Shporta juaj është bosh
Librat e autorit
Kastriot Tusha u lind në Elbasan më
14 prill 1963. Shkollën e mesme artistike e kreu në qytetin e lindjes, ndërsa u
diplomua në degën e Kantos, në Akademinë e Arteve, në Tiranë, më 1988, me
rezultate shumë të mira. Në 1989 fitoi vendin e solistit në TOB, Tiranë. Në
periudhën 1999-2006, ishte pedagog i jashtëm në Katedrën e Kantos në Akademinë
e Arteve dhe nga 2006 e në vazhdim është pedagog pranë Fakultetit të Muzikës në
Universitetin e Arteve të Tiranës.
Përveç aktivitetit pedagogjik, ku i
është dhënë titulli prof. as., aktiviteti i tij artistik është shumë i ngjeshur
dhe i shumëllojshëm. Ai interpreton në të gjitha skenat e vendit duke
përballuar me sukses një repertor të gjerë, nga paraklasikët deri te
bashkëkohorët. Disa role të realizuara me nivel të lartë artistik janë: Beppe
në “Pagliaci”, Kola në “Paja”, Nadiri në “Peshkatarët e perlave”, Alfredo në
“Traviata”, Doda në “Mrika”, Trimori në “Dasma Arbëreshe”, Duka në “Rigoleto”,
etj.
Ka realizuar mbi 100 koncerte
vokalo-instrumentale, si dhe një numër të konsiderueshëm koncertesh recitale.
Është themelues i koncerteve të “Tre Tenorëve” në Shqipëri dhe vazhdon t’i
përballojë me sukses këto koncerte impenjative.
Është edhe lëvrues i suksesshëm i
gjinisë së romancës, ku ka një kontribut të vyer në interpretimin e tyre.
Gjithashtu ka një kontribut shumë të madh në realizimin e suksesshëm të shumë
këngëve popullore, të cilat janë formate të mrekullueshme, që ndiqen nga
këngëtarët e rinj. Ai ka realizuar një numër të konsiderueshëm koncertesh edhe
jashtë shtetit, si në Itali, Gjermani, SHBA, Greqi, Rumani, Francë, Maqedoni,
Mali i Zi etj.
Për gjithë këtë kontribut të çmuar,
i është dhënë titulli “Mjeshtër i Madh”, si dhe gëzon vlerësim maksimal nga
publiku i gjerë.
Në vitin 2013, iu dha çmimi “Kult”,
si Këngëtari Lirik i vitit.
Në vitin 2021 mbrojti doktoratën, me
temën: “Kënga Popullore Qytetare e Elbasanit dhe vendi i saj i Rëndësishëm në
Trashëgiminë Kulturore”.
Aktualisht është shef i Departamentit të Kantos
në Fakultetin e Muzikës, pranë Universitetit të Arteve, Tiranë
Libri u shtua në wishlist.