Shporta juaj është bosh
TË RRËFEHESH PËR T'U MBROJTUR
- E kupton që
ende nuk të kam pyetur se me çfarë merresh në jetë?
- Unë në jetë
jam seropozitiv. Besoj se është e mjaftueshme, apo jo?
Bisedë nga
filmi “120 rrahje në minutë”
Në filmin “120 rrahje në minutë” (Francë, 2017), Robin Campillo rrëfen betejat me HIV/AIDS-in në Parisin e viteve ’90. Protagonistët janë aktivistë të shoqatës “ACT UP”, të cilët hyjnë në shkolla për t’u mësuar të rinjve parandalimin. Ose ndërpresin tubime politike për të thirrur se HIV-i ekziston dhe se nevojiten trajtime më të mira.
Më vonë, seriali amerikan “Pose” (FX Productions, 2018-2021), solli në vëmendje sallat e kërcimit të Nju-Jorkut, sërish në vitet ’80 dhe ’90, modelet, performueset drag dhe trans që konkurrojnë për të fituar trofe dhe pranim. Luftojnë me HIV/AIDS-in, drogën dhe paragjykimet. Dhe sërish aktivistët e “ACT UP” dhe homazhet celebruese nga Madonna dhe Malcolm Mclaren.
Që atëherë, gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht për personat që jetojnë me HIV-AIDS. Dhe Jonathan Bazzi me romanin “Ethet” tregon historinë e tij, me synimin për të përditësuar imagjinatën tonë
Që në rreshtat e parë, “Ethet” sjell jetën e një tridhjetëvjeçari, i cili zgjohet një ditë me një temperaturë 370C që nuk bie më. Duke filluar nga dita kur mësoi se kishte HIV-AIDS dhe që i ndryshoi jetën, autori na kthen pas në kohë, në origjinën e historisë së tij, në qytezën ku u rrit, në Rocano, periferia jugore e Milanos, streha e të droguarve, punëtorëve të krahut, familjeve të ardhura nga jugu për punë të varfërish.
Gjithçka është
e rrëfyer si në një roman. Një autobiografi ku veçantia e fjalëve përkon me
veçantinë e këndvështrimit.
Në rrëfim
Bazzi është tejet i saktë; nuk lë asgjë mënjanë, dëshiron të jetë sa më
transparent, si për faktet, ashtu edhe për reagimet dhe luhatjet e tij
emocionale, të shprehura me sinqeritet çarmatosës.
Dhe këtë e bën
me stil tejet personal, dhe me një sintaksë që kalon nga fjali të ngarkuara me nënrenditëse,
në fjali emërore, të befta dhe të thata. Proza e tij është nervoze dhe
jashtëzakonisht e kontrolluar, shumë larg emfazës dhe përpjekjeve për të mallëngjyer
lexuesin.
Në këtë kuptim, “Ethet” është një libër i rehatshëm për t’u përkthyer. Por në të njëjtën kohë është shqetësues dhe brutal.
Leximi i një historie si ajo e Jonathan Bazzi-t është një thirrje për të gjithë ata njerëz të padukshëm që e përjetojnë jetën apo sëmundjen si faj apo turp, sepse shoqëria në të cilën jetojmë na bën të ndihemi të papërshtatshëm nëse nuk përshtatemi me idenë e sotme të përsosmërisë.
Bazzi shkruan
për të mbrojtur veten, nga paragjykimet dhe stigma sociale rreth HIV/AIDS-it.
Përkthimi për lexuesin
shqiptar është një përpjekje për të rrëfyer jetën e një personi seropozitiv në
ditët e sotme. Kur HIV/AIDS-i është tashmë më shumë një sëmundje kronike dhe jo
më një dënim me vdekje. Me synimin që ndjeshmëria kolektive të shkojë
paralelisht me përparimet mjekësore.
Është një
thirrje për të hequr dorë nga miratimi i “të tjerëve”. Që vjen nga dikush që
është mësuar të jetë “i gabuar” kudo.
Mbi të gjitha
është një akt guximi në skenën italiane po aq sa në atë shqiptare.