Në fillim të viteve ’60, Natalia Ginzburg fitoi çmimin më prestigjioz
letrar në Itali me romanin “Leksiku famijar”, ku tregonte historinë e familjes
se saj hebraike dhe antifashiste gjatë viteve ’30 dhe ’50. Leksik sepse Ginzburg tregon historinë e vet
dhe të Torinos së atyre viteve përmes zhargonit të personazheve të saj - fjalë
të përsëritura, shprehi dhe biseda të anëtarëve që bëhen simbole të një pjese
të Italisë dhe më gjerë të historisë. Familjar
sepse historitë e rrëfyera janë të vërteta dhe personazhet janë të afërmit e
saj.
Pesëdhjetë vjet më vonë, Nicola Lagioia fitoi gjithashtu çmimin
“Strega” me romanin “Egërsia”. Tema e romanit, por edhe e gjithë krijimtarisë
së Lagioia-s, është familja. Në këtë rast, një familje ndërtuesish, - në
kuptimin më problematik dhe përkeqësues të fjalës - pronarë të një firme ndërtimi që ka betonizuar
dhe përçudnuar “njërin prej brigjeve më të bukura
të Puljes”, siç thuhet në libër. Një familje që mban lidhje të veçanta me
pushtetin vendor, me krimin e organizuar, me sistemin shëndetësor, me gjykatës,
avokatë, noterë dhe gazetarë. Marrëdhënia simbiotike e një familjeje me të
gjitha këto pushtete është pikërisht mjeti që përdor Lagioia për të rrëfyer një
shoqëri të tërë.
Për vende si Italia apo Shqipëria, familja është bërthama e parë dhe e
fundit e shoqërisë. Familje që shpesh
përfaqësojnë territorin së cilit i përkasin, Torino apo Pulja në rastet
specifike, por, në të vërtetë, e gjithë Italia, e më gjerë Shqipëria dhe
kulturat e Mesdheut e të Jugut të të gjithë botës. Është e vështirë të flasësh
për këto vende, pa folur për familjen.
Pikërisht leksiku i familjes është ai që përsëriet më shpesh tek
“Egërsia”. Fjala baba/atë përsëritet 189 herë, motër 109 herë, e më pas vëlla,
nënë dhe familje, përkatisisht 69, 56, 51 herë. Ndër fjalët më të shpeshta,
djalë dhe vajzë, të marra së bashku, numërohen plot 320 herë. Në përkthim janë
ruajtur të gjitha, edhe me rrezikun për t’u bërë përsëritëse, duke qenë se
përdorimi është i qëllimshëm. Përmes gjuhës, tema e rinisë dhe sidomos e kohës,
bëhet gjithashtu protogoniste e romanit, dhe e letërsisë në përgjithësi.
Jo rastësisht, koha foljore më e rrallë është e ardhmja. Horizonti i
mbyllur dhe perspektiva që u mohohet personazheve të librit dhe - në rrafsh më
sociologjik, - shumë brezave që në dekadat e fundit nuk u është dhënë mundësia
e ndërrimit gjeneracional, në mënyrë që të fitonin vendin e tyre në shoqëri.
Sa i përket kohës së shkrimtarit, Nicola Lagioia është shkrimtar i
ngadaltë. Boton një roman çdo pesë apo gjashtë vjet. Është shkrimtari që i
rilexon dhe i rishkruan në mënyrë obsesive romanet e veta. Shkrimi bëhet një
punë pothuajse artizanale. Përzgjedhja e fjalëve, mënyra si e ndërton fjalinë,
përdormi i shënjave të pikësimit, është rezultat i një pune të gjatë dhe të
hollësishme.
Për këtë arsye, përpos një rregulli më të përgjithshëm të përkthimit
nga gjuha italiane, duke ndryshuar rendin e fjalëve - struktura
kryefjalë-folje-kundrinë, tipike e italishtes, mund të tingëllojë e përsëritur
në një gjuhë me rasa si gjuha shqipe) - jam përpjekur si në çdo përkthim t’i
qëndroj sa më besnik tekstit origjinal.
Për Lagioia-n, gjuha është
një instrument, mjeti dhe jo qëllimi, i një letërsie që synon të rrëfejë
njeriun. Kështu vetë gjuha, kur punohet me mundin e nevojshëm, ka aftësinë të
rindërtojë dhe rrëfejë pikërisht gjendjen dhe shpirtin njerëzor. Që këtej edhe
mundi dhe sfida e përkthimit të sapobotuar në gjuhën shqipe.