Shporta juaj është bosh
“Kthim në shtëpi” është libri më i ri dhe më
voluminoz i shkrimtares së njohur angleze, Rosamunde Pilcher. Kur nisa
përkthimin e tij, për një moment u shqetësova, pasi do të nevojitej afërsisht 1
vit për përkthimin e tij. Dhe ajo që është më kryesorja, a do të mundesha që të
jepja në shqip të gjitha ndjesitë dhe mesazhet që transmeton autorja përmes
librit te lexuesit.
Mendoj dhe besoj që e kam arritur. Edhe pse
kaq voluminoz ky roman lexohet me një frymë. Kësisoj më ka ndodhur edhe me dy
romanet e tjera të kësaj shkrimtareje, të përkthyera më parë si: “Kërkuesit e guaskave”
dhe “Solstici dimëror”, mjaft të pëlqyer nga lexuesit shqiptarë.
Rosamunde nuk ngjan me askënd, është vetvetja,
ashtu madhështore, e brishtë me shkrimet e saj të bukura, e ngrohtë dhe e
kthjellët. Kjo më ka shtuar kërkesat ndaj vetes për t’ju afruar sadopak
origjinalit. Lexuesit në mbarë botën e kanë admiruar për shkrimet e saj.
Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, ajo
ndërpret studimet dhe i bashkëngjitet ushtrisë angleze në korpusin e grave. Fragmente
të këtyre ngjarjeve janë pasqyruar me vërtetësi në këtë roman, nëpërmjet
personazheve të saj.
Rosamunde na shpalos një udhëtim të
mrekullueshëm me personazhin e saj Xhudithin në moshën 14-vjeçare, nga vitet 1955 deri
në fund të Luftës së Dytë Botërore. Xhudithi kishte mbetur jetime, pasi pothuajse të
gjithë të dashurit e saj ishin vrarë në luftë.
Ky libër është historia e sakrificës, e miqësisë,
vetmisë, dëshirës së saj të zjarrtë për t’u rikthyer atje ku ishte rritur. “Kthim
në shtëpi” është një histori për dashurinë, miqësinë, kurajën. Konsiderohet si
një sagë e vërtetë familjare, po kështu si kryevepra e Rosamundes.