Shporta juaj është bosh
Epoka e internetit na ka kushtëzuar jetët tona në
dhjetëvjeçarin e fundit dhe mund të thuhet me plot gojën se shumica jonë, në
përditshmëri, jemi kthyer në konsumatorë fast-food të internetit,
nëpërmjet lajmeve, mediave sociale e gjithçka tjetër.
Lajmet, lidhjet me njerëzit, ndodhitë e botës, i marrim
në kohë reale dhe ashtu siç na serviren nga ky zhvillim teknologjik, që ka
marrë përmasa mbarëbotërore në shekullin XXI. E prandaj, leximi i një libri, të
kthen pas, sadopak, në kohë e të rikujton kur me një të tillë në dorë, shihje
ende njerëz nëpër rrugë, ulur nëpër tavolina lokalesh, ndoshta edhe nëpër stola
apo duke udhëtuar me autobus. Aq më tepër kjo dukuri të kthen pas në kohë, kur
bëhet fjalë për leximin e një libri në gjuhë të huaj, për të mos folur për
përkthimin e duhur të një libri cilësor, në mënyrë që të na mbajë lidhur nga
fillimi deri në fund.
Nëse kërkohet të rikujtohet paksa kjo kohë e dashur nga
gjithkush prej nesh, “Kodra magnetike” ta ofron më së miri këtë. Vetë leximi
dhe shijimi i librit, e pastaj edhe përkthimi i tij, të lë ndjesinë e mirë që,
më në fund, kuptimi i bashkëkohores të shtrihet në të gjitha nivelet: narrativë
fantastike jolineare me përmbajtje të ditës dhe aftësi imagjinuese dhe
përshkruese tepër të larta nga ana e autores, kurse sa për përkthimin, aty
përfshihet endja nëpër vende që më parë janë shkelur vetë me këmbë, përshkrimi
i tekstit me realizmin që përmban ai në vetvete nëpër dialogë dhe rrethana, apo
edhe rikujtim i aftësive gjuhësore të fshehura nëpër cepat e humbura të trurit.
Të gjitha këto së bashku të ofrojnë atë ndjesinë e mirë
që një realitet i prekshëm jo nga të gjithë lexuesit, të vijë menjëherë pranë
dhe atyre t’u krijohet ideja që janë pjesë e realitetit të një shoqërie tjetër,
pa u vënë në vështirësi nga përditshmëria që jetojnë. Edhe përkthimi këtë është
përpjekur të transmetojë, të jetë sa më i afërt me realitetin hungarez dhe të
sjellë në shqip në versionin sa më të prekshëm të mundshëm të ngjarjeve të një
mjedisi tjetër. Ndonëse kontakti i drejtpërdrejtë me autoren e librit ka
munguar, sërish trajtimi që ajo i ka bërë situatave, bën që çdokush, dhe aq më
tepër përkthyesi, të vendosë pa vështirësi veten në situatat në zhvillim të
librit. E gjitha kjo, duke iu përshtatur kohës së ngjarjeve, vitet 1999-2002,
saktësisht në vigjilje të shpërthimit të internetit masiv në jetët tona.
Dhe së fundmi, me gjithë vështirësinë e përkthimit të një
gjuhe të veçantë jo indoeuropiane, siç është gjuha shqipe, me këtë libër
arrihet pa dyshim në përfundimin se letërsia hungareze duhet të jetë sa më e
pranishme në tregun shqiptar të librit.