HuffPost Maroc: Nga ju erdhi ideja për këtë thriller
të çmendur?
Tahar
Ben Jelloun: Prej kohësh kam dashur të shkruaj një roman të papritur, diçka që
nuk ngjan me atë që shkruaj zakonisht dhe që përkon me shumë me temperamentin
tim të lehtë që ka nevojë për humorin. Problemi serioz i pagjumësisë, nga e
cila vuan një pjesë e madhe e njerëzimit është trajtuar kështu në një mënyrë të
çmendur. Do të duhej të qeshnim dhe ta konsideronim atë si një të keqe që bën
mirë.
HuffPost Maroc: Humori ju përshtatet shumë mirë.
Përse të mos e përdorim më shpesh?
Tahar
Ben Jelloun: Faleminderit që e keni vërejtur; në disa nga romanet e mia,
pikërisht te “Lumturia bashkëshortore”, ka gjithashtu edhe pak humor dhe
tallje.
HuffPost
Maroc: A vuani nga pagjumësia si personazhi juaj
kryesor?
Tahar
Ben Jelloun: Kam qenë për një kohë të gjatë një i pagjumë fatkeq. Kisha atë që
e quaj pagjumësi të thatë, domethënë, ku nuk mund të bëja asgjë të dobishme, të
lexoja ose të shkruaja, ose të shikoja një film. Kam vuajtur, sepse nuk pranoja
të merrja pilula gjumi, të cilat ishin të rrezikshme për shëndetin. Por borxhi
i gjumit është po aq i rrezikshëm sa mjekimi. Me kalimin e kohës dhe me moshën,
kam arritur ta zbus pagjumësinë dhe që nga botimi i romanit, fle më mirë.
HuffPost
Maroc: Cilat janë truket tuaja për ta luftuar atë?
Tahar
Ben Jelloun: Për të luftuar pagjumësinë, mbi të gjitha nuk duhet të nevrikosesh
ose të ngulmosh. Duhet të dredhosh, të pastrosh dhomën nga çdo gjë që mund ta
prishë gjumin, s’ka televizor, s’ka kompjuter, s’ka telefon, jo shumë gjëra.
Duhet të shkosh në shtrat vetëm kur e ndien se të thërret gjumi. Në fakt ky
është si një tren (kjo është arsyeja pse kapitulli i fundit mbizotërohet nga
prania e një treni); duhet ta marrësh në
kohën e duhur, kurrë më parë ose më pas.
HuffPost
Maroc: Përfundimisht a ju bezdis fakti që e kaloni pothuajse një të tretën e jetës suaj
duke fjetur?
Tahar
Ben Jelloun: Kur zbulojmë se një të tretën e jetës sonë e kalojmë në gjumë,
revoltohemi. Sa shumë kohë e humbur! Aty qëndron një nga origjinat e
pagjumësisë. Duhet ta pranojmë dhe të mos qahemi shumë.
HuffPost
Maroc: Rrëfimtari, megjithëse një skenarist dhe
“përshpejtues i vdekjes”, paraqet shumë ngjashmëri me ju…
Tahar
Ben Jelloun: Jo, rrëfimtari është i ndryshëm nga unë. Ai ndonjëherë është shumë
i zgjuar, kopuk, bëhet një vrasës inteligjent. Unë nuk vras dot një mizë. Në
këtë personazh vendos atë që unë nuk do të mund të jem kurrë ose të bëj kurrë.
Kjo është e veçanta e romancierëve.
HuffPost
Maroc: Në rrugë e sipër i fusni disa
thika fesë. A nuk keni frikë se bëni armiq?
Tahar
Ben Jelloun: Unë
nuk sulmoj kurrë fetë; denoncoj hipokritët që e përdorin fenë për nevojat e
tyre politike; përshkruaj metodat dhe veprimet e tyre të ulëta. Maroku është i
kërcënuar nga propaganda islamike, e cila nuk ka asnjë lidhje me Islamin.
Mësova se PJD ka krijuar 55,000 shoqata në vend! Është shifër e madhe. Me këtë,
ata do të bëjnë çfarë të dëshirojnë në zgjedhjet e ardhshme.
HuffPost
Maroc: Ju gjithashtu trajtoni temën e
seksualitetit dhe dëshirën mashkullore nisur nga një moshë në një mënyrë mjaft
të drejtpërdrejtë. Mos nuk keni filtër?
Tahar
Ben Jelloun: Flas
për seksualitetin drejtpërdrejt, sepse është pjesë e jetës dhe se në një roman,
të rrëfesh një histori dashurie dhe sensualiteti për mua është gjë normale. Ata
që më qortojnë për këtë janë shpesh hipokritë. Kur flas nga fundi i romanit për
seksualitetin e bankierit, i cili është mbi 90 vjeç, kjo është pjesë e
personazhit dhe e intrigës.
HuffPost
Maroc: Çlirimi seksual në Marok, është
trill apo realitet?
Tahar
Ben Jelloun: Në
Marok, çlirimi seksual është realitet, por nuk duhet të flasim për të apo ta
tregojmë. Mund të bëjmë gjithçka me kusht që ta bëjmë fshehurazi! Kjo është e
padenjë dhe idiote. Unë nuk jam as për ekzibicionizmin. Të jesh i turpshëm nuk
do të thotë të kesh turp për praktikat e tua. Ekziston një evolucion në
mendësitë falë rrjeteve sociale, por gjithsesi është i ndrojtur dhe jo aq i
sinqertë.
HuffPost
Maroc: Ky libër shtron gjithashtu edhe
çështjen e fundit të jetës, të sëmundjes, dinjitetit. A janë këto çështje që ju
shqetësojnë?
Tahar
Ben Jelloun: Në
këtë roman, të cilin e gjetët qesharak dhe të lehtë, unë me të vërtetë shtroj
problemin serioz të fundit të jetës dhe faktin e largimit me dinjitet; është e
vështirë të bësh debat për të; në Francë, eutanazia nuk lejohet. Në Marok,
pyetja as që shtrohet.
HuffPost
Maroc: Cili është qëndrimi juaj për
eutanazinë?
Tahar
Ben Jelloun: Vështirë
për ta përgjithësuar. Kur je i shëndetshëm dhe i lumtur, mund të flasësh për
të, por kur sëmundja dhe vdekja bëhen realitet, diskursi ndryshon. Kjo duhet të
qëndrojë në një nivel personal dhe gjithkush ia del mbanë me ankthet e tij.
Është e vështirë të vendosësh për të tjerët. Por ne mund të flasim për këtë.
HuffPost
Maroc: A ka një moral për ta ruajtur nga
ky trillim tragjikomik?
Tahar
Ben Jelloun: Asnjë
moral përveçse duhet të përgatisim largimin e saj, sepse pagjumësia është frika
nga vdekja.
HuffPost
Maroc: A janë netët e tua më të bukura se
ditët e tua?
Tahar
Ben Jelloun: Netët
e mia shpesh janë të mbushura me ëndrra të çuditshme; parapëlqej ditën, të
paktën dita nuk gënjen; nata vetëm më gënjen dhe më kërcënon! E dini se çfarë
më tha një mjek: të flesh, do të thotë të pranosh të biesh në vrimë, të pranosh
të vdesësh, të pranosh mundësinë e moszgjimit!