Pashko Vaso
Pashko Vasa, i njohur sidomos me emrin Vaso Pasha, është një ndër udhëheqësit më të hershëm e më të njohur të lëvizjes sonë kombëtare. Ai ka hyrë në historinë e Rilindjes si ideolog dhe si poet i saj. Lindi në Shkodër më 1825. Mësoi disa gjuhë të huaja si autodidakt dhe fitoi një kulturë shumë të gjerë për kohën. Rreth vitit 1847 shkoi në Itali dhe mori pjesë me armë në dorë në revolucionin e Venedikut kundër pushtimit austriak. U tregua trim dhe me aftësi ushtarake. Pas dështimit të kësaj lëvizjeje, P.Vasa u vendos në Stamboll. Në Turqi P. Vasa u ngrit në shkallën e lartë të hiearkisë shtetërore. Nga viti 1883 e deri sa vdiq, më 1892 në Bejrut, ishte guvernatori i përgjithshëm i Libanit.
Veprimtarinë letrare P. Vasa e zhvilloi kryesisht në vitet `50-`60 të shekullit XIX. Gjithë krijimtaria e tij lidhet ngushtë me atdheun, me historinë dhe lashtësinë e popullit shqiptar, me mbrojtjen e të drejtave të tij si komb.