Romani “Kapelat prej kashte” është një vepër e
rëndësishme e letërsisë greke të pasluftës, i cili edhe pse i botuar në vitin
1946, fill pas Luftës së Dytë Botërore, nuk u bën jehonë ngjarjeve të
rëndësishme historike të asaj periudhe, por përqendrohet më tepër te
marrëdhëniet njerëzore, problematikat brenda familjes dhe lidhja e njeriut me
natyrën. Me një stil të veçantë rrëfimi dhe përmes një larmie karakteresh
femërore pasqyrohen në roman shqetësimet, pasionet, sfidat dhe pasiguritë në
faza të ndryshme të jetës së një gruaje. Katerina, e cila rrëfen edhe ngjarjet
në roman, është një vajzë ëndërrimtare me imagjinatë të gjallë, rend pas dashurisë,
por njëkohësisht stepet para vendimeve të mëdha që lidhen me të, Infanda e
druajtur dhe e përmbajtur kur bëhet fjalë për dashurinë, por e rrëmbyer dhe e
çlirët kur kalëron e vetme, Maria joshëse e lozonjare në fillim të romanit, por
një nënë dhe bashkëshorte e devotshme në fund të tij, Ana një grua e divorcuar
që kujdeset për tri vajzat e saj dhe për shtëpinë, e luhatet mes së tashmes dhe
të shkuarës, teto Tereza që për shkak të përjetimeve të dhimbshme në rininë
e saj ka vendosur të mos martohet dhe t’i përkushtohet pikturës,
Lora Parigori një grua me shpirt të trazuar, që edhe pse e martuar vazhdon të
ëndërrojë për dashuri të tjera, gjyshja polake, e cila shfaqet në roman vetëm
përmes kujtimeve, por drejtpërsëdrejti apo tërthorazi ka ndikim në jetën e
personazheve, një grua e bukur në rininë e saj që zgjedh të largohet për të
përjetuar dashurinë me një muzikant duke lënë pas burrin dhe dy vajzat e saj.
Janë edhe një sërë personazhesh të tjera si kapiten Andrea, i cili gjendet diku
mes realitetit (përmes rrëfimeve të të atit) dhe fantazisë së Katerinës, gjyshi
me dashurinë për natyrën dhe brengën e tij të pashlyer, si dhe të rinjtë Mario,
Davidi e Nikita që janë pjesë e jetës, përjetimeve dhe zhgënjimeve të tri
motrave.
“Kapelat prej kashte” është një roman që e çon lexuesin
në kohë të tjera dhe ngjall tek ai emocione e ndjesi të njohura e të panjohura,
një roman që lexohet e rilexohet; nuk është e rastësishme që në Greqi janë bërë
mbi pesëdhjetë ribotime të tij. Ndodh që kur e lexojmë një libër për herë të
dytë a të tretë ndryshon mënyra se si e perceptojmë, por është interesante se
si ndryshojnë ndjesitë dhe perceptimet kur e rilexon atë gjatë dhe në funksion
të procesit të përkthimit. Kur e lexova për herë të parë “Kapelat prej kashte”,
krejt e re në moshë atëherë, shkaktoi tek unë ndjesi dhe emocione që më
shoqëruan gjatë dhe ndoshta jam ende njëra prej atyre lexueseve që e
konsiderojnë një nga romanet e tyre të preferuara. Por gjatë rileximit të tij
pas shumë vitesh, këtë herë për ta përkthyer, vura re shumë ngjyrime të reja,
që më parë s’u kisha kushtuar vëmendje, ndoshta, sepse tani ndalesha më gjatë
pothuajse në çdo fjalë për ta përcjellë kuptimin e saj sa më mirë në shqip, për
të përçuar pikërisht ato ndjesi që të jep origjinali. Ndryshoi gjithashtu edhe
qëndrimi im ndaj personazheve dhe sjelljeve të tyre, tani i shihja nga
një këndvështrim tjetër, jo thjesht nga këndvështrimi i përkthyesit, por edhe i
një lexuesi më të pjekur. E megjithatë ka diçka që vazhdon të mbetet
e pandryshuar: “Kapelat prej kashte” mund të lexohet e të shijohet nga çdo
moshë dhe në çdo kohë.