Odhise Grillo
Odhise Grillo ka lindur më 21 mars 1932 në Vuno të Himarës. Ka mbaruar studimet e larta për gjuhë e letërsi shqipe dhe për gazetari në Universitetin e Tiranës. Përmbi dyzet vjet ka punuar në revistën Hosteni dhe në Shtëpinë Botuese Naim Frashëri. Është autor i 120 librave, në të gjitha gjinitë dhe llojet, prej të cilëve mbi 80 janë ribotuar deri në 10 herë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mali të Zi. Është nderuar me dhjetëra çmime kombëtare e ndërkombëtare dhe disa libra të tij janë përkthyer në greqisht, italisht, arabisht e maqedonisht, ndërsa pjesë nga krijimtaria e tij janë përkthyer edhe në gjermanisht, frëngjisht, holandisht. Pjesa më e madhe e botimeve të këtij shkrimtari i takon letërsisë për fëmijë. Ka qenë autor e bashkautor i librave shkollorë që prej 35 vjetësh, ka dhënë lëndën e letërsisë për fëmijë në Universitetin e Tiranës e të Elbasanit, ka redaktuar me qindra libra, ka përgatitur botime të zgjedhura të shkrimtarëve tanë më të njohur me parathënie, shënime, fjalorë etj. Shkrimtari aq i dashur për fëmijët, nuk ndodhet më midis nesh.