Shporta juaj është bosh
“Theodhosi i
Vogël” është një roman unik për të gjitha elementet që e karakterizojnë, duke
filluar me ngjarjet që zhvillohen në një hapësirë imagjinare, personazhet
tipike të një përralle moderne, e duke vazhduar më tej me simbolikat letrare
dhe stilin sa të natyrshëm, aq edhe kompleks të të shprehurit.
Titulli i romanit më
tingëlloi interesant dhe në të njëjtën kohë pata shumë kureshtje për
përmbajtjen e tij. Shumë shpejt zbulova një botë fantazie që metaforizon
realitetin. Autori e realizon këtë nëpërmjet atmosferës që krijon në rrugëtimin
e “heronjve”, mjeshtërisë në përshkrimin e situatave që të mbajnë pezull,
arkitekturës që shërben si skenë e konflikteve dhe e betejave.
Personazhet janë
simpatike, ekzotike dhe përfaqësojnë nivele të ndryshme kulturore, shpesh të
vështira për t’u deshifruar. Ndërsa historia përparon, shumëllojshmëria e
perceptimeve rritet, duke u bërë sfiduese, por edhe argëtuese për lexuesin. Ky
roman postmodern metafiksional ka një strukturë shumëplanëshe të sofistikuar,
me plot kuptime të fshehura, që evoluojnë në logjikën e letërsisë fantastike. Përshkrimet
epike kalojnë në dialogë delikatë dhe përçojnë strategji të zgjuara në skena të
përgjakshme lufte, aleanca befasuese dhe tradhti. Të gjitha këto preken herë
pas here nga nuanca humori, histori dashurie, trilleri, fantazie, por edhe
shumë ndodhi ndërtekstuale, nga më të dukshmet, deri tek ato më të koduarat dhe
të rafinuarat.
Ndodhitë dhe
aventurat nën petkun e metaforës e bënë mjaft interaktive punën time si
përkthyese dhe kam mbetur me mbresa shumë të bukura. Pa dyshim, një arsye më
tepër është edhe zinxhiri i simboleve që të japin mundësinë dhe lirinë për perceptime
dhe analiza shumëdimensionale të këtij romani impresionues.
Sa herë pyetem se
çfarë vështirësie kam hasur gjatë përkthimit, di të them se për mua çdo roman
ka specifikat e tij dhe teknikat e përkthimit duhet të jenë në përputhje me to.
Nuk e shoh asnjëherë si vështirësi punën që bëj. E shoh si një projekt të
rëndësishëm dhe plot vlera, të cilit i përkushtohem për ta sjellë sa më bukur
në gjuhën tonë të vyer.