Shporta juaj është bosh
Meqenëse
në mesin e kësaj veprimtarie e gjej emrin tim si folës përfaqësues të Klubit të
porsakrijuar të Krijuesve letrarë të Elbasanit, jam i detyruar e i dëshiruar e
të flas nga lëkura e tyre:
Libri
i Fatmir Toçit, kjo prurje dinjitoze në literaturën historike e kulturologjike
shqipe, është një libër gjithëpërfshirës e shterues për arbëreshët, deri tani,
sipas perceptimit tim dhe më befason që autori e quan si një: “Vështrim i
shkurtër historiko-kulturor”.
Po
perifrazoj, duke metaforizuar esencën e asaj çka kumton prof. Rexhep Qosja:
Libri
“Arbëreshët - midis realitetit e mitit”, është një “libër i rëndë”, sigurisht
jo nga pesha. Dua t’i përqas përjetimet e leximit me ndjesinë sikur vërej me
teleskop një Yjësi që shkreptin herë pas here me supernovat e pasionit,
energjisë, erudicionit, diturive e këmbënguljes e durimit vullnetmadh,
thellësisë së mendimit, shqiptarisë në gjen dhe njëkohësisht, edhe ftohtësisë
distancuese të studiuesit e dijetarit... gjithçka e porsazbuluar befasisht e
lumturisht për mua, nga adashi, Fatmir Toçi, i cili, në këtë pjesë të qiellit
të madh gri e të hershëm të historisë së këtij kombit tonë halleshumë, si një
Galile na zbulon mrekullitë e Yjësisë “Arbëreshët”... një Yjësi paksa
misterioze, që s’di pse më përqaset disi me yjësinë e “Virgjëreshës”, mbase se
s’është prekur rëndomtë si yjësitë e tjera!
Ejani
e zhytuni në këtë Yjësi, jo vetëm ju që dini pak, po edhe ju që dini shumë për
Arbëreshët, për “gjakun tonë të shprishur”!
Pooo...
tashmë Yjësia “Arbëreshët” ka lindur, është mbledhur që në zanafillën e saj,
ashtu e hapërdarë siç ishte nëpër Botë, si Mjegullnajë kozmike, është plotësuar
e shtuar, është konceptuar e sistemuar si një e tërë dhe ja, na ka zbritur këtu
në këtë habitat dijesh, në këtë amfiteatër, të Universitetit të Elbasanit! (E
ku më mirë se në një amfiteatër mund të luhen e përkujtohen tragjeditë e
mëdha?!)
Doni
të dini ç’duhet ditur për këtë Yjësi me emrin përshkënditës, “Arbëreshët”?! Ja
ku është! Ja ku e keni! Gjithçka është këtu! E shteruar, deri tani, po jo deri
në përjetësi, sepse edhe yjësitë evoluojnë! Dhe Yjësinë “Arbëreshët”, të rritur
dyfish, sapo mësuam se do ta kemi së shpejti në meditoriumet tona!
Dhe
ja një nostalgji e imja që ma sjell në mendje ky libër.
-
Student 23-vjeçar i gjuhë-letërsisë në Tiranë, në vitin e tretë të vitit 1977.
Prof. Zihni Sako, drejtor i Institutit të Folklorit organizoi një ekspeditë
folklorike njëmujore në krahinën e Vërçës së Gramshit. Ne studentët ishim të
pajisur me formularë anketash rigoroze shkencore për të mbledhur
shumëllojshmërinë e folklorit. Gjatë kohës që ishim në ekspeditë filloi të qarkullonte
shprehja te të moshuarit e zonës: “Po vinë ata çunat që mbledhin kërka”.
Në
fund i dorëzova prof. Sakos vandakun e anketave të mbledhura, duke i thënë: -
Ja profesor, Kërkat e zonës së Vërçës, siç u thonë pleqtë e vjetër këngëve! Dhe
i befasuar, mbaj mend që më thotë: “Kështu e shqiptonin, ‘Kërkë’, fjalën ‘Këngë’
edhe arbëreshët e Italisë, është zonë e konservuar dhe ende ruan format e
lashta të shqiptimit!”
Ja,
ky është “Gjaku ynë i shprishur” që na e ka qëmtuar e mbledhur pikë-pikë, me
durim e dashuri e po na e servir kaq mrekullisht në këtë libër, këtu, tek “E
bukura Morê”, miku ynë, Fatmir Toçi!
Po
na e shërben në këtë libër që, s’e di pse po më duket edhe si një epruvetë që
ndryn në vete ADN-në tonë të lashtë e na bën të ndihemi krenarë edhe
shkencërisht e jo thjesht e vetëm folklorisht, për këto rrënjë tonat të
hapërdara kurdo e ngado e na bën të ndihemi kaq mirë!
Faleminderit, Fatmir Toçi!
Elbasan, më 20 janar 2022.