Shporta juaj është bosh
Solstici dimëror
Andreas.
Ai nuk ishte fare Andreasi, por një burrë tjetër me një të qeshur prej ujku dhe
me sy të mëdhenj që përngjanin me gurët gri. Dhe qielli nuk ishte më blu, por një
stuhi e errët. Dhe ajo ndjeu frikë. Ndjenja e frikës e zgjoi, sytë e saj të hapur kërkonin nëpër errësirë.
Pothuajse dëgjonte zemrën që i rrinte fort. E çorientuar, vuri re se një pjesë e dritares nuk ishte e
mbuluar nga perdet dhe pak më tej ndriçonin dritat e rrugës. Nuk ishte as Austria, as Oberberen, por
ishte Londra.
Nuk ishte apartamenti i saj që kishte aromën e pishës, me ballkonin përtej
dritareve, por ishte Putni dhe dhoma e gjumit për miqtë në apartamentin e Sara dhe Dejvid Lumlit.
Nuk ishte qielli akull i ftohtë, por rigonte një shi gri. Ëndrra kishte mbaruar.
Andreasi, i cili kishte qenë gjithmonë vërtet i saji, kishte ikur. Gjithçka kishte mbaruar. Zgjati dorën dhe
gjeti orën e saj mbi komodinë, pranë shtratit. Ishte ora gjashtë e mëngjesit e një dite të zymtë
fillimdhjetori. Shtrati bosh dukej i shkretë. Ajo ndjeu se kishte mposhtur një dëshirë të
përmalluar fizike, një nevojë të dëshpëruar për Andreasin, që ai të ishte këtu, që trupi i tij i
lëmuar, muskulor, të ishte pranë trupit të saj. Të ktheheshin atje ku duhej të ishin, në krevatin e
madh të skalitur, përmes rrezeve të pjerrëta të diellit; të dashuruar e të përqafuar me njëri-tjetrin
nën jorganët e butë me pupla. U kthye nga ana e saj, duke përqafuar veten për të gjetur rehat
dhe ngrohtësi. “Do të bëhet mirë. Është njësoj si një sëmundje, por unë do të shërohem.” Ajo
mbylli sytë dhe e vendosi fytyrën mbi një jastëk; e zuri gjumi.
Autori | Rosamunde Pilcher |
---|---|
Shtëpia botuese | Botimet Toena |
Përkthyesi | Shpresa Osmeni |
Kategoria |
Roman Bashkëkohorë Letërsi e huaj |
Numri i faqeve | 584 |
Data e botimit | Dhjetor 2017 |
ISBN | 9789928235619 |
Gjuha | Shqipe |