Shporta juaj është bosh
Përpjekja në të shkruarin e një vepre në letërsi bëhet e bukur kur përballë vetes ke një gjetje. Një të tillë ka pasur autorja Laetita Colombani, që ka ditur ta përcjellë këndshëm përmes një thjeshtësie çarmatosëse për lexuesin, gati një triptik brenda një gjinie. Nga ana tjetër, TOENA, në kuadër të projektit “Europa krijuese” nuk ka hezituar ta ketë si pjesë të vetën, mbase dhe për një arsye disi përkonjëse: i gjithë stafi është pothuaj femëror. Përkthyesja Blerta Hyska ka ditur që të sjellë një libër të mirë dhe kjo falë dhe të gjithë ekipit redaktues, që e bën “Gërshetin” e Colombanit të dashur dhe mbi të gjitha tejet kërshërues.
Autorja me këtë libër bashkëkohor sjell fatin e vështirë të gruas së sotme në shoqëri të ndryshme, por të gjitha bashkë në rrjetin cinik të globalizmit. G-7, G-20 dhe më shumë organizata nuk janë më koncepte ekonomiko-politikë por edhe instrumente që vendosin për fate e jetë ngado, qoftë dhe të panjohura me njëra-tjetrën. E tillë është jeta e tre grave, njëra që mbijeton në Indi; një tjetër e cila stërlufton në Itali të mbajë një biznes gati shekullor dhe një tjetër syresh, me mundësi të mëdha, që përballet me të pamundurën në Kanada. Përballë, jeta e pashpirt e kohës sonë, e mbushur me cinizëm që e kërkon zgjidhjen aty-për-aty dhe që nuk e fal femrën.
Autorja e zgjidh me një narracion interesant, ku në formën e gërshetit tre histori fillojnë nga India, ku nënë Smita në kategorinë e grave të padëshiruara ose të paprekshme dhe pa identitet është e detyruar që vetëm të pastrojë nevojtoret e sajuara të bashkëvendësve, e teksa është në kategorinë shoqërore më të përbuzur në shoqëri lufton deri në fund që vajza e saj Lalita të shkollohet. Duhet t’i iki një jete, që nuk i takon një qenie humane, ndaj bën një aventurë duke ikur. Po ta kapin e pret gjykimi i pamëshirë dhe deri ekzekutimi. Shumë larg në pjesën tjetër Xhulia punon në një biznes flokësh që përgatit i ati i saj Pietro, një biznes i vjetër dhe i rrallë por që ka mbajtur familjen deri më atëherë. E kur pas pak kohësh, primati i familjes, do të vdesë nga një aksident, Xhulia do mbulojë këtë biznes në një formë të veçantë, falë edhe një miku që e takon rastësisht. Bash ai parashikon një gjë të rrallë që të marrin flokë nga India. Mijëra kilometra më tutje, Sarah në një stad më të lartë shoqëror pret të bëhet drejtuese një biznesi të fuqishëm në Kanada. Askush nuk e mëdyshon, paçka se pengesat nuk i mungojnë. Ka çarë vetë rrugën e saj dhe shpreson të jetë drejtuese.
Kjo është fabula pak a shumë, porse lexuesi mund ta lexojë sipas mënyrës së vet. Colombani ka kulturë filmi dhe kjo duket nga mënyra sesi e përcjell narracionin, duke na treguar se jetojmë realisht në një botë globale, ndaj kemi disa kapituj të përmbledhur që kanë ndryshueshmëri varësisht grave. Narratori shkon nga veta e tretë dhe pastaj zbret tek një prolog dhe një epilog, ku rrëfimit i bashkohet zëri lirik në vetën e parë të një personazhi gruaje të katërt, duke u munduar që të jetë si një voice-over për historitë tona. Autorja e administron shumë lëndën dhe konfigurimin e veprës e ka gati kanonik dhe ndaj arrin që falë dhe punës së përkthyeses së përgatitur të dalin në pah saktësisht jo vetëm problemet me pabarazinë gjinore por edhe sesi në fund të fundit dhe klasat shoqërorë që përfaqësojnë këto femra kanë pika takimi në fate njerëzore, ku pothuaj s’lidhen fare.
“Sëmundjet përhapen si shkëndija në barut. Politikanët e dinë: ajo që kërkon populli, më shumë se reformat, më shumë se barazia sociale, madje më shumë se puna, janë tualetet. E drejta për të kryer nevojat me dinjitet. Nëpër fshatra gratë janë të detyruara të presin sa të bjerë nata për të shkuar në fusha, duke rrezikuar veten nga sulmet e ndryshme. Ata më me fat kanë sajuar një qoshe në oborr ose në fund të shtëpisë, një vrimë të thjeshtë, që e quajnë me turp “tualet i thatë”, nevojtore që gratë Dalit vijnë çdo mëngjes për ta zbrazur duke futur duart e tyre. Gra si Smita.
