Xhorxh Gordon Bajron
Xhorxh Gordon Bajroni lindi në Londër më 1788, në një familje aristokrate të rënë nga vakti. Mësimet e para i mori në Aberdin. Më 1801 në Harrou studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Më 1805 filloi studimet në universitetin e Kembrixhit. Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare. Po këtë vit ndërmori një udhëtim nëpër Europë, dhe shkroi Çajld Haroldin. Në vitin 1823 Bajroni u nis për në Greqi ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve. Nuk arriti të shikonte çlirimin e saj sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj më 19 prill 1824 në moshën 36-vjeçare. Veprat e tij kryesore janë: vëllimet poetike Vargje që arratisen dhe Orë përtacie; vjershat Ëndrra, Errësira, Prometeu; poemat Gjauri, Nusja e Abidosit, Korsari, Lara, Rrethimi i Korinthit dhe Parisina etj. Ishte poeti dhe satiristi anglez, personaliteti dhe poezia e të cilit pushtoi imagjinatën e Europës; emri i tij u bë simbol i melankolisë më të thellë romantike nga njëra anë, si dhe i aspiratave të liberalizmit politik, nga ana tjetër.