FATMIR TOÇI

Jeta e arbëreshëve të Italisë është histori e qëndresës dhe e mbijetesës së tyre në rrjedhë të shekujve, duke na sjellë sot, në kohët moderne, të gjallë e të freskët gjuhën arbëreshe, kulturën, doket e zakonet, si dhe besimin e krishterë të ritit bizantin etj., si pasuri e çmuar shpirtërore dhe si shprehje e spikatur e identitetit të tyre në një botë që po shkon me shpejtësi drejt globalizimit dhe rrafshimit të veçorive kulturore të pakicave.

Të njohim arbëreshët, do të thotë të mësojmë për kalvarin e vuajtjeve dhe odisenë e shpërnguljes së tyre përtej brigjeve të Adriatikut e Jonit, në një vend të huaj me gjuhë e zakone të ndryshme, në fillim krejt të panjohura; për rreziqet e shumta që kanë kaluar në përballjen me elementet e natyrës dhe me vendësit; për përpjekjet e tyre për t’u përshtatur me mjedisin shoqëror në atdheun e ri; për ngulimet në tërësinë e tyre dhe për ato që u mbijetuan furtunave të kohës; për gjendjen e tyre aktuale ekonomike, kulturore, arsimore etj.

Libri “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit”, që po i jepet në dorë lexuesit, është një punim me karakter informues që synon të hedhë dritë mbi çështjet e mësipërme. Në të trajtohen, në një vështrim përmbledhës e të përgjithshëm, historia mbi pesëqindvjeçare e arbëreshëve në aspektet e saj kryesore, duke nisur nga aventura tragjike e kalimit të tyre nga Arbëria drejt Italisë e deri në ditët tona, shpërndarja e ngulimeve arbëreshe dhe konstitucioni fetar i tyre. Për hartimin e tij kam shfrytëzuar botime historiografike të derisotme nga autorë shqiptarë dhe të huaj, ku burimet arbëreshe zënë një vend të rëndësishëm; botime informative, guida kulturore e turistike të komunave arbëreshe; monografi tematike për ngjarje, vende, çështje e figura të komuniteteve të veçanta; informacione që vijnë nga faqet zyrtare të uebit të komunave të ndryshme etj.

Një material shumë të vlefshëm kam mbledhur edhe në ngulimet arbëreshe nga kontaktet e drejtpërdrejta me intelektualë dhe njerëz të thjeshtë të këtyre ngulimeve. Mendoj se jam nga shqiptarët e paktë, në mos i vetmi, që ka mundur të shkelë e të shohë nga afër pothuaj të gjitha vendbanimet arbëreshe në Itali, jo vetëm ato që njihen sot edhe zyrtarisht si të tilla (rreth 50 komuna e fraksione të tyre), po mbi 530 qendra banimi që ishin arbëreshe, një pjesë e tyre, deri edhe një shekull më parë, por që janë përzier, asimiluar ose larguar drejt qendrave të tjera për arsye nga më të ndryshmet, duke mbetur, gjithsesi, pjesë e historisë dhe e kulturës së vendit ku ata jetuan. Kjo u bë e mundur gjatë angazhimit tim politik si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, kur u mbështet kërkesa që Kuvendi të kishte një strukturë të përhershme për marrëdhëniet me arbëreshët. Lindi kështu grupi kuvendor i përbërë nga pesë deputetë për marrëdhëniet me arbëreshët e Italisë, si shprehje e vlerësimit të lartë për historinë dhe kulturën e pasur të shqiptarëve matanë detit dhe për kontributin e tyre të madh në kulturën dhe historinë tonë kombëtare. Edhe pse disa prej komunave arbëreshe në Kalabri e Sicili i kisha vizituar që pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, të qenit në krye të këtij grupi kuvendor më mundësoi të udhëtoja disa dhjetëra herë në të gjithë Italinë, të njihem nga afër me jetën e zakonet e arbëreshëve, të merrja pjesë në takime, veprimtari kulturore e festa.

Për hartimin e librit u detyrohem shumë një numri të madh personash që më kanë ndihmuar në mbledhjen e lëndës për hartimin e monografisë me qëllim botimin e këtij libri. Në radhë të parë, falënderoj të gjithë ata që më kanë shoqëruar në udhëtimet e mia në ngulimet arbëreshe të Italisë, nga Sicilia në Torino, duke më krijuar kushtet për t’i vizituar. Ata janë aq shumë, kryetarë komunash e intelektualë arbëreshë, sa nuk mund t’i përmend të gjithë me emër. Së dyti, sjellja e librit në formën përfundimtare u detyrohet vërejtjeve e këshillave të recensentëve, akademikëve Rexhep Qosja, Pëllumb Xhufi, Francesco Altimari dhe Matteo Mandalà, të cilët gjetën kohë për ta lexuar me vëmendje materialin; u detyrohet, gjithashtu, redaktorëve, prof. dr. Rami Memushajt, që e ka lexuar disa herë materialin, duke lëmuar frazën dhe duke verifikuar e saktësuar çdo gjë të dyshimtë, dhe akademikut Gjovalin Shkurtaj, njohës i mirë i botës arbëreshe dhe dashamirës ndaj punës sonë modeste.

