Pashk Përvathi

Pashk Përvathi u lind në Manati të Lezhës, më 27 shkurt të vitit 1958. Në vitin 1976, kreu Shkollën e Mesme të Kulturës, në degën “Mësues vizatimi”. Mbas përfundimit të shkollës së mesme, kryen stazhin në prodhim dhe një vit më vonë shkon në shërbimin ushtarak dyvjeçar. Në vitet 1980-1984, punon si shpjegues i Muzeut Etnografik të Lezhës. Në vitet 1984-1986, punon mësues vizatimi në fshatin Spiten të Lezhës. Në vitin 1986, nis studimet e larta pranë Akademisë së Arteve në Tiranë, dega “Pikturë monumentale”. Në vitin 1990, përfundon Akademinë e Arteve dhe emërohet përgjegjës i Galerisë së Arteve të Lezhës. Në vitin 1993-1994, kryen detyrën e përgjegjësit të Kulturës së rrethit të Lezhës. Në vitin 2000, zgjidhet nga Parlamenti në detyrën e Anëtarit të Këshillit Kombëtar të Radiotelevizionit dhe në vitin 2015 zgjidhet Anëtar i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit të Shqipërisë. Nga viti 1994 e në vijim është piktor në profesion të lirë.