Të përkthesh nga njëra gjuhë në
tjetrën është një nga ushtrimet më delikate intelektuale. Të marrësh një copë
nga Greqia dhe ta vendosësh brenda anglishtes pa derdhur asnjë pikë, një sfidë
e madhe, do të thotë Cyril
Connolly për përkthimin letrar. E njëjta gjë ndodh edhe me përkthimin e “Ditës
së re” të Nikos Chrysos në gjuhën shqipe, këtij romani shumëfaqësh që ndërthur
në vetvete teknika të ndryshme rrëfimi, që shtresëzohen në një fjalor të pasur intelektual,
letrar, filozofik apo të rëndomtë. Është një rrëfim me gjerësi dhe thellësi të
madhe që të vendos përpara një sfide të re të Ditës së Re, dhe të bën të
kuptosh se duke përdorur të njëjtat fjalë nuk është një garanci e mjaftueshme e
të kuptuarit; duhet të përdorësh të njëjtat fjalë për të njëjtën gjini të
eksperiencës së brendshme, duhet të kesh të njëjtën eksperiencë me autorin,
sipas Nietzche-s. Ky libër nuk është një libër për të gjithë lexuesit apo
përkthyesit, por për ata që durojnë, për ata që kanë kohë, për ata që nuk
gjejnë kënaqësi në gjërat minimaliste, por janë në kërkim të diçkaje
tronditëse, diçkaje pabesueshmërisht dinamike, diçkaje të paparashikueshme.
Përballë këtyre sfidave e gjeta veten si përkthyese e “Ditës së re”, një
eksperiencë unike kompromisesh në përpjekjen për të qënë letrare dhe
idiomatike. Të lexosh rreth 700 faqe është një ndërmarrje e jashtëzakonshme
intelektuale, por të përkthesh 700 faqe me një arkitekturë të veçantë rrëfimi,
bazuar në Dhiatën e Re, në personazhet e saj, disi të ndërkombëtarizuar për të
qenë më të kuptueshëm edhe në përkthimet në gjuhët e tjera (psh. Laki, një ndër
personazhet kryesore personifikon fatlumin, i huazuar nga Lukasi si personazh
biblik), është vërtet një nga bashkëidentifikimet më të vështira përkthimore me
veprën në origjinal.
Në komunikimet e vazhdueshme me vetë autorin, Nikos Chrysos, i cili për
fatin tim të mirë ishte gjithmonë i pranishëm dhe i disponueshëm gjatë procesit
të përkthimit, arrita të kuptoja se bëhej fjalë për një kombinat ngjarjesh, të
ndërthura ndërmjet tyre me një mjeshtëri të jashtëzakoshme gjuhësore. U gjenda
përballë një leksiku shumëdimensional, pjesë të huazuara nga Dhiata e Re,
fjalor rrugësh, dialekte të ndryshme të gjuhës greke, përshkrime të
papërsëritshme të shpirtit njerëzor, të atij shpirti që ka njohur dhimbjen,
urinë, të ftohtin e rrugës, të nxehtin e asfaltit dhe magjinë e ujërave detare.
M’u desh të gjeja fjalët e duhura në gjuhën shqipe,
të lojërave të fjalëve bazuar në përsëritje bashtingëlloresh apo zanoresh, të
fjalëve të rralla të gjuhës greke, që nuk ekzistojnë as në fjalorë, të gjeja
zgjidhjet më të përshtatshme të kombinimeve gjuhësore, të jepja të gjitha
ngjyrimet e një fjale të përdorur në mënyra të ndryshme në tekst, apo të gjeja
fjalën apo termin e përshtatshëm në gjuhën shqipe sipas ngjyrimit të përdorur
në gjuhën greke (psh. në të gjithë tekstin, është përdorur vetëm një herë fjala
e vjetër greke për fjalën e vjetër shqipe - tabut, ndërsa në pak vende
është përdorur fjala turke qivur dhe në më të shumtën e herëve kam
përzgjedhur të përdor fjalën arkëmort dhe disa herë arkivol, sipas
konotacioneve përkatëse në gjuhën greke).
Përshkrimet analitike dhe të detajuara të disa fushave të veprimtarive
njerëzore, si detari, tekstile, peshkim, legjislacion, gazetari, etj.më vunë
përballë vështirësisë, por edhe sfidës me vetveten për të gjetur termat e
duhura në gjuhën shqipe, jo rrallëherë sfilitëse. Përballë boshtit kryesor
rreth të cilit shtjellohen të gjitha historitë e romanit, Limanit, duhet të qëndrosh
dhe të ndjesh të gjitha përjetimet e personazheve, historitë e tyre rrëqethëse,
fjalorin e tyre shumëngjyrësh, të cilin duhet pikë së pari ta perceptosh dhe ta
ndjesh, pastaj ta deshifrosh dhe ta shqipërosh.
Përkthimi i këtij romani ka qënë një botë e re për mua, bota e vërtetë, ajo
e rrugës, ajo e përderësve, ajo e tragjedisë së jetës njerëzore, e mbijetesës,
e luftës ndaj urisë, e prostitucionit, e krimit, e ndëshkimit të vetvetes për
një krim të ndodhur që kthehet në një makth të vërtetë për njërin nga
personazhet kryesorë.
Sipas Chomsky-t, gjuha është një proces i një krijimi të
lirë; ligjet dhe parimet e saj janë të njohura për të gjithë, por mënyra që
përdoren këto parime është e lirë dhe e ndryshme për këdo. Për përkthimin e
Ditës së re” u bashkëidentifikova me autorin, me të gjithë personazhet e
veprës, perceptova dhe kuptova botën e tyre të brendshme shpirtërore, nevojat e
tyre, pritshmëritë e tyre nga jeta, ndërgjegjen e tyre, dhe mbi të gjitha
ndërgjegjen e njeriut “që ka uri, që mërdhin, që ka frikë”, por që e ka kuptuar
se çdo ditë e re është e kundërta e vdekjes.