ZIJA ÇELA

Zija Çela ka lindur më 25 mars 1946 në qytetin e Shkodrës. Ishte fëmija i shtatë në një familje, ku i ati ishte punëtor dhe e ëma shtëpiake. Megjithëse kaloi një fëmijëri dhe rini të vështirë (babai i vdiq kur ishte vetëm pesë vjeç), ai arriti të diplomohej në Universitetin e Tiranës për letërsi. Në atë kohë, u emërua mësues në fshatrat malore të Kukësit. Në këtë qytet të vogël verior punoi për shumë vite dhe, kur ishte bërë i njohur me librat e tij, e transferuan në kryeqytet.
Në Tiranë punoi redaktor në revistën letrare “Nëntori”, ndërsa nga 1984-1990 si kryeredaktor i gazetës letrare “Drita”. Me vendosjen e pluralizmit, Zija Çela u bë drejtor i shtëpisë botuese “Letrat”, ku e filloi veprimtarinë me romanin “Përbindëshi” të Kadaresë, një vepër që ishte ndaluar nga regjimi i mëparshëm. Në vitin 2000 e gjejmë kryeredaktor i të përjavshmes “Albania e vogël”, suplement letrar i gazetës së përditshme “Albania”. Njëkohësisht që nga viti 2000, i shquar gjithashtu si eseist dhe publicist, Çela bën jetën e shkrimtarit në profesion të lirë.
Si autor u bë i njohur shpejt nga librat me tregime, që u pasuan nga romanet e tij, duke spikatur veçanërisht me triptikun e romaneve “Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”. Më parë kishte botuar romanet “Një verë pa lamtumirë” dhe “Mali i tejdukshëm”, i cili për realizmin e fortë dhe modernitetin e formës, është cilësuar si rebelim i autorit ndaj metodës së socrealizmit. Autori është fitues i disa çmimeve letrare.
 
Çmime
1984: Çmimi i Republikës (Buletini i borës).
1996: Çmimi i Ministrisë së Kulturës për romanin më të mirë të vitit (Monedha e dashurisë).
1998: Çmimi Velija për romanin më të mirë të vitit (Banketi i hijeve).
2002: Çmimi Buzuku (Kosovë) për romanin më të mirë të vitit (Lëngata e hënës).
2006: Çmimi i Ministrisë së Kulturës për romanin më të mirë të vitit (Las Varrezas).
2012: Çmimi Petro Marko për romanin më të mirë të vitit (Apokalipsi sipas Shën Tiranës).
2012: Çmimi At Zef Pllumi për prozën më të mirë të vitit (Buza e kuqe dhe gjaku i errët).
2013: Çmimin PEN të Shqipërisë.
2017: Çmimi Rexhai Surroi për romanin (Ora e Zooparkut).


Shpërndaje