“ARBËRESHËT MIDIS REALITETIT DHE MITIT: VËSHTRIM I SHKURTËR HISTORIKO-KULTUROR” E AUTORIT FATMIR TOÇI - NJË VEPËR E NIVELIT AKADEMIK EDHE NË RRAFSHIN KRAHASIMTAR

Përgjegjës i Bibliotekës Universitare “Nermin Vlora Falaschi”, Vlorë

 

Monografia “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit: vështrim i shkurtër historiko-kulturor” e autorit Fatmir Toçi është fryt i një pune të gjatë dhe pasionante në terren, të shtrirë në kohë dhe në hapësirë, atje ku ka pasur dhe ka ngulime arbëreshe nga “Gjaku i shprishur” i Motit të Madh nëpër qytete apo katunde të gadishullit Apenin. Parë nga pasuria dhe besueshmëria e aparatit bibliografik, kjo monografi është një vepër e nivelit akademik edhe në rrafshin krahasimtar, punimi më i dashur dhe më i plotë i deritanishëm për arbëreshët e Italisë, realizuar nga një njohës gati shterues i botës kulturore dhe historike të tyre, siç është Fatmir Toçi.

Në këtë dialog me librin, sa të lartë, aq të dobishëm, kuptoj privilegjin dhe ndiej përgjegjësinë e ekonomisë së fjalës së zgjedhur në këtë mjedis të fisnikëruar nga shkencëtarë, profesorë të albanologjisë, historianë të njohur, intelektualë, pedagogë dhe studentë të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, njerëz të letrave, miq të librit dhe dashamirës të tij.

Falënderoj për mundësinë e këtij diskutimi të shkurtër rektorin e Universitetit prof. dr. Roland Zisi, ndër studiuesit më të shquar të letërsisë shqipe, si zonjën Irena Toçi, që si ai kalliri i pjekur i grurit, ka sfiduar me punë që të jetë presidente e Botimeve Toena.

Kujtoj vitet ’90 të shekullit të kaluar, më saktë 29 majin 1993, kur unë, nga vërshimet botuese të kohës, përzgjodha dhe bleva librin “Fjalor Italisht - Shqip, Shqip - Italisht = Dizinario italiano - albanese, albanese - italiano” me 20.000 fjalë të autorit Fatmir Toçi, me redaktorë Shpëtim Çuçka dhe Ramazan Hysa, me 350 faqe, që edhe sot e kësaj dite e përdor kur kam nevojë, si libër doracak. Sepse m’u desh, vetëm pak muaj më vonë, bleva libërthin “Foljet e gjuhës italiane: 638 folje të rregullta, të parregullta, jovetore e mungesore të zgjedhura pa shkurtime” po të autorit Toçi, me redaktorët e nderuar Çuçka dhe Hysa, me 136 faqe. Ky tekst ende, sot e kësaj dite, përdoret si literaturë plotësuese edhe nga studentët tanë të italishtes.

Fatmir Toçi është intelektual dhe veprimtar i shquar shoqëror, ndihmëtar i spikatur i kulturës së shkruar shqipe, njeri i njohur i botës së librit dhe botimit të tij, autor tekstesh enciklopedike dhe historike - kulturore, si edhe botues me vizion që ka njohje ndërkombëtare.

Monografia “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit: vështrim i shkurtër historiko-kulturor” me 486 faqe e autorit Fatmir Toçi, që Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë dhe Botimet Toena kanë mirësinë e organizimit të këtij përurimi të vlertë, është një libër i nivelit akademik me karakter informues, vështrim i duhur krahasimtar, që ka referenca të bollshme nga studiues të huaj dhe shqiptarë, me shënimet përkatëse në fund të faqeve, bibliografi, uebografi, indekse/ tregues i emrave të njerëzve dhe toponimesh/ tregues i emërvendeve, faksimile, skema, harta, tabela, foto, etj. Kjo monografi, parë në rrafshin e shkencës së Bibliotekomisë, klasifikohet në tekstet ndërdisiplinore, ku gërshetohet harmonishëm fusha e kulturës, etnologjisë, etnografisë me zakonet, doket, traditat, mënyrën e jetesës, ritualet, ritet, folklorin, me mitologjinë dhe shkencën e historisë, shtrirë në kohë dhe hapësirë të përcaktuar që gjeografikisht rrok Shqipërinë dhe Italinë, qysh herët në kohën ilirike, por theksueshëm periudhën e shek. 13-15-të, ku në fokusin e autorit janë zhvendosjet masive të arbëreshëve të Italisë në tokën italiane, pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, deri në ditët tona.

Në këtë kontekst, më vjen ndër mend një fjalë e urtë që përdoret në këto vise: “Më thuaj me kë rri, të të them cili je”. Në stafin realizues të këtij libri, shikojmë recensentë, emrat e akademikëve Rexhep Qosja e Francesco Altimari, prof. dr. Matteo Mandala dhe prof. dr. Pëllumb Xhufi, redaktorë shkencorë Akademik Gjovalin Shkurtaj dhe prof. dr. Rami Memushaj. Komentet e tepërta janë të panevojshme.

