Shporta juaj është bosh
Libri “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” është shkruar pas më së paku 15 vjetësh përvojë njohjeje dhe kërkimesh të autorit Fatmir Toçi në botën arbëreshe.
Me sa duket, fillimisht, ky libër është konceptuar në formën e mbresave të udhëtimit, prej kontakteve personale të Fatmirit me përfaqësues të botës italo-shqiptare gjatë udhëtimeve të tij nëpër katundet, ku ata gjenden prej më shumë së pesë shekujsh, në Kalabri e Sicili. Si rrallëkush Fatmir Toçi ka shkelur dhe prekur nga afër rreth 50 komuna dhe mbi 530 qendra banimi të arbëreshëve në Itali, ka takuar me dhjetëra e qindra intelektualë, studiues, autoritete dhe njerëz të thjeshtë të ngulimeve arbëreshe, ka vëzhguar, ka fotografuar, ka përjetuar evente, rite, ceremoni… ka ngritur një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh për grumbullimin dhe përpunimin e lëndës për këtë vepër madhore.
Por dhjetëra e dhjetëra udhëtime të autorit thuajse në të gjitha këto vendbanime bënë që përshtypjet të kthehen në një arkiv kujtese dhe pak nga pak atij t’i dilte pyetja: ç’të bëj me to?
Dhe kështu Fatmirit i doli detyra t’i drejtohet një kujtese tjetër: bibliotekave dhe arkivave të shkruara, që janë të pafundme për arbëreshët.
Ky libër ndërthur fakte dhe arsyetime me karakter historik, kulturor, etnografik, antropologjik, gjuhësor, fetar, social dhe dialektologjik.
Fatmiri e ka pasur gjithë kompetencën e nevojshme t’i ndërthurë këta përbërës dhe të na ofrojë këtë libër të mrekullueshëm. Nuk është një libër dëshmitari, megjithëse edhe si dëshmitar Fatmiri është shumë i rëndësishëm për ne, por libër që kumton, sepse autori ka ç’kumton.
Libri “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” është një vepër e dimensionit akademik, është një studim që pasuron dijet tona dhe fondin e shkruar e të dokumentuar, për një pjesë të historisë së kombit tonë, që nuk ka ardhur deri tani kaq e plotë, kaq e gërshetuar midis rrëfimit popullor, rigorozitetit metodologjik, argumentimit shkencor, bibliografisë së pasur, kronologjisë dhe gjenealogjisë së familjeve të mëdha shqiptare, si dhe dokumenteve arkivore që janë dëshmi bashkëshoqëruese e këtij libri.
Për gjykimin tim ky libër na bën shpirtërisht më të pasur, na jep informacion të sintetizuar dhe solid për botën arbëreshe dhe kompenson një deficit të hershëm në mosnjohjen e kësaj historie dhe trashëgimie të kombit tonë.
Ndaj duhet lexuar nga çdo intelektual dhe njeri i zakonshëm që ka minimumin e ADN-së e të qenët patriot dhe që kur e lexon do të emocionohet dhe do e ndiejë veten se e “thërret” gjaku i të parëve.
Fatmir Toçi meriton falënderimet tona, por edhe të Institucioneve të shtetit tonë për këtë botim, pasi ka dëshmuar një patriotizëm të klasit të parë, ka shfaqur një mjeshtëri të pashembullt për t’i sjellë “bio” dhe në nivelin bashkëkohor gjithë kalvarin mbi 5-shekullor të arbëreshëve, kontributin e personaliteteve të botës arbëreshe dhe gjithë pasurinë e çmuar shpirtërore dhe identitetin kombëtar që në këtë kohë është i kërcënuar nga asimilimi, nga rreziku i rrafshimit të veçorive kulturore të pakicave, nën presionin e globalizmit dhe të një bote ku etnitë tkurren dhe ndërkombëtarizmi nuk njeh kufij.
Përmbajtja e lëndës së këtij libri është mbresëlënëse, dhe unë nuk do të bëj koment për të, por dua të nënvizoj se ky libër na zgjon nga përgjumja, na bën ta hedhim vështrimin thellë në të kaluarën e largët dhe të afërt, na ritakon me plejadën e ndritur të atyre që kanë hedhur themelet e dijes, të kulturës, të mbijetesës, të identitetit dhe që na rikujtojnë dhe apelojnë se për të ardhur te kohët e sotme moderne, të asaj që po e jetojmë si koha digjitale, – është dashur sakrifica biblike e të parëve, është dashur kontributi ndër shekuj i etërve të kombit, i njerëzve që kanë derdhur gjak, që kanë shkrirë pasurinë, që janë gurë kilometrikë në rrugëtimin e brezave, të njerëzve që janë palca e kombit dhe identitarët e lashtësisë sonë dhe që kanë shënjuar kohën.
Yjet e diturisë arbëreshe dhe të të gjitha figurave historike e albanologjike zënë vend të posaçëm në librin e Fatmir Toçit, të metaforizuar si mit dhe të risjellë si realitet i një prurjeje dhe vazhdimësie në veprat e Jeronim de Radës, Gavril Darës, Francesk Santorit, Zef Serembes, Zef Skiroit, Jul Varibobës, Anton Skurës, Pal Skiroit, Dhimitër Kamardës, Domeniko Maurës etj… për të mbërritur te bashkëkohësit e sotëm Matteo Mandala e Francesko Altimari që janë themelues të filologjisë moderne shqiptare, autorë librash, profesorë në Universitetet arbëreshe në Itali dhe lëvrues e mbrojtës të trashëgimisë arbëreshe.
