Avni Mula
Avni Mula nder i
kombit (Gjakovë 04.01.1928 - Tiranë 29.10.2020)
Këngëtar lirik
bariton, kompozitor, kantautori i parë shqiptar. I përket artistëve të parë që
vunë themelet e artit operistik shqiptar. U diplomua në konservatorin “P. J.
Çajkovski” në Moskë (1953-’57), me medalje ari. Më pas kthehet dhe realizon mbi
30 role si bariton me kryeveprat botërore operistike dhe ato shqiptare, ku lë
një vulë të padiskutueshme të belkantos. Që në këtë kohë fillon të krijojë
romancat e para, si edhe këngët e para me të cilat mori famën si kompozitor e
kantautor.
Në vitet ’70 i
kushtohet seriozisht kompozimit, ku shkruan kantata, suita, poemën simfonike
“Nënë Shqipëri”, dy opera, “Borana” dhe “Nëna e trimave”, operetën
“Karnavalet”, muzikë filmash, tablo koreografike.
Që nga vitet
1960-2000 u shkruan shumë romanca, ku janë zgjedhur 26 prej tyre për t’u vënë
në libër, të renditura në një radhë kohore sipas krijimit të tyre. Në romancat
e fundit kompozitori është edhe krijuesi i poezisë.
Autori është
krijuesi i shumë këngëve pjesëmarrëse në 33 festivale në RTSH (me shumë çmime).
Këtu mund të përmendim festivale për fëmijë, anketa muzikore, festivale
pranvere etj. Libri përmban një buqetë me këngët më të njohura të autorit, të
cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e popullit të tij.