Përveç dashurisë dhe pasionit që ka autori, të ardhur edhe gjenetikisht, libri, përveç laboratorit të punës, përgatitjes, përzgjedhjes, shfrytëzimit të literaturës së shumtë dhe po aq të verifikueshme e të besueshme shkencërisht, është ndërtuar sidomos si rezultat i vëzhgimeve të shumta në vijueshmëri kohore, vizitave dhe takimeve me banorë të thjeshtë arbëreshë, jo vetëm në Palermo, Kozencë, L’Aquila, ku ka ngulime arbëreshe, të njohura apo kripto, me banorë të moshave të ndryshme, pleq, plaka, burra, gra, vajza e djem të besueshëm për kujtesën e tyre

Këto vizita kanë arritur në nivelin e ekspeditave kërkimore - shkencore vetjake dhe mund të themi se Toçi është misionar i miqësisë midis popujve edhe në këtë libër, sepse trajton përbashkimet dhe jo përveçimet etnokulturore, nuk u mëshon konflikteve, përplasjeve fillimtare apo edhe në vijim, sepse nëpërmjet këtij libri autori do t’i përçojë brezave edhe mesazhe humane.

Këtë libër mund ta shikojmë edhe si tufë me lule të bukura dhe të freskëta mirënjohjeje dhe falënderimi që, në emër të shqiptarëve, Toçi guxon, merr përgjegjësinë dhe me dinjitet e përgatit dhe dhuron nëpërmjet fjalëve të vërteta për popullin italian, mirëkuptimin dhe harmoninë që u shtresëzua midis ardhësve dhe vendasve, midis nesh dhe atyre, nëpër shkulmat e furtunave të kohës, dhe u arrit në këtë bashkëjetesë qytetare të paparagjykueshme sot e kësaj dite, as nga italianët, as nga shqiptarët e italianizuar, arbëreshët e Italisë, sepse përgjatë rrjedhave të shekujve janë ndërtuar ura të forta komunikimi dhe jo mure të errëta izolimi. Ato ura komunikimi janë mirëmbajtur, sepse dy bashkësitë shkojnë si fqinjë dhe miq të mirë, marrin e japin nga kultura e njëri-tjetrit me identitetin përkatës, arbëreshët nuk ngacmohen, nuk shikohen si njerëz të dorës së dytë, por janë të integruar si të barabartë me vendasit italianë deri në nivelet më të larta të kulturës, shkencës, ekonomisë, politikës etj., dhe ky fakt ne na bën të ndihemi të pashqetësuar kombëtarisht apo ekonomikisht me ikësit tanë biblikë drejt gadishullit Apenin. Në një vështrim të përgjithshëm, monografia trajton historinë migruese të arbëreshëve, vuajtjet dhe vështirësitë e tyre për t’u ambientuar në vendbanimin e ri, gjendjen e tyre politike, shoqërore, ekonomike e kulturore, që nga koha e migrimit e deri sot.

Në libër është trajtuar në mënyrë të përmbledhur prania e ngulimeve arbëreshe në 17 krahina të Italisë së sotme, nga 20 të tilla gjithsej, ilustruar me hartën përkatëse për secilën krahinë e provincë italiane, si edhe listimi i 534 vendbanimeve me gjurmë arbëreshe nga 50 të tilla që njihen zyrtarisht sot.

Nuk janë 50 vendbanime me gjurmë arbëreshe siç njihen zyrtarisht sot, por 534, tashmë të dëshmuara edhe në librin “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” të Fatmir Toçit. Ky është vetëm njëri prej konstatimeve që nxjerr libri, i cili siç shkruan edhe në kopertinë, është “vështrim i shkurtër historiko-kulturor”.

Pra, arbëreshët jetojnë në 20 krahina të Italisë, por thuajse të gjithë janë përpjekur të ruajnë identitetin e tyre. Flasim për arbëreshët, për sfidën e tyre drejt përshtatjes me atdheun e ri, pa harruar gjuhën, muzikën, vallet dhe shumëçka nga kultura e tyre. Historinë emigruese të arbëreshëve e sjell në një hartë ku nuk mungon ekonomia, kultura, historia dhe kontributi i tyre, Fatmir Toçi.

Është e mbarënjohur në Shqipëri, po ashtu është e vlerësuar, letërsia arbëreshe, para dhe pas periudhës së Rilindjes dhe po aq të dashur për ne shkrimtarët e shquar arbëreshë me shkëlqimin e Jeronim De Radës, nga drita ndërkombëtarisht e qartë, edhe sot e kësaj dite, ngrohemi edhe ne punëtorët e mirë të letrave, por Fatmir Toçi na i sjell edhe si një prurje me vlera të antropologjisë kulturore.

Jam ndier mirë që autori ka trajtuar me korrektësi dhe qytetari lëvizjen e intelektualëve arbëreshë për pavarësinë e Shqipërisë dhe rolin e arbëreshëve në historinë e re të Italisë. Siç shprehet autori, “Arbëreshët e Italisë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e çështjes kombëtare shqiptare në tërësi dhe, në mënyrë të veçantë, për pavarësimin e Shqipërisë për ta shkëputur nga pushtimi otoman për gati katër shekuj e gjysmë”.

Jo thjesht si dije e regjistruar në përshkrimin bibliografik që bëjmë në sistemin ndërkombëtar të unifikuar të bibliotekave, por do të shprehesha se libri “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” do t’i bënte nder edhe bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi” ta kishte në fondet e saj të hapura në funksion të studentëve, pedagogëve dhe studiuesve tanë.

 

Faleminderit!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 


Shpërndaje