Dita e saj e punës fillon rreth orës shtatë. Smita merr shportën dhe fshesën prej kulmaku. Ajo e di se duhet të zbrazë njëzet shtëpi çdo ditë, nuk ka kohë për të humbur.. Ky është episodi i parë që lidhet me Indinë.
Dhe afrohemi fare afër Shqipërisë. Në Itali “Ka pothuaj një shekull që familja e saj nxjerr jetesën prej cascatura-s, traditë e vjetër siciliane e mbledhjes së flokëve që priten për t’i bërë parukë ose flokë të rremë. E themeluar në vitin 1926, nga stërgjyshi i Xhulias, punishtja Lanfredi është e fundit e këtij lloji në Palermo. Ajo numëron rreth dhjetë punëtore të specializuara, që shpleksin, lajnë dhe trajtojnë tufa flokësh, të cilat më pas dërgohen në Itali dhe në gjithë Europën. Ditën kur mbushi gjashtëmbëdhjetë vjeçe, Xhulia vendosi të lërë gjimnazin për të hyrë në punishten e të atit”.
Në Kanada situata është më prozaike : Sara çohet, bën dush, vishet. Gjestet e saj janë të sakta, efikase, të orkestruara si një simfoni ushtarake. Ajo zbret në kuzhinë, shtron tryezën për mëngjesin, gjithmonë në të njëjtën radhë: qumësht, tasa, lëng portokalli, kakao, kek për Hanën dhe Simonin, drithëra për Etanin, kafe dopio për veten. Pastaj shkon të zgjojë fëmijët, Hanën në fillim, pastaj binjakët. Rrobat e tyre i ka përgatitur Roni një natë më parë, ata vetëm duhet të lajnë fytyrën dhe t’i veshin, ndërsa Hana mbush lunchboxes-et, është një skemë që ecën, po aq shpejt sa edhe Berlina e Sarës në rrugët e qytetit, për t’i çuar në shkollë; Simoni dhe Etani në fillore, Hana në kolegj”.
Por historia nuk mbyllet lehtë në gërshetimin e vazhdueshëm të personazheve dhe ngjarjeve kupton sesa e vështirë është jeta për gjininë femërore, pavarësisht stadit në shoqëri. Sarah është në një pozitë të lartë si juriste dhe pret të jetë shefe e lartë, por përballë veç presionit, tashmë i shfaqet edhe kanceri. Xhulia i duhet të nisë nga fillimi atë që deri më atëherë e ka menduar se do ta menaxhonte me kujdes i ati. Por, jeta sa e bukur dhe idilike aq e papritur është me destinin dhe këtë Xhulia e përball me një kurajë të pashoqe por edhe me një ide për të mos hedhur poshtë një biznes, që i duket nuk është më shenjë e familjes por e gjithë shoqërisë së saj.
Smita e përbuzur bën atë që një grua e rangut të saj as nuk mund ta mendoj: të zhduket dhe të lerë një punë për të cilën nuk është se thjesht duhet ta bëjë, por është e detyruar nga destini i saj ta përmbushë. Dhe, mrekullia e autores është mënyra sesi i vendos sërish bashkë në fund, fatet e tyre: “Jashtë, është bota, jeta dhe fëmijët e saj. Ajo sot do të shkojë t’i marrë në shkollë. E përfytyron habinë e tyre – nuk i ka marrë kurrë, ose shumë rrallë. Hana me siguri do të preket. Binjakët do të vrapojnë drejt saj. Do t’i bëjnë komente për prerjen, për flokët e saj. Sara, atëherë, do t’ua shpjegojë. Do t’u tregojë për mandarinën, për punën e saj, për luftën që do të duhet ta kryejnë bashkë.
Duke u larguar nga salloni, Sara mendon për atë gruan në anën tjetër të botës, në Indi, që i ka dhënë flokët e saj, për punëtoret siciliane që i shpleksën me durim dhe i trajtuan. Për atë që i qepi bashkë. Atëherë ajo mendon se gjithë universi po punon për shërimin e saj. Ajo sjell në mend një thënie nga Talmudi: “Kush shpëton një jetë, shpëton gjithë botën”. Sot është gjithë bota që po shpëton Sarën, dhe ajo do të donte ta falënderonte”. Më mirë se Colombari nuk ka cili ta mbyllë këtë fabul të saj që në epilog ajo e për mbledh bukur të gjithën…