DHE DASHURIA GJITHASHTU

Një nga parimet e mia për përzgjedhjen e veprave për përkthim është që lexuesit shqiptar (në këtë rast), ose lexuesve të tjerë në gjuhët në të cilat përkthej, t’iu ofroj autorë dhe vepra sa më përfaqësuese të një kulture tjetër. Në këtë mënyrë, sipas meje, u bëhet “nder” të dyja kulturave, asaj të origjinalit të veprës - që  ta prezantoj më të mirën e saj - por edhe kulturës, gjegjësisht gjuhës së përkthimit, për ta pasuruar atë me një vepër sa më të mirë. I tillë ka qenë edhe rasti me përzgjedhjen e kësaj vepre.

Autori Drago Jançar është ndër krijuesit më të mirë sllovenë dhe jo vetëm, që është paraqitur në dekadat e fundit në letërsinë europiane. Është laureat i shumë çmimeve europiane për romanet e tij. Të tri romanet e përkthyera nga unë në shqip kanë fituar çmimet më të larta letrare europiane.

Në fakt, autorin Drago Jançar ia kam prezantuar edhe më parë lexuesit shqiptar. Në vitin 2014 shtëpia botuese “Toena” botoi romanin e tij “Druri pa emër”, ndërsa shtëpia botuese “Dituria”, në vitin 2019 botoi romanin “Atë natë e pashë”. Romani “Dhe dashuria gjithashtu”, që e keni në dorë, është përkthimi i romanit të tretë të këtij autori në gjuhën shqipe. Gjithashtu, ai është prezantuar me dramën “Valsi i madh brilant” në Antologjinë e dramës sllovene, që e botoi Qendra Multimedia Prishtinë, 2021, por edhe me disa tregime në antologji dhe revista të ndryshme që botohen në Shqipëri dhe Kosovë.

Secilën nga këto vepra e karakterizon një mjeshtri e rrallë e narracionit, stil interesant i të shkruarit dhe secila për vete është një sfidë e posaçme për përkthyesin. Në romanin e fundit “Dhe dashuria gjithashtu”, autori i përqaset Luftës së Dytë Botërore në territorin slloven, veçanërisht në Maribor, të cilin në fillim të luftës e vizitoi edhe vetë Hitleri (më 26 prill 1941), i cili në fjalimin e tij urdhëron: “Ma bëni këtë qytet përsëri gjerman, ashtu si ka qenë!”. Andaj nuk çudit as fakti që vetë autori, me qëllim, përdor edhe shprehje gjermane (të papërkthyera në sllovenisht), që edhe në versionin shqip mbeten të tilla.

Një sfidë që kam vazhdimisht gjatë përkthimit të veprave të autorëve sllovenë, edhe të Drago Jançarit, dhe e cila është gjithmonë objekt i ndërhyrjes së korrektorëve gjuhësorë (veçanërisht të atyre në Shqipëri!) është shkrimi i emrit të kryeqytetit të Sllovenisë, Lublanë-a (në origjinal Ljubljana), të cilin hartuesit e drejtshkrimit e kanë marrë sipas versionit italian Lubjanë-a, kundër parimit të vetë drejtshkrimit, që “Sipas rregullores së drejtshkrimit të gjuhës shqipe (§37) ‘Shkrimi i emrave të përveçëm të huaj mbështetet përgjithësisht në shqiptimin e tyre në gjuhët përkatëse, duke iu përshtatur sistemit grafik të shqipes’”. Për mua, si përkthyes i drejtpërdrejtë nga sllovenishtja, dhe si autor i “Fjalorit sllovenisht-shqip dhe shqip sllovenisht”, të vetmit deri më tani, kjo është e papranueshme dhe do të angazhohem gjithmonë të përdoret ai version (apo versioni origjinal).

Përndryshe, jam plotësisht i bindur se prezenca e veprave të Drago Jançarit në shqip është pasurim i mirëfilltë i letërsisë sonë me vlera të larta artistike.


Shpërndaje