Shporta juaj është bosh
Librat e autorit
Rexhep Hoti lindi në Krushë të Madhe më 12 janar 1964. Ka mbaruar studimet në Fakultetin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe si dhe studimet pasuniversitare në Universitetin e Prishtinës, drejtimi i Filologjisë. Hoti ka një biografi të pasur me angazhimet e tij në fushën e mediave, të studimeve, të artit dhe të publicistikës. Si student ka nxjerrë gazetën e parë universitare të shtypur, me titull “Fundamenti”.
Në fillim të viteve 90-të në Slloveni ishte lektor i revistës së njohur “Alternativa” e më pas edhe bashkëthemelues me Ukshin Hotin i revistës “Demokracia Autentike”. Pas vitit 2000, ka themeluar gazetën e përditshme “Infopress”, të përditshmen “Tribuna shqiptare”, të përditshmen “Sport”, revistën “IPmagazinë” etj. Hoti është autor i disa librave, i shumë punimeve shkencore si dhe pjesëmarrës në shumë seminare dhe konferenca ndërkombëtare. Librat e tij më të njohur janë: “Visore të shthurura”, “Nata e Kosovës”, “Tempulli i fjalës”, “Kosova përballë vetvetes”, “Pesha e konsensusit”, “Përzierje e trishtë”, “Gjenitë dhe drama e Kosovës”, “Flirti civil dhe ambasadori”, “Ndëshkimi i kujtimeve”, “Monologu i Prijësit” dhe “Vitet e fshehura”. Mbi krijimtarinë letrare të Rexhep Hotit kanë shkruar figurat kryesore të letërsisë shqipe nga Ismail Kadare e deri te Rexhep Qosja, Diana Çuli, Mimoza Ahmeti, Lisen Bashkurti, Brikena Ismajli, Anton Panchev etj. Romanet dhe poezitë e tij janë përkthyer në gjuhën italiane, bullgare, angleze, turke etj. Ka qenë këshilltar politik i kryeministrit të parë në Kosovën e pasluftës. Në kohën e IPVQ-së (Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes), ka hapur zyrën e parë të Qeverisë së Kosovës në UNMIK. Ishte njëri prej hartuesve të dokumentit “Standardet për Kosovën” dhe hartues i dokumentit “Strategjia e Bashkëpunimit Qeveri-UNMIK”. Më pas mbajti pozitat si koordinator i Zyrës Ndërlidhëse Qeveri-UNMIK, deputet i Kuvendit të Kosovës, drejtor i Akademisë Diplomatike Shqiptare, zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport etj. Është i martuar dhe ka tre fëmijë. Jeton në Prishtinë.
Libri u shtua në wishlist.