VERA PA KTHIM

Mrekullia surrealiste te “Vera pa kthim” e Besnik Mustafaj
 
Nga Maklena Nika
21.06.2021
 
Një ndër veprat e Besnik Mustafaj që më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme është romani “Vera pa kthim”, i cili që në zanafillën e konceptimit dhe shkrimit të tij u lidh pashmangshmërisht me të rastësishmen objektive të surrealistëve francezë, një mbrëmje prilli të vitit 1985. Një bisedë e thjeshtë mes miqsh do të bëhej gjeneza e këtij romani.
 
E gjithë vepra, sipas atyre që shprehet edhe vetë shkrimtari, përshkohet nga dy kahet e kundërta të ekzistencës: dashuria dhe vdekja - erosi (surreal) dhe thanatosi (real), që konsistojnë në një binom shumë të dashur për shkrimtarin, të cilin e ndeshim edhe tek “Boshi”.
Për Marisa Kërbizin “Vera pa kthim” është një roman, që duhet të lexohet duke mbajtur në mendje sugjerimin e Renè Magritte se: Shumëçka nuk është ashtu si duket (This is not a pipe). Mbizotërimi i mendimit torturues të brendshëm, shpesh i distancuar nga kontrolli i arsyes, kthehet në njësi identifikuese për veprat surrealiste. Vepra të tilla shoqërohen nga teknika gjuhësore, që theksojnë paqëndrueshmërinë e arsyes, duke theksuar luhatjet e të pandërgjegjshmes. Kjo e pandërgjegjshme i jep veprës, nëpërmjet procesit të ëndërrimit, një ngjyrim defamiljarizimi me gjuhën dhe një prani kaotike të mendimeve.
 
Romani karakterizohet nga thyerje të rregullave drejtshkrimore. Thyerjet më të shpeshta lidhen me përdorimin arbitrar të shkronjës së madhe (“a S’iSHTe e DHiMBSHMe Të BRaKTiSeJ aSHTu TRuPI NJë DiTë PReJ DiTëSH, Si Të MoS KiSHTe QeNë i yTi? TRuPi , PëR Të CiLiN ViTe Të TëRa, GJiTHë JeTëN, iSHe KuJDeSuR Më SHuMë Se PëR SHPiR-TiN?”).
 
Ëndrra si proces i ndërlikuar psikologjik, gërsheton në roman një shumësi imazhesh dhe gjendjesh, nëpërmjet përdorimit të shkrimit automat i cili synon çlirimin e gjuhës, shfuqizimin e të gjithave rregullave estetike. Rrëfimi mbi ëndërrimin i jep romanit frymë surrealiste dhe krijohet e ashtuquajtura “Magjia e ëndrrave” …ai erdhi krejt papritur dhe ishte mëngjes herët, ajo koha e ndërmjetme, kur njeriu ende është disi nën pushtetin e ëndrrave të natës e bile, jo rrallëherë, pa e vënë re ç’bën, priret t’u shtojë diçka nga magjia ëndrrave e figurave reale që e rrethojnë…
 
Dashuria që Sana ndjen për Gorin është në vetvete e marrë, pasi nuk është reale dhe e prekshme. Kjo dashuri na kujton amour fou e surrealistëve francezë që i tejkalon kufijtë edhe të imagjinatës më të shfrenuar, tepër e ndjeshme në të gjithë veprën: “… Reagimi i tij e shtyu Sanën të mendonte se mos vallë kishin lajthitur të dy? Të dy kemi lajthitur, tha gjithë kënaqësi. Siç jemi ne të dashuruar … marrëzisht … natyrisht që s’do ta kemi kokën të kthjellët…” apo “…ashtu është, iu përgjigj ajo pyetjes së vet, se gjithçka e bënte vetëm për t’i shërbyer dashurisë së Gorit…“
 
Edhe humori i zi shoqëron  thuajse çdo përshkrim apo skenë surrealiste. Si një humor shpotitës, ai ngjyros me një hije të errët edhe vetë mendimet e Sanës, që nuk nguron të përshkruajë çdo element, ndodhi apo mendim me humor tronditës në më të shumtën e rasteve, që shpërfytyrojnë edhe personazhet dhe hapësirat. “…Ishin arsyetime që silleshin e përsilleshin në kokën e lodhur të Sanës, duke u rrotulluar nga të gjitha anët, siç sillet brumi në brumatriçe …apo: “Sana besoi se nuk ishte më ajo e mëparshmja kur vuri re se nuk donte megjithatë të pranonte se tashmë për të ishte shumë vonë për të kërkuar të vërteta të tjera nga ato, me të cilat ishte mësuar njësoj si me pakon 100 gramëshe të gjalpit që merrte në racionin e përmuajshëm te dyqani i lagjes.”
 
E rastësishmja objektive, kryesisht e shprehur në takimet e rastësishme në roman të Sanës me të njohur e të panjohur krijojnë idenë se kjo e rastësishme luan një rol parësor në jetën e saj: “… Sana e fsheu një ditë prej ditësh kutinë në një skutë, ku të mos e shihte më. Të paktën të mos ia zinte dora rastësisht tek kërkonte diçka tjetër. Rikujtimi i rastësishëm e bën brengën më të madhe…”.
 
Të gjithë elementët dhe imazhet e ndryshme surrealistë i japin romanit një frymë dhe një ngjyrim surrealist që në mënyrën e të rrëfyerit të historisë, të përjetimit të situatave, të ëndërrimit, të përfytyrimit, të imazheve, të të pandërgjegjshmes, të thyerjes së rregullave të shkrimit, të skenave dhe përshkrimeve surrealiste, të ngatërrimit të zërave të brendshëm, të shtresëzimeve dhe kapërcimeve surrealiste në kohë. Këto imazhe krijojnë MREKULLISË SURREALISTE. “…nuk më besohet që erdhe. Kjo është mrekulli...” apo: “…ishte një magji, që asaj nuk i lejohej ta prishte me fjalë apo qoftë edhe duke çelur sytë. …vështrimi i ngarkuar i Gorit zbriste ngadalë si një akrep me kthetrat ngulur pas lëkurës së saj…ajo ishte e tëra brenda kapërthimit të akrepit. …dhe i vinte mirë… Dhe sa ngrohtë ndihej aty! …” ose “…Gorit, për shembull, mund t’i lëshojë dritë gjaku. Pse jo, mrekullirat janë mrekullira, pikërisht pse janë të pashoqe e të papërfytyrueshme në përditshmëri. …vetvetiu gjithçka e tij bëhet e veçantë, tërheqëse, sepse është e mistershme, jo e rëndomte si tek të tjerët….”
 
Kjo mrekulli surrealiste krijohet nga dy personazhe kryesore surreale, Sana është reale si individ që frymon, por surreale në mendime dhe ëndërrime. Gori ka qenë real, por interpretohet dhe përshkruhet në lidhjet e tij me Sanën si surreal. Edhe vetë dashuria e tyre është surreale, pasi konsumohet nga personazhe në thelb surreale. Situatat, zhvillimet, përshkrimet, mendimet, veprimet janë surreale… Asgjë nuk ndodh në realitet, përveç se takimit të Sanës me shokun e luftës së të dashurit, dhe që prej këtij momenti fillon surrealiteti i Sanës e deri në fund…


Shpërndaje