SHËNIME MBI NJË VEPËR TË ÇMUAR


Vepra “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” e studiuesit Fatmir Toçi, është një prurje shumë e vlefshme, që zë vend me dinjitet pranë veprave më të rëndësishme historiografike të literaturës shqipe të këtij zhanri. Për t’u ngjizur e dalë në dritë kjo biografi e madhe kolektive është dashur puna e më se një dekade. Autori e ka ndërtuar punën e tij mbi disa drejtime. Së pari, mbi studimin e imët të burimeve të shkruara e të botuara në kohë të ndryshme si libra, monografi të ndryshme, artikuj studimorë, fonde dokumentare etj. Së dyti, prekja e realiteteve të gjalla, kontaktet me vendbanimet arbëreshe, udhëtimet e pafundme nëpër komuna dhe institucione, shfrytëzimi i arkivave, komunikimi me persona dhe grupe njerëzish në të gjitha krahinat e Italisë nga Sicilia në Torino, duke prekur nga afër 534 vendbanime me gjurmë arbëreshe nga 50 të tilla që njihen zyrtarisht sot. Vepra është strukturuar në dy pjesë. Pjesa e parë titullohet “Arbëreshët, një histori mbijetese”, ndërsa pjesa e dytë “Ngulimet arbëreshe”.

Në pjesën e parë autori ka trajtuar dukurinë e përjetshme dhe të përbotshme të emigrimeve dhe eksodeve, duke theksuar përmasat e mëdha të eksodit shqiptar si një kohë etnokulturore e rrallë në historinë europiane. Këtu parashtrohen shkaqet e emigrimit, zanafilla e kësaj lëvizjeje, duke bërë edhe retrospektivën e kontakteve mes dy brigjeve të Adriatikut. Jepen gjithashtu edhe valët emigratore të trajtuara edhe nga studiues të mëparshëm, por tashmë në një këndvështrim më të qartë e të kthjellët, pasuruar me informacion të ri e të panjohur më parë. Në këtë pjesë, që është më e rëndësishmja, sepse përveç karakterit informues dhe paraqitës, ka edhe karakter degresiv, jepen shembuj konkretë që pasqyrojnë fate familjesh apo fisesh të tëra në dheun e huaj, sfidat me të cilat u përballën arbëreshët, lufta e tyre për mbijetesë, qëndresa ndaj asimilimit, krijimi i ngulimeve etj. Vëmendje e madhe i është kushtuar rolit që luajtën disa faktorë në parandalimin e asimilimit të plotë; ndër ta përmendet gjuha, kultura, traditat, si dhe roli i krishtërimit të ritit bizantin. Në këtë telajo mahnitëse të një vendkohe të pazakontë për fatet e një populli të tërë, autori Toçi ka vendosur disa spikama të ndritshme. Së pari, kemi të pranishme hijen e Skënderbeut dhe fuqinë thuajse magjike të ndikimit të kësaj figure madhështore në fatet e arbëreshëve, tashmë thuajse në mëshirën e valëve të një oqeani që përpin e përthith çdo ekzistencë humane a identitet që vjen nga matanë detit. Por kemi edhe familjen “Durazzo”, pjesëtarët e së cilës shndërrohen nga emigrantë në kryeministra të Gjenovës; apo familjen “Albani” të Urbinos dhe Papa Klementin XI. Natyrisht këta individë, të cilëve u shtohen edhe një galeri e tërë klerikësh të ndritur apo letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh, historianësh, njerëz të politikës etj., dëshmojnë vlerat e larta të arbëreshëve si pjesë integrale e popullit shqiptar, duke u bërë dëshmi e ekzistencës së një kombi të dinjitetshëm e madje të lavdishëm. Me mjaft interes janë informacionet që autori sjell për gjendjen e gjuhës dhe të arsimit të arbëreshëve si edhe rrjetin arsimor në Sicili e Kalabri në shek. XVIII, si edhe letërsinë arbëreshe para dhe pas Rilindjes. Këtu zë një vend qendror Jeronim de Rada, si një figurë e pashmangshme shumëpërmasore në mbarë kulturën tonë kombëtare. Me një qartësi dhe intuitë të lartë autori jep rolin e individëve të spikatur arbëreshë në dy drejtime të anasjella: 1) Lëvizja e intelektualëve arbëreshë për pavarësinë e Shqipërisë; 2) Arbëreshët në historinë e re të Italisë. Një shqetësim që autori Toçi përcjell në pjesën e parë të kësaj vepre është çështja e dhimbshme e asimilimit. Ky fenomen i trishtë ka rrjedhur për shkaqe të pashmangshme objektive, të cilat janë shënjuar dhe analizuar në detaje. Përballë kësaj gjendjeje alarmante për kulturën tonë, shkrimi kthehet në një lloj kushtrimi për të parandaluar më të keqen; për të shpëtuar çfarë është e mundur, për ta rimbjellë farën e identitetit arbëresh e për ta shumuar e mbarështruar në kushtet e reja kur ekziston edhe përkrahja nga ligjet e shtetit italian.

Pjesa e dytë ka një informacion shumë të dendur. Duke qenë thellësisht informuese dhe paraqitëse shpesh paraqitet detajuese dhe nganjëherë edhe statistikore. Për këtë arsye është e pajisur me harta, me shumë pamje objektesh, por edhe me statistika, referime dhe shënime të nevojshme për përçimin e plotë të informacionit. Në mënyrë që të jepet një tablo e shpërndarjes së arbëreshëve në të gjithë Italinë, është trajtuar prania e ngulimeve arbëreshe në 17 krahina, nga njëzet të tilla.

Një kapitull i veçantë i është kushtuar ndarjes kishtare, institucioneve fetare dhe rolit të kishës së ritit bizantin për ruajtjen e identitetit arbëresh.

Në kompozimin e këtij libri të vlertë bien në sy dy elementë të rëndësishëm. Së pari, disiplina akademike dhe akribia e përdorur nga autori. Kjo e ka bërë shumë të rëndësishme veprën, pasi në brendinë e saj janë sjellë të dhëna të panjohura më parë, aq sa akademiku Rexhep Qosja shprehet: Duke na sjellë të dhëna të pamësuara përpara për të kaluarën dhe të sotmen, për gjuhën, kulturën, qytetërimin e tyre, Fatmir Toçi, në librin e tij jashtëzakonisht të rëndësishëm, më të madhin me përmbajtje, me të dhëna, me të reja, me mendime, me të vërteta, me vlerë për arbëreshët deri sot, i ka pasuruar dijet tona për të shkuarën, të përtashmen, për fatin e tyre, kur të lavdishëm e kur tronditës gjatë shekujve të pasmërgimit, por edhe i ka shtuar, i ka pasuruar, i ka thelluar edhe ndjenjat tona ndaj vëllezërve tanë të lashtë- arbëreshëve, italoshqiptarëve të Italisë; përveç kësaj, ka saktësuar dhe hedhur dritë edhe më shumë në informacione që mund të ishin dhënë më parë, por jo me këtë thellësi dhe saktësi. Referencat e bollshme, shënimet, hartat, diagramet, bibliografia, treguesi i emrave të përveçëm janë aspekte disipline dhe saktësie të thellë shkencore.  Elementi i dytë, mjaft i rëndësishëm, është aspekti shkrimor, kultura gjuhësore, fraza e pasur dhe e zhdërvjellët, gjë që flet për një autor me përvojë, që ka aftësinë të shkriftojë, falë marrëdhënieve të mira me fjalën, edhe tekstet “e rënda” të stilit shkencor.


Shpërndaje