Shporta juaj është bosh
Romani, "Amerikani", është roman i rënies prej dritës në terr - invers i plotë i idesë së udhëtimit prej ferrit në parajsë. Në fundin e viteve 60-të, “naivi” i lirë, Nelson Andrea, violinisti i ri e i talentuar i filarmonisë së Bostonit, lë Amerikën dhe vendos të vizitojë përkohësisht Shqipërinë komuniste, dheun prej nga iku në moshën dy vjeç.
I tërhequr nga graviteti i një amaneti, artisti i ri bën fajin tragjik; ndjek me ndërgjegje Exit-n e gabuar dhe prej parajsës relative, befas përfundon te hyrja e një skëterre absolute - pistës së shkretë të aeroportit të vetëm të Shqipërisë staliniste.
Përmes fatit të Nelson Andreas, Odise Kote synon anatominë e diktaturës komuniste në Shqipëri - një shoqëri e ngritur mbi themele dhune dhe intrige, ku faji është së pari kategori politike, ku sjellja normale penalizohet, ku madje edhe gjestet fare të zakonshme mund të konsiderohen akte subversive.
Portreti i artistit të ri, rritur dhe formuar në njërën prej hapësirave metropolitane më afluente të globit, jepet në sekuenca transformimesh shokuese. Nelson Andrea arrestohet, humbet statusin e njeriut të lirë, zhvishet përdhunshëm nga identiteti dhe pas periudhash burgimi e riburgimi, e gjen veten aty ku nuk e kishte menduar, në pikën fundore të konit, një terr pa dalje.
Stilistikisht, Gjirokastra e Odise Kotes, riimagjinohet me një kolor gjuhësor që i bën skenat dhe karakteret tredimensionale, risjell me nostalgji të matur një komunitet kuazi-kozmopolit e të harruar ku në mozaikun mondan të një bote jo aq urbane, veç hamejve, pijanecëve, lapërdharëve e nëpunësve çinovnike, shquhen me efektet e pranisë së tyre edhe një biondinë simpatike ruse dhe një mjek empatik serb.
Për ta bërë më të thyer relievin emocional të romanit, përshkruhet me skena reale vala e një epidemie vetëvrasjesh, e cila i bën më të prekshme përmasat e groteskut tragjik.
Për nga strategjia retorike, Amerikani, e ngre kurbën e vet si ndërthurjet e skenave realiste në prozën pikareske. Karakterizimi ndjek parimin e kontrastit midis karaktereve, veçanërisht në tipizimet e bashkëshortes shqiptare të protagonistit - Pandorës, një e pagojë që përpiqet të flasë me gjeste - dhe, Hana Erdal, të dashurës nga Bostoni, një amerikano-hebraike që elokuencën e ka pjesë të karakterit.
Zhdukja e beftë e bashkëshortes shqiptare - Pandorës së bukur - në skenën e fundit të romanit, jo si trill, por si një akt vetësakrifikimi, sjell jo vetëm suspensë, por edhe diçka prej frymës së magjishme të baladave arbërore.
"Amerikani" sugjeron larmi mënyrash leximi, por së pari lexohet si elegji mbi natyrën efemere të lirisë individuale. Rrëfimtari, me pragmatizëm estetik, adapton një ton omnipotent e shpesh poetik, shndrrohet spontanisht në një lloj Virgjili udhërrëfyes, jo aq si ndihmë për protagonistin e shokuar sesa për të orientuar vetë lexuesin.