Shporta juaj është bosh
Prof. dr. Emin Kabashi
Këshilltar shkencor
Instituti Albanologjik i Prishtinës
Një studim
përfshirës shumë i rrallë në kulturën tonë
(Fatmir Toçi, Arbëreshët midis realitetit dhe mitit,
Tiranë, 2021)
Përkufizimi
Studimi i Fatmir
Toçit për arbëreshët tanë, përthekon në tërësinë e tij, historinë tragjike të
kësaj pjese të popullit shqiptar, në një shtrirje kohore më shumë se pesë
shekullore. Në të njëjtën kohë, studimi i Fatmir Toçit, sistemon të dhëna të
tilla, edhe të panjohura deri tashi për lexuesin shqiptar, për vlerat e
kulturës shqiptare që kanë krijuar arbëreshët tanë, edhe pse ishin larg
atdheut.
Do të thotë, një
studim shterues historiko-kulturor, për një pjesë të popullit tonë, që kishte
përjetuar tragjedinë e zhvendosjes nën pushtimin e të huajve.
Tragjedi e
përgjakshme ajo e arbëreshëve tanë, që na është përsëritur në jetën historike
të popullit shqiptar, deri në vitin 1999, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me
luftën e saj, hoqi nga kujtesa jonë pushtimin sllav të Kosovës.
Po arbëreshët e
studimit të Fatmir Toçit ku janë?
Arbëreshët pjesë e historisë dhe kulturës shqiptare
Kur më ka rënë në
dorë studimi i Fatmir Toçit, Arbëreshët
midis realitetit dhe mitit -vështrim i shkurtër historiko-kulturor, isha stepur para shumësisë
përfshirës të informacionit shkencor e kulturor për arbëreshët. Pra, një
informacion themeltar, i domosdoshëm për një studim të mirëfilltë shkencor, në
të njëjtën kohë aq i munguar në studimet tona.
Lexuesi mahnitet me
të dhënat e informacionit shkencor e kulturor, që ka shfrytëzuar autori, jo
vetëm për të mbështetur dëshmitë e hulumtimit të tij, por në radhë të parë, për
të dëshmuar mbi bazë të burimeve, jetën historike të kësaj pjese të popullit
shqiptar jashtë trojeve të atdheut të të parëve të tyre, për të dëshmuar
përpjekjet e tyre për ta mbajtur gjallë kujtesën historike me vlera të kulturës
kombëtare, edhe pse “ne të huaj jemi të
ky dhé”, siç kishte thënë dy shekuj më parë Jeronim de Rada ynë i madh.
Studimi i Fatmir
Toçit është një punë e gjatë kohore hulumtuese, që kërkon durim dhe njohuri,
gjë që thënë më së buti, u ka munguar institucioneve tona shkencore këndej e
andej kufirit të tokave shqiptare. Këtyre institucioneve nuk iu ka munguar
vetëm durimi, por edhe përpjekja për ta bërë, për ta studiuar dhe për ta
njohur, si pjesë të kulturës shqiptare.
Prandaj, kur lexon
studimin e Fatmir Toçit, së pari njeriu i gëzohet këmbënguljes kërkimore
shteruese, mund të thuhet, jo vetëm për argumentimin e fakteve për mënyrën e
vendosjes së arbëreshëve në Kalabrinë dhe Sicilinë e sotme, por edhe për
argumentimin e lëvizjeve të mëdha kulturore, edhe para krijimit të Kolegjeve të
famshme arbëreshe në vitin 1732 dhe 1734, nga intelektualë që nuk u kishte
munguar vizioni atdhetar për përkatësinë e tyre, pra për përkatësinë e
identitetit kombëtar të arbëreshëve tanë.
Studimi i Fatmir
Toçit, Arbëreshët midis realitetit dhe
mitit, e dëshmon katërçipërisht se atje ishin krijuar themelet e para të
kulturës sonë kombëtare, se atje ishte ruajtur kujtesa historike e përkatësisë
kombëtare, se atje ishte krijuar kulti i heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut,
siç edhe kënga popullore për kryetrimin tonë, dhe, në fund të fundit, atje
ishin krijuar shkollat e para kombëtare të kulturës shqiptare.
Dua të them, mua më
lejohet të lexoj në këtë mënyrë hulumtimin shterues të Fatmir Toçit, edhe për
faktin se janë afro dyzet vjet që merrem me arbëreshët si pjesë e letërsisë
shqipe dhe kulturës shqiptare.
Burimet historiko-kulturore të jetës së arbëreshëve
Duke u marrë me
historinë e ngulitjes së arbëreshëve në tokat e Italisë, e cila në atë kohë
ende nuk ishte e bashkuar, Fatmir Toçi ka dhënë gjithë përmasën e shtrirjes së
këtyre ngulitjeve, qoftë në pronat që i takonin Skënderbeut, qoftë në hapësirat
e pafund të lëna djerrë, por që për arbëreshët ishin burim i mundësisë për ta
vazhduar jetën.
Në të dhënat që i
ka ofruar lexuesit, shihet qartë edhe ndikimi i kishës, sado që këtu ka gjëra
që mund të trajtohen edhe ndryshe. Në dokumente të caktuara qoftë ato të
burimeve arkivore, qoftë të studiuesve të ndryshëm, siç fjala vjen,
pikëvështrimi i Shuflajt për ndikimin e kishës katolike në jetën e arbëreshëve,
andaj mund të konstatohet se ruajtja e ritit bizantin të ngulitjeve arbëreshe,
i ka shpëtuar ata nga asimilimi.
