, përputhet me pikën më dramatike të rënies: biznesi po i
falimentonte. E dëshpëruar, sikurse gjithë të dëshpëruarit, i drejtohet diçkaje
më të lartë, Zotit, jo pse kishte besim, por nuk gjente tjetër rrugëdalje. Në
dashurinë e saj të re e cila pat’ zënë fill pak ditë më parë, u gjet shpëtimi i
saj dhe i të gjithëve. Sikurse rrëfimtarja thotë, Zoti ia dëgjoi lutjet! III.
Sara, grua kanadeze për të cilën shoqëria s’do ta kursente epitetin “e
realizuar” përballet me një sëmundje të papritur, të rëndë e tejet sfilitëse.
Çfarë do të bëjë ajo me këtë fat që i ra për pjesë? Ta mbulojë, njëlloj si
kokën tullace me kapuç e kështu të pretendojë se sëmundja nuk ekziston? E bën
për disa kohë, por e sheh se nuk është e plotë. Atëherë? Vendos të ndjek
mësimet e Viktor Franklit, t’i japë kuptim vuajtjes. E pranon, e veç atëherë
gjendet përballë saj, e lirë për të pranuar edhe atë që i njëson këto histori:
flokët e dhuruara nga një grua indiane, përpunuar nga një tjetër siçiliane, për
t’u vënë në kokën e saj, kësaj gruaje kanadeze.
***
Për nga
kompozicioni, kemi një qasje të re e cila nuk anon nga postmodernizmi, çka mund
ta bënte tekstin të shihej me dyshim, por nga ajo që është bashkëkohore, që i
përgjigjet modeleve të ditëve tona. Prologu, i shkruar në vargje, paraqet një
tjetër element që të tria këto histori i bashkon në një histori të vetme.
Autorja, duke u identifikuar me unin e paraqitur këtu, lëshon një fill i cili,
jo vetëm orienton lexuesin për dekriptimin e asaj çka gjendet në faqet në
vijim, por flet edhe për procesin e saj krijues: I dua këto orë vetmitare, kur
duart e mia vallëzojnë. Balet i çuditshëm i gishtave të mi. Ata shkruajnë një
histori gërsheti dhe thurjeje. Kjo histori është imja. E megjithatë, nuk më
përket mua. Të tria historitë ndërthuren tek enden në kohë, jo atë natyralen e
racionalen, por në atë që i përgjigjet momenteve të njëjta. Mund ta imagjinojmë
strukturën e secilës histori si një piramidë me shkallë, njëra nga ato ka
hapësirë pak më të madhe mes tyre sesa tjetra, por në fund, kur pjesët e
ndryshme mbarojnë, ngjitja jonë ndalet në të njëjtën lartësi. Është Smita e
para që e prezanton gjendjen e saj, mandej shfaqet Xhulia e pas saj, Sara. Ky
rend ndiqet deri pranë faqeve të fundit, kur ndodh një e papritur: tanimë
densiteti i rrëfimit po ndryshon, Sara mund të presë. Po, por pas pritjes,
historia e saj duhet të vijë më e vrullshme, ndaj Xhulia mund të presë. Por Smita
jo, ajo nuk pret dot: ka pritur mjaft, tani duhet të veprojë. Asnjë moment i
saj nuk kapërcehet, s’ka më as kohë e as kuptim t’i rrëshqasin çastet mes
duarve që po vallëzojnë të autores. Poezia nuk i përket vetëm prologut, ajo zë
vend edhe në pjesët e treguara të historisë dhe tek epilogu. Është e vërtetë se
e gjithë vepra karakterizohet nga një lirizëm i cili manifestohet më dendur, në
trajtë më të qashtër, te vargjet, në dukje naivë, por në thellësi me peshë të
veçantë. E meqë e përmendëm lirizmin, më duhet të ndalem edhe te diçka tjetër:
paraqitja e kanonit femëror të letërsisë në vepër. Kritika feministe e një
vepre përqendrohet në “mënyrën se si letërsia përforcon ose minon shtypjen
ekonomike, politike, shoqërore dhe psikologjike të gruas” (Lois Tyson “Critical
Theory Today” 2006, fq. 83). Nga një e tillë pikëpamje, “Gërsheti” është një
vepër që vlen të shihet. Prandaj, në vijim, po ndalemi fare shkurt në një të
atillë zbërthim të të tre personazheve: Smita shfaq forcën e madhe përballë
deformimeve që synon t’i imponojë një shoqëri e cila e shtyp në dy mënyra, si
dali dhe si grua. Ajo ia del të mos e lejojë këtë, jo për vete, por për të
bijën e për rrjedhojë, kemi një vajzë dhe një grua që shpëtohen nga guximi për
të kërkuar lirinë, të drejtën që u mohohej pambarimisht. Pra, të katër shtypjet
e përmendura nga Tysoni lëshojnë rrënjë, por nuk ngrenë dot kërcell, pasi sapo
ai nxjerr kryet, këputet! Xhulian nuk e shtyp asgjë përveç realitetit me të
cilin po përballet aq drejtpërdrejt për të parën herë. Si vajzë, si seksi i
dytë (po të citojmë Bovuarin), kish’ për t’u rrëzuar, nuk do të mund t’ia dilte
dot. Por jo, pasi ajo do të jetë e lirë dhe, duke treguar se Bovuar ka të
drejtë kur thotë një grua e lirë është absolutisht e kundërta e një gruaje të
lehtë, ajo nuk rrëzohet, ama me ndihmë e besim, forcë e përkushtim ia del.
Sarën, nga suksesi e realizimi, një sëmundje, krejt papritur, e mvesh me
dyshime e pasiguri nga më të voglat, deri tek ekzistencialet. Përballë dyzimit
të treguar më lart: dëshpërimit apo luftës, ajo zgjedh luftën! Dhe pikërisht
kjo zgjedhje tregon për atë forcë, nën dritën e secilës çdo shtypje e dhunë,
pabarazi e pandershmëri ridimensionohet si kalimtare kur lidhet me jetën e çdo
gruaje a vajze. “Gërsheti” ka llojshmëri leximesh. I pari lidhet me atë të
shijimit estetik çka rri në themelin e çdo vepre të mirë, i dyti me leximin
porsi një manifest i lirisë, dhe i treti si manifest i letërsisë feministe.
Prandaj, besoj se këtij libri, në secilin lexim i del një tjetër dekriptim. Në
fund të fundit, të tillë janë librat që të mbeten në zemër: si lexues, bëhesh
pjesë e tij!