Shporta juaj është bosh
Autorin bullgar Kalin Terzijskin e kam njohur nga
emisionet televizive dhe intervista të ndryshme në median e shkruar. Cilësohet
si një nga shkrimtarët më provokues, larg klisheve dhe standardeve letrare.
Takimi i parë me letërsinë e tij ishte vëllimi me tregime “A ka njeri që ju
do?”. Aty gjeta shkrimtarin bohem, që hoqi dorë nga mjekësia dhe nisi të
shkruajë për njeriun, jetën, vdekjen, dualitetin njerëzor, duke pasur
eksperiencën si mjek psikiatër. Që në kontaktin e parë me autorin pata përshtypjen
se ai shkruan në mënyrë gazetareske, pastaj e kuptova se letërsia e tij është
larg skemave, metaforave, madje edhe kanoneve të shkrimit, të cilat
konsiderohen të detyrueshme. Dhe nuk pata gabuar.
“Për mendimin tim, të shkruash sot me klishe dhe
standarde letrare - të përçosh mendime, koncepte, si pohime të asaj që thuhet -
është një letërsi ose për frikacakët, ose për përtacët e të marrët. Dikush është ose budalla dhe nuk mund të
mendojë për asgjë të re, ose është frikacak dhe ndihet rehat duke vozitur në
një mënyrë rutinë të modës së vjetër.” - shprehet Terzijski.
Gjëja më e çuditshme është se ky libër lexohet shpejt dhe me intensitet. Autori ka zhdërvjelltësinë e rrëfimtarit të të marrë për dore e të të çojë nga “Mbledhësi i vlerave” te “Lypësi”, ndërsa dyshon dhe lëkundet e ti humbet te “Njëra nga dy rrugët”, apo “Shëtitje në kohë” e pastaj tensionohesh nga “Triptik Krishtlindjesh” e zhytesh thellë në një “Ngjarje me kollare” dhe nuk di si të përfundosh tregimin “Portokalli, pothuajse kafe”. Lexuesi mban në duar vetëm 190 faqe që kalojnë njëra pas tjetrës, ndërsa truri merr mesazhe, mendon, përjeton, kujton dhe identifikon. Sepse këtu është jeta jonë. Sidomos në tregimin e fundit - për jetën e Anton K.-së “Për lodhjen e të menduarit”. Për lodhjen e dashurisë. Për lodhjen e vetë jetës. Dhe kështu përjetohet ndjesia gjatë gjithë librit deri në faqen e fundit, ndërsa jam e sigurt se ju do të ngriheni nga qoshku i leximit, do të shkoni tek i dashuri juaj dhe do t’i thoni “Të dua!”, sepse jeta e tij është edhe e juaja! Ky është leximi i një libri të mirë, kjo është letërsia pa asnjë truk, ajo që të shtyn të mendosh për veten, tjetrin, të ngjashmin dhe të ndryshmin me ty.
Njeriu është i gjithi dialektik - i përbërë nga të
kundërtat që luftojnë te qenia njerëzore - ku shpesh dominohen nga zilia, e
keqja, egërsia, instinkti. Por, sado e çuditshme të na duket, te njeriu
është ngulitur thellë edhe kjo aftësi për “dhembshuri, dashuri e mirësi”.
Terzijski na kujton se shoqëritë e sotme njerëzore nuk kujdesen për këto
ndjesi, nuk i zhvillojnë, as nuk i vërejnë. Ndërsa ato janë pjesë e ndjenjës
sonë fisnike dhe të rrënjosura thellë te komuniteti, baza e krenarisë sonë për
racën njerëzore në përgjithësi, për faktin se i përkasim racës njerëzore!
Këto tregime janë një rrëfim për lexuesin dhe tregojnë një
shkrimtar vërtet të talentuar bullgar, i mbështjellë në mjegullën e alkoolit,
në kërkim të vetvetes. Këto histori janë një duel i vërtetë mes jetës dhe
vdekjes, rinisë dhe plakjes, kohës që ikën e nuk mund të kthehet më, babait e
bijës, nënës e birit, janë histori në një botë ku çmenduria nuk mund të
kornizohet dhe të varet në një vend të caktuar. Një botë ku vërtet pyet veten:
“A ka njeri që ju do?”.
“Tani është koha e qenve dhe letërsia është vetëm një nga
zanatet e shumta gri për të nxjerrë bukën e gojës. Poetët në kohën e qenve
dëshirojnë të bëhen kafshë shtëpiake të klientëve të tyre, njohës të ndryshëm
të artit bashkëkohor. Ose siç i quaj unë - bastardë memecë me para. Në kohën e
qenve, shkrimtarët shkruajnë vetëm gjëra që janë të orientuara nga tregu. Dhe
me shijet e konsumatorëve jashtëzakonisht të sigurt në vetvete, që janë e
mbeten analfabetë. Jam përpjekur të shkruaj diçka krejtësisht jokomerciale, në
kundërshtim me askënd dhe asgjë. Përveç mendimeve dhe ndjenjave të mia. Dhe unë
mendoj se nëse dikush është mjaft i sjellshëm për të më pranuar mua, Kalin
Terzijskin si person, ai do ta pranojë edhe
librin ‘tim’.”