MBI ROMANIN “HISTORI SHPIRTRASH”

Shkrimtarja austriake, Laura Freudenthaler, është një autore e re, e cila pasi ka shkruar vetëm disa vepra, si: vëllimin me tregime “Kafka e Madalenës”, si edhe romanet “Mbretëresha hesht” dhe “Histori shpirtrash”, ka arritur të krijojë një stil të shkruari të vetin me një zë shprehës dhe të patjetërsueshëm, të cilin kritikët e letërsisë e quajnë stili Freudenthaler. Një stil i përmbajtur, por që me çdo rrokje dhe fjali të shkurtër, arrin të depërtojë në thellësitë më të panjohura të shpirtit.
Romani “Histori shpirtrash”, botuar në vitin 2019, u nderua po atë vit me çmimin “Europian të Letërsisë”. Në këtë roman, Laura Freudenthaler shkruan për pianisten 50-vjeçare, Anën, dhe skenaristin Tomas. Romani rrëfehet nëpërmjet botës së brendshme dhe ëndërrimtare të personazhit kryesor. Ana pesëdhjetëvjeçare, pianiste dhe njëkohësisht mësuese pianoje, tashmë ka lënë prej dy dekadash vendlindjen e saj, Parisin, për t’u vendosur në Vjenë, qytetin ku jeton partneri i saj, Tomasi.
Dikur Ana krijon bindjen se Tomasi ka një lidhje të fshehtë. Dhe është ky momenti, kur fillojnë e shkrihen kufijtë ndërmjet realitetit dhe fantazisë. Në plan të parë kjo si ide për të shkruar një roman mund të mos duket shumë origjinale, por si gjithmonë në letërsi, kjo varet nga mënyra se si tregohet. Laura Freudenthaler zgjedh një perspektivë ngacmuese, me anë të së cilës ajo ndërlidh pamjen brenda me atë jashtë.
 
Për mua si përkthyese sjellja në shqip e këtij romani, ka qenë një udhëtim tejet interesant, edhe pse plot sfida, ndërmjet Vjenës dhe Salzburgut, në një prej liqeneve ku çifti kishte një shtëpi pushimesh, ku ata shkonin për t’iu larguar zhurmës dhe tollovisë së kryeqytetit. Shtëpia e pushimeve për Anën ishte vendi, ku ajo vinte shpirtin në qetësi.
Autorja arrin me mjeshtëri të na shkëpusë nga realiteti nëpërmjet dyshimeve të Anës për marrëdhënien e fshehtë të Tomasit; realiteti me fantazinë janë dy perspektiva të ngërthyera me njëra-tjetrën, saqë shpesh edhe brenda një kapitulli më duhej të mendohesha disa herë për të përcjellë në shqip ndjesinë e vërtetë të autores. Deri në faqen e fundit të romanit kufiri ndërmjet realitetit dhe fantazisë mbetet i paqartë, dhe për mua si përkthyese ishte e rëndësishme të imagjinoja se ku mbaronte njëri dhe fillonte tjetri. E përpos narrativës mjaft komplekse dhe të thellë të autores, të arrija të depërtoja në imagjinatën e saj për të kuptuar, nëse vajza (të dashurën e fshehtë të partnerit të saj, Ana e quante vajza) është një krijesë e fantazisë së saj, apo ekziston vërtet?


Shpërndaje