Luigj Junçaj

Luigj Junçaj, ka lindur më 1956-n në fshatin Drume të Komunës së Tuzit në Mal të Zi. Shkollën fillore dhe të mesme i përfundoi në Tuz. Studimet i kreu në Universitetin e Zagrebit (Kroaci), në Fakultetin për Tregti të Jashtme/ndërkombëtare, ku mori titullin Ekonomist i Diplomuar (dipl.ecc). E ushtroi këtë profesion nga viti 1983 deri në vitin 1997. Fillimi i proceseve demokratike në vitet e para të ’90-s, e gjen të angazhuar në mjedisin politik të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe në vitin 1993 zgjidhet nënkryetar i Unionit Demokratik të Shqiptarëve. Në vitin 1997 kalon profesionalisht në politikë, së pari si deputet i UDSH-së, pastaj në vitin 1998-2001 si ministër për Mbrojtjen e të Drejtave të Pakicave, po ashtu si lider i UDSH-së. Në vitin 2001 u tërhoq nga politika dhe krijoi biznesin e tij privat. Nga fundi i vitit 2022 është pensionist. Luigj Junçaj është Ambasador për Paqe i Federatës për Paqe Universale dhe anëtar i Këshillit Shqiptar të Paqes. Paraqitet me një roman origjinal, jo si provë e një profesionisti të shkrimeve, por si përmbushës i porosisë “Rrno për me tregue!” Vetëbesimi i tij për të marrë penën i ngjan guximit të tij për të dalë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Mal të Zi, që Luigj Junçajt nuk i ka munguar asnjëherë.