FUQIA TRONDITËSE E ARTIT NË ROMANIN "AMERIKANI"

Romani “Amerikani” - një vepër me strukturë shumëplanëshe ka palcë mitike. Ky libër ngjan si një rishfaqje e beftë e mitit të Orfeut në kohët moderne, transmodeluar në realitete të tjera artistike dhe njerëzore. Orfeu me lirën e tij dhe Nelson Andrea me “stradivariusin” e tij, zhvendosen në hapësirat e tyre kohore. Të dyja këto zhvendosje janë zbritje. Zbritje në ferr. Orfeu zbret në ferrin klasik me varkën e Karonit. Nelson Andrea zbret në ferrin modern me avionin e linjës Vjenë-Tiranë. I pari zbret për të takuar Euridikën. I dyti për të takuar Marijen. Natyrisht që këto janë ngjashmëri të jashtme dhe mbase të rastit, por edhe të tilla qofshin, të bëjnë të mendosh për fuqinë e madhe të artit. Madhështor miti i Orfeut, por edhe ky roman rrezaton fuqinë e madhe të artit të fjalës kur arrin një nivel të tillë estetik.

Mitet janë bërë jo vetëm për të transmetuar të vërteta të përjetshme përmes mediumit përrallë, por sidomos për të shkundur e tronditur mendjet njerëzore duke futur në punë fuqinë e artit. Umberto Eko shprehet: “Hamleti (figurë metahistorike) është më i padiskutueshëm se Jezusi (figurë historike), edhe pse Jezusi jetoi realisht në kohën dhe hapësirën e vet, kurse Hamleti jetoi vetëm në hapësirën e pafund të metaforës”. Pra, të vërtetat estetike janë ato më të epërmet.

Kësisoj, libri “Amerikani”, shkund, trondit, magjeps, trishton, revolton, por edhe ngazëllen e dalldis çdo lexues. Në këtë vepër të shkëlqyer ka gjithçka. Nëse teatri i saj epik është ferri, vepra vetë është një parajsë letrare, një kopsht, të cilit nuk i mungon asgjë. Veprat e mira nuk i durojnë taksonomitë. Ato nuk pranojnë të kanalizohen në rryma as shkolla letrare. Duke pasur thelbin e përsosur ato e gjejnë vetë formën. Në kompozimin e tyre kryqëzohen procedime nga më të ndryshmet. Konkretisht tek “Amerikani” kemi segmente klasike narracioni, ashtu siç kemi edhe përthyerje teknikash moderne. Kjo, falë arsenalit të pafund të mjeshtërisë së artit të fjalës së autorit Odise Kote, por mbi të gjitha, të një talenti me ndjeshmëri të pazakontë. Krahas realizmit klasik, aty ndeshim edhe realizmin magjik. Ajo që komentuesit e Fuentes-it e quajnë të mbinatyrshme dhe lexuesi i pastërvitur nuk di ç’të bëjë me të, te kjo prozë e çuditshme e Odiseut futet natyrshëm dhe asnjë lexuesi nuk i duket si “kapërcim logjik”. Përkundrazi, gjithçka fantastike dhe e mbinatyrshme futet nëpërmes rrugës së natyrshme të ëndrrës. Ëndrra në të shumtën e rasteve bëhet shtegu për të hyrë guximshëm në botën e realizmit magjik. Ëndrra mbetet stacioni mes botës fizike dhe metafizike, midis reales dhe transcendentes. Nga ëndrra kalohet në tejkohësi, kalohet në galerinë e botës së Hadit: te Marija, te Sotiri, te ngjarjet e personazhet e dikurshme me histori të pazbardhura tejet interesante, me bëma të mrekullueshme dhe shkëlqime humane, aq të nevojshme për t’u evokuar. Por autori, nga shtegu i ëndrrës merr rrugën transcendente drejt realitetit artistik të një realizmi magjik me reflekset endemike të letërsisë shqiptare. Fort interesant shfaqet habitati i qytetit simpatik të Gjirokastrës. Nga autori Kote hidhet një dritë krejt vetanake mbi këtë Eldorado mençurie, fisnikërie, çudanërie, gjallërie dhe etjeje për jetën, por edhe arenë thashethemesh dhe mllefesh si çdo vend tjetër i botës. Koloriti i këtij qyteti të padeshifrueshëm i nënshtrohet denotacionit të një shkrimtari, që ka një oqean leksikor të pazakontë, një nerv artistik tepër të lartë dhe një unifikim të plotë me shpirtin e popullit, që shfaqet nga plazmimi i personazheve. Personazhet e Odiseut janë më shumë ide sesa profile. Përmes tyre zbulohet krejt filozofia e kohës, si edhe ontologjia universale e racës njerëzore. Por edhe në mesin e personazheve ka magji dhe bëma surreale. Një rast i tillë mbetet Pandora, qoftë me profilin, qoftë me zhdukjen e saj, si bëmë magjike; një zgjidhje konform harmonisë së brendshme të veprës. Pa hyrë në përimtimet e një analize të thellë të stilit klasik, gjë që në rastin e një vepre si kjo ngjan si t’i vendosësh një statuje prej ari një dekoratë bronzi, pa frikë mund të thuhet se kronotopi dhe gjithë universi i veprës është një gjë e rrallë jo vetëm për letërsinë shqiptare, por do të rrinte me dinjitetin më të madh në çdo letërsi kombëtare të botës. Vepra është pothuajse e tëra një poezi. Por edhe muzikë. Ja një rast që të krijon rrëqethjet lugubre të “Requiemit” të Mozartit:

