Rrugëtimi im

Dita për të shkruar kujtimet e mia më dukej gjithnjë e largët. Heraherës kam qenë dyshues nëse do të ndodhte ndonjëherë. Ndoshta sepse këtë punë e imagjinoja si profesion të shkrimtarëve. Ndoshta sepse mendoja që në Shqipëri ende nuk është bërë traditë që krijuesit figurativë të shkruajnë për veten e tyre. Gjatë viteve të studimeve në Akademinë e Arteve, fillova të mbaj shënime për ngjarje që përbënin rëndësi në jetën time, duke krijuar edhe një skedar të shkurtër për ngjarjet kryesore të kohës së kaluar. Në vitin 2011 kam qenë i ftuar në dy-tri televizione të rëndësishme të vendit për të folur për krijimtarinë time në tërësi. Në këto biseda të gjata televizive e kam prekur edhe zanafillën e lindjes tek unë të pasionit për pikturën. Shumë miq të mi, kur u njohën me jetën time krijuese nëpërmjet këtyre emisioneve televizive, më shtynë më tej që këto kujtime t’i hidhja në letër. Por, thellë-thellë, e ndieja se një ditë do të ulesha dhe do ta prishja tabunë: do ta shkruaja vetë jetën time, me mbresat e kujtimet, ashtu siç i kam provuar vetë... Fundja, më mirë se unë nuk e njeh askush tjetër jetën time! Ajo është e pasur, por edhe e brishtë. Është jeta e një fëmije fshati që ka provuar gjithçka, vuajtje e hidhërime të shumta, por edhe gëzime, gjithashtu. Në rrugën për t’u ngjitur jam rrëzuar disa herë, por nuk jam dorëzuar. Kjo ngjitje ka qenë e mundimshme, por drita, më në fund, është parë... Në këtë rrëfim të jetës sime, të hedhur në këtë libër, mos prisni penën e shkrimtarit. Unë nuk di të shkruaj si ata. Madje, as pretendimin nuk e kam të tillë, sepse për mua kjo është e pamundur. Por një gjë di t’jua them me siguri, jeta ime në këtë libër është ashtu siç ajo ka rrjedhur në të vërtetë, e pasajuar dhe pa truke. Të vërtetat e jetës sime krijuese dua t’i ndaj me Ju, miqtë e mi, me Ju artdashësit që e keni mbështetur veprën time dhe më keni dhënë forcë për të kërkuar më shumë. Ndoshta edhe të afërmit dhe vetë fëmijët e mi nesër do të më njohin pak më tepër. Prandaj desha të shkruaj dhe shkrova. Rrëfimi im është për të gjithë Ju. Autori 


Fitues i Çmimit të Karrierës në Memuaristikë në ndarjen e Çmimeve "At Zef Pllumi" për letërsinë në vitin 2024.
Detajet rreth librit
Autori Pashk Përvathi
Shtëpia botuese Botimet Toena
Kategoria

Biografi

Refleksione

Numri i faqeve 576
Data e botimit Gusht 2023
ISBN 9789928376787
Gjuha Shqip
Libër fizik
2000 Lekë

Dërgesa brenda 2-5 ditë pune