Arta Marku

Arta Marku, gazetare dhe kritike letrare, e pati startin profesional në vitin 1993 në gazetën “Koha Jonë” për të vijuar me gazetat e tjera më në zë në vend sikurse “Gazeta shqiptare”, “Shekulli, “Panorama” etj, gjithnjë me fokusin te kultura. Si kryeredaktore ka drejtuar revistat “Aks”, “Spektër”, “Psikologji”, “Shije” dhe “Letra nga diaspora”. Prej viti 2014 drejton në RTSH programin televiziv mbi librin “Bibliotekë” dhe në Radio Tirana programin radiofonik “Palimpsest”. Si një format i ngjashëm me “Bibliotekën”, por në mjedise të hapura duke ndërvepruar me një publik të interesuar për letërsinë, ka organizuar takimet “AGORA”.

Me qëllimin e qartë për nxitjen e leximit në vend ka bërë takime të shpeshta nëpër gjimnazet e Tiranës, ku është diskutuar mbi libra të ndryshëm, shpesh herë në shoqërinë e autorëve të tyre. Ka qenë pjesë e jurive të ndryshme gjithnjë në konkurse mbi librin dhe letërsinë, sikurse Çmimet Komëbtare Letrare, Çmimet e Panairi të Librit të Tiranës, Poeti Laureat apo konkurse dorëshkrimesh mes të cilëve edhe të shkrimtarëve debutues.

Është autore e librit me tregime “Kthinat e kujtesës”; e përmbledhjes me intervista dhe ese mbi letërsinë dhe shkrimtarët “Dhomat pa mure”; bashkëautore me Besnik Mustafajn në librin “Letrat e mia kredenciale” dhe përkthyese e disa veprave, si: “Fletorja e ndaluar” i Alba de Cespedes, “Dashnorja e Napoleonit” i Christine Sutherland, “Hyrje në arkitekturë” i Leonardo Benevolos, “Si ta kuptosh arkitekturën” i Bruno Zevit, “Jeta ime universitare” i Musine Kokalarit, “Faqja tjetër e hënës” i Alberto Moravias etj.