“Ç’duhet të bëj tjetër, ç’prova të duroj, që të më duash, që të bëhem i devotshëm? O Zot! Do pres gjer sa dhimbja ta thërrmojë malin e ta bëj kodër! Do të pres. Do të pres sa të zbardhet pendë e korbit, do të pres. O Nikolla Andrea, o biri im! Dhembin gozhdët e ngulura nëpër mure, po ti dhemb më shumë. Dhemb trishtimi që trishton, strukur në dhé të përhitur myshku e bari. Dhemb suvaja e rrëzuar, kolonat, dënesa e gurit, çikriku i pusit. Dhembin trarët, ngase krimbat i brejnë pa pushim. Dhembin kanatet qelqthyer që i merr era, dhemb pika e shiut në tavan. Dhemb rrasa e gurit, të plasariturat mbi çati, dhemb kolla në brinjën e shqyer që po mbledh ujë, e dhemb. Dhemb o dhemb kjo plaga ime, plagë njeriu, dhemb. Dhemb pragu i shkulur, guva e lojës, skutinë e errët e habive, dhemb. Dhemb cingërimë e menteshave, spreth i thyer, vizatimet e braktisura, qortimet e pafaj. Dhemb, oh sa dhemb kube e muzikës, vallja e pafajshme e tingujve, dhemb, dhemb. Iu merren mend aventurave, rrëfenjave të kaltra në prazm. Dhembin magjitë këndellur në diell që me zhapinjtë e tharë ngjajnë, dhembin. Dhembin gozhdët e ngulura nëpër mure të kujtesës, po ti dhemb më shumë o biri im. Ç’faj bëre ti që unë të të humb? Nikolla Andrea, o biri im! Lotët mbushën tri puse, Nelo Andrea, Hana Andrea, Pandora Andrea”.

Këto kulminacione të një proze poetike që kufizojnë edhe me muzikën janë atribute të një krijuesi të rrallë me vokacione të shumta artistike dhe kulturore. Ndërsa vepra “Amerikani” shënon një stad rritjeje për krejt prozën shqipe.

Faleminderit Odise!

 

Shkodër, tetor 2022.


Shpërndaje