Eqerem H. Canaj
Eqerem Canaj ka lindur në shkurt të vitit 1944, në fshatin Mesaplik, Vlorë. Ka kryer arsimin e lartë, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dega “Gjuhë-Letërsi Shqipe”, në vitin 1975. Ka shërbyer në arsim prej 46 vjetësh si mësues dhe si drejtor shkolle, në fshat dhe në qytetin e Vlorës.
Ai është marrë me krijimtari letrare, qysh nga viti 1977, me botimet në revistën “Nëntori”, gazetat “Drita, “Rinia”. Për novelën “Vlora-Vlora”, 1982, në konkursin Kombëtar të Pavarësisë, ka fituar Çmimin e Dytë. Ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë. Në vitet 2011-2015, ka drejtuar Shoqatën e Shkrimtarëve “Petro Marko”, Vlorë. Për krijimtarinë e bollshme e të suksesshme, ka fituar disa Çmime të para e të Dyta përgjatë konkurseve kombëtare dhe lokale. Është dekoruar nga Shoqata “Labëria”, Bashkia e qytetit Vlorë, nga Qarku Vlorë, shoqatat “Petro Marko” dhe “100-vjetori i Pavarësisë”.
Vepra letrare e shkrimtarit E. Canaj është marrë në studim nga Katedra e Gjuhësisë Tiranë (prof. dr. Rami Memushaj, 2013), nga Universiteti i Vlorës (prof. dr. Nexhip Mërkuri, 2014-2015) përkatësisht: “Gjuha dhe stili në veprat e Eqerem Canajt” dhe “Vështrimi i gjuhës së Eqerem Canajt sipas semantikës gjenerativiste”. Deri në vitin 2018 ka realizuar 30 botime në të gjitha gjinitë letrare.
Romanet “Çatia e gjarpërinjve” dhe “Rebeli”, si dhe vëllimi poetik “Gjethi i kuq” janë promovuar në Londër.
Eqerem Canaj ruan statusin “Prozator i Jugut”.