HAKMARRJA E FALJES

Pjesëmarrja ime në këtë projekt ishte me përkthimin e veprës “Hakmarrja e faljes”, një përmbledhje me katër tregime nga Eric-Emmanuel Schmitt. E-E. Schmitt është autor i njohur për lexuesin shqiptar përmes botimeve të Shtëpisë Botuese “Toena”, të cilën gjej rastin ta falënderoj. Ky vëllim me katër tregime ishte një zbulim i papritur për mua. Në dukje të thjeshta, të shkruara këndshëm, ato mbartnin në të vërtetë personazhe komplekse, sigurisht që të bënin për vete, por të vështirë për t’u rrokur.

Në tregimin e parë, “Motrat Barbarin”, Lili dhe Moizeta dy motra binjake, identike nga pamja, por të ndryshme nga karakteri, na shfaqet një tablo e jetës së tyre në të gjitha fazat e saj, nga fëmijëria, te rinia, mosha e pjekurisë dhe pleqëria. Dy motrat, pa fëmijë, me bashkëshortë të vdekur, kthehen të jetojnë në shtëpinë e prindërve. Boshti i tregimit është ai i një romani policor, duhet të zbardhet vdekja aksidentale e Moizetës dhe Lili është në bankën e të akuzuarve. Përmes ngjarjesh të papritura dhe suspensit mjeshtëror, autori arrin të mbajë të përqendruar të gjithë vëmendjen e lexuesit. Puna e përkthimit të këtij tregimi ishte mjaft sfiduese. Teksti përmban një numër të madh emrash nga bimësia e një fshati jugor francez, sigurisht elementet e natyrës janë të pranishme në çdo vepër, aq sa i quajnë edhe personazhe libri. Në këtë rast, shërbenin jo vetëm për të dhënë dekorin, por edhe për të shprehur dashurinë e autorit për natyrën e krahinës ku ka lindur, në rajonin e Lionit.

Tregimi i dytë “Zonjusha Batërflaj”, është një ndërthurje mjaft e bukur mes kujtimeve të rinisë, që kalon si një ëndërr, dhe dramave të jetës. Ky është një tregim mjaft kompleks me disa linja, në njërën anë linja e shëlbimit të gabimeve të rinisë e mishëruar me historinë e Uilliamit dhe, nga ana tjetër, linja e dashurisë nënë-bir e mishëruar me historinë e Mandinës dhe djalit të saj. E ndërthurur bukur me historinë e rrëfyer në operën “Madame Batërflaj”, metaforë e së cilës është  historia e Uilliamit dhe Mandinës, kjo histori na bën për vete me shumëllojshmërinë e ndjenjave kontradiktore që ajo shpalos: pafajësia e Mandinës dhe ndjenja e fajit e Uilliamit, vonesa mendore e Mandinës dhe kthjelltësia e saj mbresëlënëse kur bëhet fjalë për të shpëtuar djalin e saj; cinizmi i botës së bankës përballë dhembshurisë së babait ndaj djalit. Gjithë këto tablo e bënin shumë interesante punën e përkthimit dhe aspak të lodhshme dhe të mërzitshme. I futur në lëkurën e personazheve, i udhëhequr nga autori, përkthyesi përpiqet të japë po atë emocion, atë larmi e shumëllojshmëri ndjesish që ka përshkruar dhe autori.

Tregimi i tretë “Hakmarrja e faljes”, për mua si përkthyese ishte më i vështiri edhe për vetë dramën që përçonte. Mendoj se është edhe më i arriri për sa i përket evoluimit të personazhit. Gjithashtu, gjetja e autorit në fund të tregimit është mjaft ngërthyese. Atmosfera e këtij tregimi, ndryshe nga dy të tjerët që kishin edhe diell, edhe tablo idilike, është mjaft e zymtë dhe e dhimbshme. Bëhet fjalë për takime në burg mes një nëne dhe kriminelit të njohur Sem Luis që ka vrarë vajzën e saj. Në mënyrë shumë inteligjente, autori na mban pezull deri në fund pa na treguar arsyen e vizitave të Elizës në burg, aq sa shkakton edhe një ndjesi të lehtë konfuzioni, por ai ka besim tek inteligjenca e lexuesit. Personazhet këtu janë parë nga këndvështrimi psikologjik, në dramën që kanë përjetuar, Sem gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, Eliza me humbjen e vajzës në rrethana dramatike. Vështirësia e përkthimit qëndronte në dhënien e tonit të duhur që shoqëronte gjendjen shpirtërore të personazheve, në gjetjen e fjalëve të përshtatshme për të përshkruar situatat e bisedave në burg, apo kur Eliza e vetme analizonte ngjarjet e ditës.

Tregimi i fundit “Më vizato një avion”, është një histori e bukur heroizimi dhe patriotizmi, e përshkruar nga personazhe fisnike në shpirt. Edhe në këtë rast autori shkëlqen në ndërtimin e intrigës rreth të cilës do të sillen personazhet. Ai na befason edhe këtë herë me krijimin e personazheve që të bëjnë për vete, si: Verneri, një aviator në pension, dhe vogëlushja Dafne. Lexuesi arrin të përfytyrojë një film duke lexuar këtë histori, aq me detaje dhe ngjyra janë dhënë skenat dhe personazhet. Ashtu si edhe në tregimet e tjera, gjejmë edhe këtu motivin e ndjenjës së fajit, të dëshirës për të paguar një gabim të bërë pa dashje, idenë e fëmijërisë si një parajsë e bukur, por e humbur përgjithmonë. Në këtë tregim gjejmë edhe një homazh të autorit për shkrimtarin Antoine de Saint-Exupery, njëkohësisht dhe aviator hero  i rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërthurja e trillimit me elementë të vërtetë të historisë e bëjnë akoma më interesant këtë tregim, duke i ngjallur dëshirën lexuesit të shkojë më larg në ngjarjet që lexon.

Përkthimi i këtij libri ishte një rrugëtim i bukur për mua. Ndryshe nga një roman kur mësohesh me personazhet dhe arrin t’i “zotërosh” ata, këtu personazhet ndryshojnë nga tregimi në tregim dhe janë në një ikje të përhershme përpara. Gjithashtu, atmosferat nga tregimi në tregim kishin të veçantat dhe vështirësitë e tyre, dhe jam përpjekur çdo herë t’i qëndroj besnike ndjesive që unë vetë kam marrë nga leximi i këtij libri para se ta përktheja. 


Shpërndaje