Thanas Medi
Thanas Medi është nga Dhoksati i GJirokastrës, krahina e Lunxhërisë. Në vitin 1988 u diplomua për gjuhë-letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, punoi në arsim deri më 1994 dhe më pas emigroi në Greqi, ku jeton me familjen. Hapat e parë në letërsi ishin publikimet me poezi a prozë të shkurtër në gazeta e revista të ndryshme letrare. Libri i parë me tregime iu refuzua për botim, sepse u konsiderua i papajtueshëm me konceptet ideologjike të kohës. Romani i parë, “Hija e mallkuar” u botua në vitin 2011, nga Shtëpia Botuese “Toena”. Romani i tij i dytë: “Fjala e fundit e Sokrat Bubës’’, fitoi “Çmimin e Madh Kombëtar”, si krijimtaria më e mirë letrare për vitin 2013, nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë. Ky roman është përkthyer në arumanisht, greqisht, rumanisht, gjithashtu është në proces përkthimi edhe në gjuhët: italiane, angleze, franceze.