Fatmir Toçi në
studimin e tij, duke folur për shtrirjen e ngulitjeve arbëreshe, ka ofruar të
dhëna për praninë e arbëreshëve në periudha të caktuara kohore, si edhe për
mënyrën e organizimit të jetës së tyre në ato mjedise.
Në literaturën e
gjerë që ka shfrytëzuar, e pashoqe deri në kohën e botimit të këtij studimi,
autori ka shtjelluar me kompetencë sidomos përgatitjet për epokën e Rilindjes
kombëtare, për çka mund të thuhet se ishte pjellë e mundësisë së shkollimit të
arbëreshëve, sidomos në dy Kolegjet e tyre, atje ku mbanin mësim edhe disa nga
emrat më të mëdhenj të kulturës sonë kombëtare, si Guxeta, Dorsa, De Rada, e
shumë të tjerë.
Një e veçantë
tjetër e të dhënave burimore që ka ofruar autori i këtij studimi, është edhe
pjesëmarrja e arbëreshëve në jetën e brendshme të Shqipërisë së kohës, qoftë me
praninë e tyre ushtarake, qoftë me vlerat e tyre kulturore, por qoftë edhe me
përpjekjet për të organizuar qëndresën ndaj pushtuesve osmanë të kohës.
Një pjesë e
burimeve, që ia kanë tërhequr vëmendjen autorit, flasin mbi bazë të dokumenteve arkivore, por edhe mbi
bazë të veprave të shkruara, se intelektualë të caktuar, ia kishin kushtuar
jetën jo vetëm shkollimit të rinisë arbëreshe, por edhe mbajtjes gjallë me çdo
kusht dhe me çdo çmim të atyre kolegjeve, siç ishte rasti, fjala vjen, i
Domeniko Belushit, nën drejtimin e të cilit janë shkolluar Jeronim de Rada,
Vinçenco Dorsa, Domeniko Damsi, Anxhelo Bazile, Domeniko Mauro, Domeniko
Strigari, e shumë të tjerë, (147), në mesin e të cilëve edhe disa nga djalëria
e shqiptarëve që kanë bërë emër në jetën tonë historike, si në frontin e
qëndresës në luftë për çlirimin kombëtar, qoftë në frontin e ngritjes së
kulturës kombëtare.
Kur nën ndikimin e
Francesko Krispit, Kolegji i Shën Adrianit shndërrohet në Institut
mbarëkombëtar arbëresh, ishin krijuar kushtet edhe për shkollimin e më shumë se
njëqind të rinjve nga atdheu i të parëve të arbëreshëve. Ndër këta emra vlen të
përmenden Kol Kamsin, Luigj Gurakuqin, Ndoc Martin Camajn, Avni Rrustemin,
Mehdi Frashërin, Spiro Kolekën, Gjikë Kuqalin, Gaspër Mërturin, Kostaq Cipon,
Aleksandër Xhuvani, Sejfullah Malëshova, e shumë të tjerë. (157). Kurse në anën
tjetër, deri dje shteti i vetëm shqiptar, Shqipëria, kurse që nga viti 2008
edhe Kosova, nuk u kujtuan asnjëherë që të hapin dyert e të krijojnë kushte për
shkollimin, nëse jo të njëqind studentëve arbëreshë, atëherë së paku të dhjetë
prej tyre, qoftë edhe për efektin e punës së mësuesit në shkollat arbëreshe.
Përfundim
Studimi voluminoz i
Fatmir Toçit Arbëreshët midis realiteti
dhe mitit, vështrim i shkurtër historiko-kulturor, që në titull lë të
kuptohet, se përkundër gjithë kësaj pune të madhe hulumtuese, studimi është një
vështrim i shkurtër historiko-kulturor.
Kjo, edhe mund të
jetë kërshëri e modestisë së autorit, por lexuesi që ka në dorë një vepër të
këtillë, me tërë atë strukturë dokumentuese, me gjithë ato burime arkivore dhe
shkrimore të disa proveniencave, nga ato kishtare, tek ato historiko-kulturore,
me atë armatë autorësh, me të cilët është marrë, qoftë duke konsultuar veprën e
tyre, qoftë duke cituar dhe duke u mbështetur në të dhënat që ofrojnë,
dëshmojnë se kjo është një punë e madhe në fushën e hulumtimit shkencor të
kësaj pjese të historisë dhe kulturës shqiptare, të arbëreshëve tanë.
Vepra studimore e
Fatmir Toçit ofron një bibliografi shteruese, në gjithë gjerësinë e
interesimeve diturore, sidomos të autorëve arbëreshë, që nga Jul Variboba e
deri të Francesko Altimari e Mateo Mandala, dy prej studiuesve të rrallë e të
mëdhenj të kulturës, letërsisë, historisë dhe të shkollës shqipe të arbëreshëve.
Kjo e dhënë e
shfrytëzimit të burimeve historiko-kulturore arbëreshe, dëshmon për punën e
madhe hulumtuese të Fatmir Toçit në mbarështimin e lëndës së tij studimore në
këtë vepër. Qoftë edhe vetëm për këto pak të dhëna dhe fakte që janë zënë në
gojë me këtë rast, vepra e Fatmir Toçit Arbëreshët
midis realitetit dhe mitit, vështrim i shkurtër historiko-kulturor i bën
nder dijes shqiptare, i bën nder kërkimit shkencor shqiptar, si dhe i bën nder
përpjekjeve të gjithë atyre studiuesve, si Fatmir Toçi, që janë të gatshëm të
sakrifikojnë kohën, mundin dhe djersën për të ndriçuar rrugën tragjike të
ekzistencës sonë historike, pjesë e së cilës, ndër më tragjiket është edhe ajo
e arbëreshëve tanë.
Prishtinë,
më 21.4.2022