Rosamunde Pilcher
Rosamunde Pilcher lindi në Cornouaille, më 22 shtator 1924. Ajo kreu studimet e para në shkollën “Llandaff Howell” dhe më pas ndoqi kolegjin “Miss Kerr-Sanders” për sekretari. I ndërpreu studimet me fillimin e Luftës së Dytë Botërore dhe u angazhua në Korpusin e Grave të Marinës. Pas luftës ajo u vendos në Skoci ku filloi të shkruajë për revistat më në zë. Si autore romanesh e gjejmë në vitin 1949, me një roman dashurie, që u botua nën pseudonimin Jane Fraser. Ajo botoi edhe 10 romane të tjera nën këtë emër. Romani e saj i parë, që mban emrin Rosamunde Pilcher, “Një sekret për t’u rrëfyer”, doli në vitin 1955. Ajo botoi në vitin 1988 sagën familjare “Kërkuesit e guaskave”, që u përkthye menjëherë në 16 gjuhë dhe është shitur në 5 milionë kopje. Më pas, ky roman u përshtat për film televiziv nga Terence Brady dhe Charlotte Bingham. Në vitin 1996 Pilcher botoi “Kthimi në Cornouaille” i ndjekur nga “Kthim në vend”, “Shtatori”, “Kthim në Skoci”, “Solistici dimëror”, të botuar gjatë periudhës 1999-2000.
Në vitin 2002, Pilcher u nderua me Urdhrin “Kalorëse e Perandorisë Britanike”, si dhe Doktor Nderi në jurisprudencë nga Universiteti Dundee, në vitin 2010. Librat e Pilcher-it janë veçanërisht popullorë në Gjermani ku, nisur nga tregimet e saj, kanali televiziv ZDF ka prodhuar më se 100 histori për televizionin, nën titullin “Stuhi dashurie”. Romanet “Kërkuesit e guaskave” dhe “Shtatori” e radhitën Rosamunde Pilcherin ndër autorët më të njohur që shkruajnë për publikun e gjerë.