Zija Çela
Zija
Çela ka lindur më 25 mars 1946 në qytetin e Shkodrës. Ishte fëmija i shtatë në
një familje, ku i ati ishte punëtor dhe e ëma shtëpiake. Megjithëse kaloi një
fëmijëri dhe rini të vështirë (babai i vdiq kur ishte vetëm pesë vjeç), ai
arriti të diplomohej në Universitetin e Tiranës për letërsi. Në atë kohë, u
emërua mësues në fshatrat malore të Kukësit. Në këtë qytet të vogël verior
punoi për shumë vite dhe, kur ishte bërë i njohur me librat e tij, e
transferuan në kryeqytet.
Në
Tiranë punoi redaktor në revistën letrare “Nëntori”, ndërsa nga 1984-1990 si
kryeredaktor i gazetës letrare “Drita”. Me vendosjen e pluralizmit, Zija Çela u
bë drejtor i shtëpisë botuese “Letrat”, ku e filloi veprimtarinë me romanin
“Përbindëshi” të Kadaresë, një vepër që ishte ndaluar nga regjimi i mëparshëm.
Në vitin 2000 e gjejmë kryeredaktor i të përjavshmes “Albania e vogël”,
suplement letrar i gazetës së përditshme “Albania”. Njëkohësisht që nga viti
2000, i shquar gjithashtu si eseist dhe publicist, Çela bën jetën e shkrimtarit
në profesion të lirë.
Si
autor u bë i njohur shpejt nga librat me tregime, që u pasuan nga romanet e
tij, duke spikatur veçanërisht me triptikun e romaneve “Gjaku i dallëndyshes”,
“Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”. Më parë kishte botuar romanet “Një
verë pa lamtumirë” dhe “Mali i tejdukshëm”, i cili për realizmin e fortë dhe
modernitetin e formës, është cilësuar si rebelim i autorit ndaj metodës së
socrealizmit. Autori është fitues i disa çmimeve letrare.