Falënderoj miqtë e mi Amanda Hiller dhe Emanuele Romata, që banojnë në Xhinoza Marina të Tarantos në Itali, për pasionin e tyre për historinë dhe kulturën arbëreshe, si dhe për sugjerimet e tyre, hartografinë, dhe një pjesë të fotografive të këtij libri.

E vyer, si gjithmonë, si dhe për çdo libër tjetër që del nga Shtëpia Botuese “Toena”, ka qenë puna e trupës së saj, në mënyrë të veçantë: asistentes sime Aurora Kënga dhe puna redaktuese e Sonila Kapos dhe vajzës sime, Majlinda.

Së fundi, u detyrohem shumë bashkëshortes sime, Irenës, dhe familjes sime të madhe, që përballuan mungesat e mia gjatë endjeve më shumë se 10-vjeçare për mbledhjen e studimin e materialeve dhe 3 vjetëve që m’u deshën për shkrimin e librit, duke më nxitur për ta çuar deri në fund punën, saqë mund të them pa e tepruar se janë ato që ma “dhuruan” këtë libër.

 Libri është i ndarë në dy pjesë krerë. Në pjesën e parë, që përbën pjesën themelore të tij, trajtohet historia emigruese e arbëreshëve, vuajtjet dhe përpjekjet e tyre për t’u natyralizuar në Atdheun e ri; gjendja politike, shoqërore, ekonomike e kulturore që nga koha kur u mërguan e deri sot; roli i Skënderbeut në marrëdhëniet me shtetet italiane të kohës dhe figura frymëzuese të tij pas vdekjes për mbajtjen gjallë të krenarisë dhe të identitetit të vendit të origjinës; fati i familjeve të mëdha shqiptare në mërgim dhe roli mbresëlënës i arbërve stratiotë në dhe të huaj; mënyra arbëreshe e jetesës, kultura, traditat dhe zakonet e tyre; roli i kishës në ruajtjen e identitetit arbëresh; përpjekjet për ruajtjen e gjuhës arbëreshe, për arsimimin dhe për lëvrimin e letërsisë së shkruar para dhe pas periudhës së Rilindjes; roli aktiv i Arbëreshëve në të gjitha etapat e historinë së re të Italisë; kontributi i intelektualëve arbëreshë për Pavarësinë e Shqipërisë; si dhe rreziku, në ditët tona,i asimilimit dhe i humbjes së identitetit arbëresh dhe masat që mund të ndërmirren për t’i bërë ballë këtij rreziku, duke forcuar lidhjet ekonomike, kulturore e arsimore me botën arbëreshe.

Pjesa e dytë të librit ndahet në disa krerë. Me qëllim që të jepet një tablo e shpërndarjes së arbëreshëve në të gjithë Italinë, në kreun e parë është trajtuar në mënyrë të përmbledhur prania e ngulimeve arbëreshe në 17 krahina të Italisë së sotme nga 20 të tilla gjithësej, ilustruar me hartën përkatëse për secilën krahinë.

Një krye i veçantë i është kushtuar ndarjes kishtare, institucioneve fetare, rolit të kishës së ritit bizantin për ruajtjen e identitetit arbëresh dhe organizimit të kishave të ritit bizantin në dy dioqeza: të Ungrës (Lungro) në Kalabri për kishat e ritit bizantin të Italisë kontinentale dhe të Horës së Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), për ishullin e Sicilisë.

Në kreun e fundit të librit, janë dhënë në 6 tabela përmbledhëse, lista e plotë e 534 vendbanimeve arbëreshe në Itali, datat e emigrimit të arbreshëve në Itali në shek. XII-XVIII dhe të imigrimit (lëvizjes brenda Italisë) nga fillimi i shek. XVI deri në fund të shek. XVII, lista e famullive dhe e kishave të ritit bizantin në Eparkinë e Ungrës dhe të Horës së Arbëreshëvet dhe lista e ngulimeve arbëreshe që kanë kaluar në ritin latin.

Në fund të librit jepet një bibliografi e pasur me veprat e burimet që kemi mundur të shfrytëzojmë, e cila mund të shërbejë për të ndihmuar e orientuar të gjithë ata që duan të mësojnë më shumë e të thellohen në njohjen e të gjitha aspekteve të jetës së arbëreshëve, të cilat nuk mund të ishin objekt i këtij botimi.

Libri është i pajisur edhe me treguesin e emrave të përveçëm të njerëzve dhe të vendeve.

Do të ndihesha shumë i lumtur nëse kjo përpjekje modeste imja do ta ndihmonte sadopak lexuesin të njohë më gjerë arbëreshët e Italisë dhe do t’i shërbente si një shtysë për ta prekur nga afër botën arbëreshe, si dhe për të forcuar lidhjet në të gjitha fushat me këtë degë të trungut amë.


Shpërndaje