ARBËRESHËT - shqiptarët e Italisë - Vendbanimet, historia, kultura, ritet, objektet e kultit

Me qëllim që të ndihmohet lexuesi i këtij libri për të krijuar një ide për historinë e arbëreshëve të Italisë, veprën e kemi pajisur me një hyrje, të titulluar “Arbëreshët - një histori mbijetese”. Në të trajtohen, në një vështrim përmbledhës, historia mbi 500-vjeçare e arbëreshëve në aspektet e saj më kryesore, duke nisur nga aventura tragjike e kalimit të tyre nga Arbëria drejt Italisë, kalvari i dhimbshëm i vuajtjeve të tyre për t’u integruar në atdheun e ri dhe gjendja politike, shoqërore, ekonomike e kulturore që nga koha kur u vendosën në Itali e deri në ditët e sotme. Hartimi i kësaj hyrjeje u kushtëzua nga vetë natyra e librit, në pjesën më të madhe të të cilit trajtohen veçmas 93 bashkësi arbëreshe që ekzistojnë sot (ose janë shuar si të tilla në shekujt e fundit).

Për secilin nga vendbanimet që trajtohen në libër jepen shpjegimet më të nevojshme, duke ndjekur të njëjtën tematikë e strukturë: të dhëna për vendndodhjen dhe popullsinë, për historinë e vendbanimit, për besimin fetar dhe ritet, për objekte dhe vende për t’u vizituar, për festa, kremtime dhe takime tradicionale etj. Informacioni pasurohet me shumë kureshtì e ndërhyrje të shkurtra (okelio), tekste e ilustrime – që në dukje nuk janë pjesë integrale e rrëfimit, por në të vërtetë janë pjesë e rëndësishme informuese për të krijuar një njohje më të plotë të jetës së arbëreshëve - dokumente të kohës, pasuri shpirtërore e trashëgimi kulturore, personalitete të shquara sipas komuniteteve, folklor gojor e i shkruar, veshje tradicionale, gastronomia tipike dhe receta gatimesh arbëreshe etj.

Një kapitull i veçantë i është kushtuar rolit të kishës së ritit bizantin për ruajtjen e identitetit shqiptar dhe organizimit të kishave të ritit bizantin në dy dioqeza: të Ungrës (Lungro), në Kalabri, për kishat e ritit bizantin të Italisë kontinentale, dhe të Horës së Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), për Italinë ishullore. Për ta plotësuar informacionin, në fund të librit janë dhënë 4 tabela përmbledhëse: 1. Lista e plotë e vendbanimeve arbëreshe në Itali, ku jepen emrat në formën zyrtare italiane, arbërisht (aty ku ekzistojnë dhe sot), si dhe në formën e tyre në gjuhën shqipe; 2. Emigracioni shqiptar në Itali në shek. XII-XVIII sipas rendit kronologjik; 3. Famullitë dhe kishat e ritit 16 bizantin në Eparkinë e Ungras (Lungro); 4. Famullitë dhe kishat e ritit bizantin në Eparkinë e Horës së Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi).

Besoj se ky botim do të ndihmojë sadopak për të njohur më mirë e më thellë botën arbëreshe në Itali dhe do të shërbejë si një shtysë më shumë për ta vizituar, për ta prekur nga afër dhe për të forcuar kontaktet e lidhjet me të në të gjitha fushat: ekonomiko-shoqërore, kulturore, shpirtërore etj

Detajet rreth librit
Autori Fatmir Toçi
Shtëpia botuese Botimet Toena
Kategoria

Histori

Studime

Numri i faqeve 936
Data e botimit Mars 2024
ISBN 9789928817051
Gjuha Shqip
Libër fizik
4500 Lekë

Dërgesa brenda 2-5 ditë pune