Fatmir Toçi tërheq vëmendjen se nuk është bërë sa duhet nga shteti shqiptar për të njohur dhe vlerësuar figura dhe personalitete të botës italo-arbëreshe, që kanë bërë histori si është familja “Durraco” që ka nxjerrë kryeministra, që në vitin 1700-1721 Giovani Francesko Albani ishte Papa 243 i Vatikanit: Papa Klementi XI nga familja Albani në Urbino, i cili ndër të tjera u ktheu arbëreshëve autonominë fetare dhe të praktikonin besimin e tyre sipas ritit oriental… për të njohur rolin e Francesko Krispit – kryeministër i Italisë që në vitin 1895 me interesimin e tij u zhvillua në Koriliano, Kongresi për çështjet gjuhësore dhe politike të arbëreshëve dhe tokës amë, ku u formësua ideja e një alfabeti të njehsuar për gjithë botën shqiptare dhe për të intensifikuar bashkëpunimin e arbëreshëve me Shqipërinë…
Ekzistojnë dy prirje për shkrimet për arbëreshët. Njëra dhe më e hershmja është hyjnizuesja, idealizuesja, madhështuesja. Në thelbin e saj kjo prirje ka një parti pris: arbëreshët janë aristokracia shqiptare e epokës së Skënderbeut, që u largua nga vendi për të mos iu nënshtruar sundimit otoman, duke e lënë Arbërinë pa elitë. Ata morën me vete edhe mbiemrat e lavdishëm, duke përfshirë edhe Muzakajt e mi, myzeqarët, veç Kastriotëve, Arianitëve, Dukagjinëve, Topiajve, Matrangëve, mbiemra që edhe sot janë të gjallë atje.
Në këtë prirje ka të vërteta të pamohueshme. Arbëreshët që u larguan nga vendi i tyre nuk ishin të varfrit, ku mund të gjenin anije e mikpritje më së pari. Ishin familje të mëdha, shpesh edhe patronimike. Por ka një pritje tjetër, që disa e quajnë dekodifikuese, disa çmitizuese, disa si kthim në realitet. Dhe kjo prirje është shqiptuar – për fat, se ndryshe do të lindnin paragjykime – nga vetë studiuesit me të shquar arbëreshë si Matteo Mandalà e Italo Sarro, miq të Fatmirit tonë. Këta arsyetojnë se arbëreshët u bënë fisnikë dhe zgjodhën mbiemra të hijshëm dy shekuj pasi u ndjenë në trojet e tyre të reja njësoj si vendësit, u pasuruan, bënë marrëveshje që i çlironte nga statusi i të ardhurit dhe atëherë doemos duhej të mendonin për të fisnikëruar edhe të shkuarën e tyre. Fatmiri nuk niset nga ndonjë prirje e paracaktuar, as për të krijuar a prishur mite, as për të idealizuar. Jo rastësisht ai e titullon librin “midis realitetit dhe mitit”. Kjo i jep origjinalitet veprës së tij.
Jo vetëm Fatmiri, por cilido nga ne po ta kishte shkruar këtë libër, nuk mund t’i shpëtonte një ndjenjë admirimi për botën arbëreshe. Vetëm E. Çabej mundi të përjashtonte emocionet në doktoratën e tij për italo-shqiptarët. Prandaj është e kuptueshme pse në librin e Fatmirit ka shumë dashuri, humanizëm, madje edhe mahnitje. Sepse ne të gjithë, sa herë që duam të provojmë se Aleks Buda kishte të drejtë kur formuloi tezën se Arbëria ecte në të njëjtin hap me Europën deri në pushtimin osman, i drejtohemi trashëgimisë arbëreshe. Dhe themi me bindje: ja, kështu kemi qenë, me një gjuhë brilante nga pastërtia, me balada që konkurrojnë motivet me të njohura të traditës gojore europiane, me stema e emblema, me histori e gjenealogji familjesh, që këndej Adriatikut u ndërprenë thuajse të gjitha. Merreni me mend, Tirana, Mati e Kruja grinden se kujt i takon stema e Skurajve.
Fatmiri ka pasur në duar një trashëgimi të shkëlqyer, të cilën e gjeti vetë, e koleksionoi vetë, e krahasoi vetë, e certifikoi vetë me burime të të tjerëve dhe e mbushi me frymë e dije. A na prish ndonjë punë admirimi i tij për arbëreshët? A duhet të jenë të gjithë doemos ose mitizues, ose çmitizues? Unë jam me mendimin e D. Agollit, i cili, më 1988, u tha arbëreshëve: “Ju jeni bijtë tanë (bijtë e Arbërisë) dhe etërit tanë (ata që na dëshmoni si kanë qenë të parët tanë). Po si mund të mos ketë simpati e empati midis etërve dhe bijve?”. Kryesorja është që përfshirja emocionale nuk e çon autorin në prishje të të vërtetave. Në librin e tij kemi njerëz të vërtetë, të të gjitha shtresave, që na japin shpirt e botë edhe ne. Prandaj urime Fatmir, ke qenë vërtet fatmirë, që zgjodhe këtë temë e nuk iu ndave, por dhe ne jemi fatmirë, që na e solle si libër tavoline!
Faleminderit që ngrite një urë të re mbi Adriatik!