Alberto Moravia

Alberto Moravia: shkrimtar, gazetar, eseist, reporter udhëtimesh dhe dramaturg italian.
Moravia konsiderohet si një prej romancierëve më të rëndësishëm të shekullit XX si në Itali ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, bazuar në temat kryesore të veprave të tij, të cilat realizojnë një hetim të imët e të kujdesshëm mbi seksualitetin, alienimin shoqëror dhe ekzistencializmin, nën frymën e Kafkës, Kamysë dhe Xhoisit.
Puna e tij nuk vërtitet vetëm rreth një zone të caktuar apo traditave italiane, por është seriozisht e angazhuar me përqasjen ndaj dinamikave kulturore e politike të një Europe të madhe.
Ai është më shumë se një autor italian, ai është autor europian, pasi shkrimet e tij përmbajnë tema si: Hiroshima, politikat ndaj Indisë dhe Revolucionit Kinez (tema të trajtuara në esetë e tij kritike).
Njëzet vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Moravia përfaqësoi për shumë vite me radhë, deri me vdekjen e tij, një shembull të shquar e të dallueshëm të një intelektuali të angazhuar, i cili luante rolin e mjeshtri të mendimit. Pikërisht në vazhdën e intelektualëve të angazhuar, si J. P. Sartre apo A. Gramsci dhe të shumë shkrimtarëve të tjerë të gjysmës së dytë të shek. XX. Moravia dha mendimin e tij të vyer në disa fusha, si letërsi, kritikë, kinematografi, politikë etj. Ai është ndoshta një nga shkrimtarët e paktë që patën një famë dhe një ndikim të fortë në bashkëkohësit e tij kur ishte gjallë. Por kjo famë e ky ndikim humbi më pas në një mënyrë mjaft të shpejtë me ndarjen e tij nga jeta.


Librat e autorit