“Tetralogjia e kohëve”,
afresk monumental i jetës qipriote Nga Edona Marku 23.10.2019 Jorgos
Filipou Pieridhi, është një ndër figurat më të spikatura të letërsisë qipriote,
me një numër veprash të vlerësuara, prej të cilave më e njohura është
përmbledhja me tregime “Tetralogjia e kohëve”, e sjellë në shqip së fundmi prej
Shtëpisë Botuese Toena. Pika
kryesore e prozës së Pieridhit është pikërisht “Tetralogjia e kohëve”, e cila
përmban katër përmbledhje me tregime të shkurtra: Kohë të
qeta, Kohë të ashpra, Koha e të vetëkënaqurve (fatlumëve), Koha e sprovës, dhe
një shtojcë me tri tregime të pabotuara më parë. Çdo grup tregimesh të shkurtra
rreket të evokojë tema e çështje të ndryshme, ku përmes jetës së njerëzve të
thjeshtë nga sferat e ndryshme të saj dhe pozicioneve shoqërore në komunitetin
grek qipriot, ndërkallen periudha të ndryshme të historisë qipriote,gjendjet shpirtërore të popullit
qipriot, nën një ndjeshmëri çehoviane,
nga vitet kur ata ishin koloni britanike deri në gjendjen e tyre gjatë viteve
të fundit. Në rendin historik tregimet e shkurtra origjinale nuk u shkruan në
një sekuencë kronologjike, por u botuan si të tilla në “Tetralogjinë e kohëve”.
Madje edhe autori në parathënien e librit ndër të tjera thotë që: “Ngjarjet
tronditëse të periudhës 1955-1959 në Qipro, më nxitën - ashtu si nxitën dhe
krijues të tjerë - në përpjekjen për të përshkruar (me mënyrën time, natyrisht,
dhe nga këndvështrimi im shpirtëror dhe emocional) zhvillimet dhe klimën e asaj
periudhe. Ky dhe vetëm ky ishte qëllimi im atëherë”. Të
gjitha tregimet, të marra së bashku, sintetizojnë një afresk monumental të
jetës qipriote, ku autori skalit artistikisht gjuhën e tij pa e tepruar, në një
rrëfim me ton të ulët, i ndikuar pak a shumë prej prozës realiste. Me një rrëfim
të strukturuar ai përshkruan - në një mënyrë autentike - zakonet, qëndrimet dhe
perceptimet e njerëzve të përulur ose të thjeshtë, të cilët bien viktima të
historisë apo paragjykimeve shoqërore, ndërsa kritikojnë ose satirizojnë
borgjezinë e asaj kohe, e cila u mbyt ëndrrat dhe ndjeshmëritë. Përmes
ndjenjës së kaosit, lëvizjeve të rastit, takimeve rastësore, ndërprerjeve të
papritura dhe mishërimit të realitetit, kombinuar këto me tiparet unike të
strukturës dhe stilit të autorit, shpaloset një trazirë e madhe si një
përplasje mes abstragimeve çnjerëzore të një rendi politik të pamëshirshëm dhe
fuqisë së jetës, dhe nëpërmjet gjerësisë së shprehjes transmetohet një si lloj
akti i të çliruarit prej sëkëlldisjeve të jetës. Duke
përshkruar tablotë e gjalla të jetës njerëzore, autori ruan veçoritë
individuale të rrethanave jetësore të paraqitjes së jashtme të njeriut,
shoqërisë, natyrës etj. Por, bashkë me këtë, ai zgjedh të trajtojë atë që është
karakteristike, tipike e që shpreh bërthamën e fenomenit jetësor, përmes analizimit
të karaktereve të ndryshme njerëzore. Kemi të bëjmë me një përshkrim individual
të jetës njerëzore, i cili në veprën letrare mbart vlerë përgjithësuese. Nëse
i referohemi “Teorisë së letërsisë”, të Rene Welleck dhe Austin Warren, i gjithë vëllimi në tërësi
është i ndërtuar në një strukturë kompozicionale të veçantë, që edhe pse kemi
të bëjmë me tregime të ndryshme, mund ta konsiderojmë si një vepër letrare të
pandashme, si një tërësi unike, si një realizim i një përmbajtjeje të caktuar
në një formë të caktuar. Në
këto tregime shpalosen tema të ndryshme si: ndjenja e dashurisë sublime, jo
vetëm në marrëdhëniet burrë-grua, ndjesia e pështjellimit, varfëria, paaftësia
për t’u përshtatur me ndryshimet e jetës, lufta për të mbijetuar, ndikimi i
turmës etj. “Tetralogjia
e kohëve” është një vepër letrare, që nëpërmjet ngritjes së prozës në një
gravitet të rëndë e tragjik, rrethuar me momente të shkurtra lumturie e
optimizmi, me karaktere të ndryshme njerëzore, unike në vetvete, të cilat janë
si një lloj fije endëse, që lidhin tregimet me njëra-tjetrën, jepet kësisoj një
shëmbëlltyrë e brutalitetit dhe ashpërsisë së viteve 1955-1959 në Qipro.