Eric-Emmanuel Schmitt
Eric-Emmanuel Schmitt lindi në mars të vitit 1960. Kreu shkollën e mesme në “Lycée du Parc” në Lion të Francës dhe, më pas, ndoqi studimet e larta në Paris (1980-1985). Ai mban titullin “Doktor” në filozofi. Dramaturg, romancier, eseist, kineast, Eric-Emmanuel Schmitt është bërë brenda një dhjetëvjeçari një nga autorët frankofonë më të lexuar e më të pranishëm në botë. Pas sukseseve të njëpasnjëshme në teatër, ai botoi një sërë romanesh dhe përmbledhje novelash. I vlerësuar sa nga publiku po aq edhe nga kritika, pjesët e tij teatrale janë nderuar me shumë çmime “Molier” si dhe e gjithë vepra e tij teatrale është vlerësuar me “Grand Prix” (për teatrin) nga Akademia Franceze.
Schmitt-i është vlerësuar gjithashtu me çmimin “Goncourt” (për novela) për “Concerto à la mémoire d’un ange”; çmimin e romanit historik “Agrippa d’Aubigné”, për romanin “Gruaja në pasqyrë”; me çmimin “Grands Espaces” për librin “Odiseja nga Bagdadi” etj. Veprat e tij janë përkthyer tashmë në 43 gjuhë të ndryshme dhe pjesët e tij teatrale luhen rregullisht në mbi 50 vende. Në Akademinë Mbretërore të Gjuhës dhe të Letërsisë Franceze në Belgjikë, ai është ulur në kolltukun që dikur zinte Colette dhe Cocteau.
Nga Botimet Toena janë sjellë në shqip edhe vepra të tjera, si: “Eliksiri i dashurisë”, “Gruaja në pasqyrë”, “Odetë Gjithkushi dhe histori të tjera” dhe “Oskari dhe zonja rozë”, vlerësuar me çmimet “Prix Chromos” në Zvicër dhe “Grand Prix Etranger” në Belgjikë.