IMARET - NËN HIJEN E KULLËS SË SAHATIT

Libri “Imaret” i shkrimtarit grek Janis Kalpuzos është një libër që lexohet me pasion nga lexuesi, sepse mbart vlera që i kanë qëndruar kohës dhe më kryesoren, ngre në piedestal vlerën universale të bashkekzistencës mes njerëzve që u përkasin kombeve, racave dhe feve të ndryshme, njerëz të thjeshtë që dinë të kapërcejnë çdo dallim mes tyre dhe me tolerancë t’ia kalojnë mirë së bashku. Libri voluminoz ndjek disa linja kryesore që janë: 1. miqësia mes të rinjve të kombësive dhe të feve të ndryshme, 2. lufta mes përfaqësuesve të pushtuesve, që në këtë rast janë funksionarë të Perandorisë Otomane dhe përfaqësuesve të të shtypurve, 3. ideja se në këtë botë nuk ka kombe të mira dhe kombe të këqija, por çdo komb apo racë, ka pjesëtarët e saj të mirë dhe pjesëtarët e vet të këqij.

Libri ndjek nga afër dhe nga këndvështrimi i secilit, jetën e dy të rinjve, të cilët lindën në të njëjtën ditë dhe ishte e shkruar që të bëheshin miq për kokë. Ndjek jetët e tyre, edhe në periudha të qeta, por edhe në periudha trazirash shoqërore dhe kryengritjesh, duke na paraqitur në miniaturë, jetën shoqërore dhe politike në një qytet provincial të perandorisë siç ishte Arta, në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të.

Vlera universale e bashkekzistencës mes njerëzve të racave dhe feve të ndryshme, del në pah nëpërmjet miqësisë që krijuan katër të rinj që u takonin tri racave dhe tri feve të ndryshme: Londo me kombësi greke dhe fe të krishterë, Nexhipi me kombësi turke dhe fe myslimane, dhe vëllezërit hebrenj Menahem dhe Josif. Sidomos miqësia mes Londos dhe Nexhipit, është një leksion për të gjithë, që na tregon se ndjenja humane e dashurisë për njeriun, që ndeshet më shumë te njerëzit e thjeshtë të popullit, nuk do t’ia dijë për fe dhe prejardhje. Mjafton të kujtojmë një episod që ta kuptojmë më mirë këtë që thamë: Në një moment Londo dhe Nexhipi takohen, pasi kishin marrë pjesë në një betejë me gurë që zhvillohej në Arta mes të rinjve myslimanë dhe të krishterë, turq edhe grekë, ku Londo ishte me grekët dhe Nexhipi me turqit. “Nëse do të gjendeshim përsëri përballë, por në një betejë të vërtetë, do të qëlloje kundër meje?”, pyet Nexhipi London. Në vend të përgjigjes, Londo e pyet: “Po ti?”. “Kurrë!” përgjigjet prerë Nexhipi. “As unë”, i vë vulën kësaj bisede Londo.

Por jeta ka dhe anët e saj të errëta, që në libër na shpërfaqen si një përplasje mes përfaqësuesve të pushtetit, domethënë të Perandorisë pushtuese, dhe përfaqësuesve të të shtypurve. Rast tipik i një përfaqësuesi të pushtetit që kultivon urrejtjen kudo që shkon, është ai i të vëllait më të madh të Nexhipit, Doganit, i cili, si thotë libri, “i fliste kurdoherë vëllait të dytë të tij, Behzatit, për supremacinë e racës turke dhe përpiqej të kultivonte tek ai urrejtjen kundër grekëve dhe hebrenjve”. Dogani është përfaqësuesi tipik i kastës ushtarake që kultivonte racizmin, nacionalizmin e sëmurë dhe urrejtjen ndaj popujve të shtypur, aq sa arriti të bëhet armik dhe me vetë anëtarë të tjerë të familjes së tij, si ishte i vëllai, Nexhipi, të cilin e urrente për miqësinë me grekun Londo, apo gjysh Ismaili, përfaqësues i denjë i mençurisë popullore, i tolerancës fetare dhe shoqërore.

Veç të tjerash, libri na mëson se në jetë nuk ka popuj të mirë dhe popuj të këqij, nuk ka “grekë apo të krishterë të mirë” dhe “turq apo myslimanë të këqij”. Në çdo popull, në çdo racë, ka njerëz të mirë dhe njerëz të këqij. Njerëz të këqij dhe tepër negativë ishin grekët Fasganos apo greku tjetër që i vrau të atin Londos, njerëz të këqij ishin turku dhe myslimani Dogan apo xhaxhai i tij dhe kunati i tij. Por ndërkohë, njerëz të mirë, ishin greku dhe i krishteri Londo me të ëmën, turku dhe myslimani Nexhip me të ëmën që u kishte dhënë gji të dyve, Londos dhe Nexhipit, kur ishin të vegjël, apo dhe gjyshi i Nexhipit, plaku i urtë dhe i ditur Ismail. Dhe gjysh Ismaili është mjaft objektiv në gjykimet e veta kur e pranon: Për shumë gjëra, fajin e ka shteti ynë, perandoria, që ushqeu dhe vuri në poste drejtuese, bisha dhe tiranë gjakpirës. Të krishterët te ne kanë vuajtur, por jo vetëm prej myslimanëve, por edhe prej vetë të krishterëve që morën poste drejtuese në perandori, ata të shtetit, i paguajnë taksa edhe kishës, por edhe koxhabashëve të krishterë. Shteti shkeli të drejtat e rajave, i poshtëroi, dhe ata, pa pasur asgjë për të humbur, ngritën krye. Por unë po them këtë: E gjithë bota është një imaret i madh, një institucion i madh bamirësie, është imareti i Zotit, që kujdeset për ne, që na ushqen neve, krijesat e tij të varfra. Por ne çfarë bëjmë? Zoti na la këtë imaret që ta administrojmë, ndërsa ne rrëmbejmë, vjedhim, bëjmë padrejtësi, shfrytëzojmë, duam të kemi gjithnjë e më shumë, deri në momentin që trupi ynë do të kthehet aty ku i takon të jetë: Në dhé. 


Shpërndaje