Shporta juaj është bosh
Kur do të lexoja tregimet e tij të para, kisha një ndjesi dyzimi. Rrëfimet autobiografike ishin tejet ngacmuese, interesante mbi të gjitha për shkak të toneve të humorit, shpesh të errët e madje të zi aty-këtu. Por, isha gjithsesi e paqartë. E ndoshta, siç mund ta them nga një analizë e mëvonshme e pasi ia kisha lexuar të gjithë librat Ylljetit, paqartësia e fillimit kishte të bënte me rrafshet e ndryshme në të cilat vendosej lexuesi i këtij shkrimtari. Ishte një rrafsh ku lexuesit ndalnin dhe shijonin humorin dhe kaq.
Një rrafsh tjetër ishte ai i prirjes së natyrshme për të zbuluar se kush fshihej realisht pas aksh personazhi. Se Ylljeti shkruan për histori të vërteta. Herë është ai kryepersonazh e herë dikush tjetër që e ka njohur në një moment të caktuar të jetës. Herë të tjera personazhet s’i ka njohur drejtpërdrejt ama u ka njohur historitë. E atëherë, cilët të jenë? Kureshtja është grishëse. Pastaj është edhe një rrafsh i tretë e ndoshta rrafshi tek i cili duhet pohuar letërsia. Depërtimi në psikologjinë e personazhit, të njeriut, te filozofia e jetës e mbështetur te përditshmëria.
Të gjitha këto rrafshe janë terrene mbi të cilat hidhen themele ndërtesash, teksa tullat janë fjalë të thjeshta, gurë të marrë siç janë nga gurorja, të palatuar. Gati-gati është një gjuhë bisedore, krejt neutrale. A është letërsia kjo? E për më tepër, qarkullon ende sot një shprehje e vjetër se shkrimtari nuk bëka reportazh, se shkrimtari trillon, patjetër. Se raporti midis realitetit dhe trillimit duhet të jetë në favor të këtij të fundit. Por, pse të jetë kështu? Më vjen në mendje Varlam Shallamovi i cili në një dialog me Solzhenjicinin tha, pak a shumë, se realiteti i tejkalon kufijtë e fantazisë. Në fakt jo çdolloj realiteti, por disa herë shkrimtari ka një shqisë të tepërt, me të cilën mund të pikasë pikërisht atë realitet që në të vërtetë qëndron mbi fantazinë, sado që sytë e zakonshëm nuk e shohin. E këtu po flas për Ylljet Aliçkën në letërsi.
Shkëputur nga libri: "Dhomat pa mure".