AMERIKANI - ROMAN I KUJTESËS DHE REFLEKSIONEVE TË THELLA
“Romani “Amerikani” i shkrimtarit Odise Kote është një tekst që në nënshtresat e veta i ka në rrëfimet dhe mitet ciklike të qytetit po aq sa dhe në dokumentimin e përditshmërisë së qytetit. Autori, një zë autoritar tashmë në letrat shqipe ka krijuar kodin e vet të leximit të së shkuarës dhe kumtimit të saj në të tashmen. Materia letrare e romanit “Amerikani” nuk vjen nga shoqëria e Gjirokastrës mitike, por e kohës ku një pjesë e madhe e lexuesve kanë qenë pjesëmarrës dhe protagonistë. E shkuara e regjimit komunist në Shqipëri është eksploruar së fundmi në letërsinë shqipe, por libri që kemi sot në duar sjell një këndvështrim të ri përmes fabulës së presonazhi kryesor Nelson Andrea, një shqiptaro-amerikani që humb të gjithë të drejtat dhe liritë qytetare në Shqipërinë e viteve 60’. Udhëtimi i tij për në Shqipërinë komuniste për të përmbushur një amanet të babait, kthehet papritur një udhëtim për në ferr”.